BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiQËNDRUESHMËRIA NË RRUGËN E DREJTË

QËNDRUESHMËRIA NË RRUGËN E DREJTË

Thotë Allahu i Lartësuar:

﴿رَبَّنَا لَا تُزِغۡ قُلُوبَنَا بَعۡدَ إِذۡ هَدَيۡتَنَا وَهَبۡ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحۡمَةً ۚ إِنَّكَ أَنتَ ٱلۡوَهَّابُ﴾ (٨)
﴿رَبَّنَآ إِنَّكَ جَامِعُ ٱلنَّاسِ لِيَوۡمٍ لَّا رَيۡبَ فِيهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُخۡلِفُ ٱلۡمِيعَادَ﴾ (٩)

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh.”.
“O Zoti ynë! Ti je Ai që do t’i tubosh njerëzit në një Ditë, për të cilën nuk ka dyshim. Allahu nuk e shkel asnjëherë premtimin e Vet.”.
(Ali Imran, 8,9)

– “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove!”
– Kuptimi:
Mos i lejo zemrat tona që të devijojnë, të largohen nga e vërteta, për shkak të injorancës apo arrogancës tonë!
Të lutemi të na bësh të përqendruar e të vazhdueshëm në rrugën e drejtë.
Të lutemi Ty, të na bësh të udhëzuar dhe udhëzues.
Na forco dhe na bëj të qëndrueshëm dhe besnikë në rrugën Tënde të drejtë!
Na ruaj nga devijimi dhe sëmundja e zemrave të të devijuarve!

– “Na dhuro mëshirën Tënde! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh!”
– Na dhuro mëshirën e madhe, që të kemi sukses në arritjen e çdo të mire dhe në ruajtjen nga rreziku i çdo të keqeje, sepse ti je Bamirës e Dhurues i madh! Mirësia Jote ka përfshirë çdo gjallesë.

– “O Zoti ynë! Ti je Ai që do t’i tubosh njerëzit në një ditë, për të cilën nuk ka dyshim. Allahu nuk e shkel premtimin e Vet.”
– Allahu i Lartësuar do t’i tubojë njerëzit dhe do t’i shpërblejë ata sipas punëve të tyre: vepërmirët me të mira dhe vepërkëqijtë me ndëshkim.
Kështu, Allahu i Lartësuar i ka përshkruar dijetarët me shtatë cilësi të vyera, të cilat i sjellin lumturinë robit në të dyja jetët:
• Ata kanë dije të dobishme, e cila është rruga e vetme që të çon tek Allahu i Lartësuar, sepse nëpërmjet saj qartësohen ligjet e Tij. Ata nuk kanë thjesht dije të dobishme, por kanë dije të thellë. Kush zotëron një dije të tillë është një dijetar i madh. Në fakt, Allahu i Lartësuar u ka mësuar atyre dijen sipërfaqësore dhe dijen e thellë.
• Këta të zgjedhur janë shumë të ditur për sa u përket të fshehtave dhe imtësive të Sheriatit, dhe kjo dije duket në veprat që ata kryejnë.
• Allahu i Lartësuar na tregon se këta të zgjedhur i besojnë të gjitha ajetet e Librit (Ata thonë:  “Të gjitha (ajetet) janë nga Zoti ynë….”) dhe për të shpjeguar ajetet muteshâbih, ata bazohen në ajetet muĥkeme. Ata vazhdimisht dhe me përulje i kërkojnë Allahut t’i ruajë e shpëtojë nga çdo e keqe, me të cilat Allahu i Lartësuar ka sprovuar ata që parapëlqyen devijimin kundrejt udhëzimit të qartë të Zotit të tyre.  
• Ata vazhdimisht i kujtojnë mirësitë e Zotit ndaj tyre dhe tregojnë mirënjohje për to. Ata thonë: “Mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove!”.
• Ata e lusin vazhdimisht Allahun e Mëshirshëm që t’u dhurojë nga mëshira e Tij. Kjo lutje për mëshirë u mundëson atyre arritjen e çdo të mire që e dëshirojnë dhe ruajtjen e shpëtimin nga çdo e keqe, së cilës i ruhen dhe i frikësohen. Ata thonë: “Na dhuro mëshirën Tënde!”  
• Ata afrohen dhe kërkojnë ndërmjetësime tek Allahu më anë të lutjeve të tyre dhe me mënyra të lejuara afrimi dhe ndërmjetësimi. Ata afrohen më shumë te Zoti i tyre duke u lutur me emrin e Tij El uehhâb (Dhurues).
• Allahu i Lartësuar na tregon se ata kanë dije dhe siguri të plotë rreth Ditës së Gjykimit. Kjo i nxit gjithmonë ata që të punojnë vepra të mira dhe vazhdimisht t’i ruhen devijimit dhe gjynaheve.

(Marrë nga Tefsiri i Sa’dit, Allahu e mëshiroftë!)

Must Read