BallinaARTIKUJGruaja dhe FamiljaRAMAZANI PËR FEMRAT ËSHTË FESTË E SHPIRTIT

RAMAZANI PËR FEMRAT ËSHTË FESTË E SHPIRTIT

RAMAZANI PËR FEMRAT ËSHTË FESTË E SHPIRTIT

Motër muslimane! Kalendari shënon ardhjen e ramazanit dhe ti prej kohësh e ke ditur. Në prag të tij ke sajuar një kalendar të vogël në mendjen tënde në përputhje me grafikun e zbërthimit dhe të shkëlqimit të shtëpisë. Pastaj je interesuar për shpenzimet, për porositjen e mishrave, për llojet e ndryshme të gatimit e të tjera si këto. Përqendrimi i tepërt në këtë program ta merr vëmendjen dhe kohën.

Ramazani është një muaj feste, veç jo për të shndritur vetëm shtëpinë, por më shumë se gjithçka shpirtin. Nuk është muaji i shtimit të shpenzimeve dhe i shqetësimit për të begatuar tavolinën, por për të nderuar urinë me falënderimin e një ushqimi të thjeshtë. Vjen ky muaj për të na përkujtuar që thjeshtësia dhe përulësia të na bëhet përditshmëri, përhershmëri. Vjen për të na e zbrazur stomakun deri në kufijtë e mjaftueshmërisë e për të na e pastruar gjakun nga tepria. Na kujton që është e mundshme të jetohet me pak; pak ushqim, pak pije, pak gjumë dhe duke qenë më shumë vetvetja e kthjellët, e lehtë, e gatshme për një vendosje më të denjë e të lartë.
Përqendro qëllimin aty ku duhet dhe bëj disa ndryshime të vogla, por të qenësishme në programin tënd! Përmbaju ramazanit ashtu si ta kërkon, në vazhdën e të parëve tanë të mirë! Ata e përgatisnin mendjen dhe shpirtin gjatë muajve para ardhjes së tij, prandaj i gjente të gatshëm për ta plotësuar devotshmërinë.
“O ju që besuat, ju është bërë obligim agjërimi sikurse atyre para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [Bekare, 83]
Sepse ky është qëllimi, ndërsa arritja e devotshmërisë është festa e shpirtit.
Ndërkohë që përgatitesh, vëzhgo me kujdes se çfarë të ka penguar gjatë muajve të kaluar që ta falësh në kohën e duhur namazin. Detyrimet e shumta apo vendosja e gabuar e sendeve dhe e kohës? Nëse ke menduar më gjatë e ke shpenzuar më shumë se si ta pasurosh jetën tënde materiale, se si t’i përgjigjesh sa më tepër ritmit të jetës “moderne” përreth, mundësitë e tua për ta pasuruar jetën e shpirtit pa dyshim kanë qenë të kufizuara. Nëse pika e parë në programin e ditës ka qenë plotësimi i detyrimeve të kësaj bote, atëherë ajo ta ka gëlltitur kohën e vyer me pangopshmërinë e saj duke e zhvendosur ahiretin gjithnjë e më në skaj. Vendosja e një rendi të drejtë në kryerjen e detyrimeve bëhet hap i rëndësishëm dhe dëshmi e përkujdesit tënd. Heqja dorë nga mjetet dhe veprimet që vetëm sa të ngarkojnë, pa përfituar realisht, është sakrifikimi që do t’i bëje kotësisë për të zgjeruar hapësirën e së vërtetës. Shtëpitë, pajisjet, ushqimet e të parëve të shquar kanë qenë të thjeshta, jo ngaqë s’kishin apo s’mundeshin, porse e kishin zbuar dynjanë nga shpirti i tyre dhe trupi s’ua kërkonte. Andaj mund të falnin gjatë namaz, të lexonin sa më shumë Kur’an, të përmendnin sa më shpesh Allahun dhe të thelloheshin në dijet fetare. Disiplina e vazhdueshme mundëson lehtësim dhe përfitim të kohës për kryerjen e gjithçkaje.
Ky ramazan është mundësia jote. Ky muaj të është lejuar nga Allahu dhe të është dhuruar për të zbërthyer e shkëlqyer shpirtin. Ti nuk e di nëse do të kesh ndonjë mundësi tjetër. Mendo si të ishin minutat e fundit: çfarë do të kërkoje të bëje? Do ta harroje ushqimin e rëndë që të duhet të përgatitësh për iftar. Do të mjaftonte një gllënjkë ujë e disa thërrime hallall. Ndërkohë do të fundoseshe në thellësi të zemrës për të qëmtuar çdo njollë me frikë e përkushtim. Do të përpiqeshe me lot t’ia laje çdo të keqe duke hyrë çiltërisht në adhurim. Namazi do të bëhej më i rëndësishëm se kjo botë dhe gjithçka ka në të.
Nëse do ta mendoje këtë orë si të fundit, mendja do të kthjellohej dhe s’do ta justifikonte më me pamundësi mësimin e leximit të Kur’anit. Do të mundohej për të lexuar qoftë edhe një shkronjë për të ndezur pak dritë në errësirën e varrit. Nëse e ke ditur leximin më parë, do të zhyteshe në mrekullinë e kuptimeve të tij shkronjë për shkronjë. Do të humbisje larg kësaj bote për t’u gjetur matanë kufijve të saj.
Duke e ndier thellë fanitjen e jetës që po zhduket, do ta mbaje gjithnjë gjuhën të lagur me përmendjen e Allahut dhe do të doje të vdisje kështu: La ilahe il-lall-llah, S’ka zot tjetër veç Allahut. Vetëm Ai pranon pendimin dhe dhuron shpërblim. Të ka dhuruar këtë muaj të madhërishëm për ta fituar kënaqësinë e Tij. Kujdes! Një ditë vërtet do të jetë e fundit dhe një ramazan vërtet do të jetë i tillë!
Allahu të dhuron kaq shumë mirësi këtë muaj. Të premton shpërblim të agjërimit në atë masë që vetëm Ai e di. Ah sikur të të pranohej e të shkruheshe në mesin e agjëruesve! Kjo shpresë e gdhin dhe e ngrys besimtaren. Kapet fuqimisht pas saj me besim dhe largon çdo gjë që e ndot dhe e fshin. I largohet thashethemeve, përgojimit, arrogancës dhe vetëkënaqësisë. Është agjërueshëm. Është duke kulluar trupin dhe shpirtin, sepse për të do të përgjigjet. Ndyrësia e fjalës, e shikimit, e dëgjimit e shkatërron sakrificën. Prej Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, ti e di se “sa agjërues nuk përfitojnë prej agjërimit të tyre asgjë tjetër veç urisë dhe etjes!”
Dyert e xhehenemit janë të mbyllura këtë muaj dhe ti dëshiron të dalësh prej tij. Dyert e xhenetit janë të hapura dhe ti dëshiron të hysh në të. Të dy i ke më afër se lidhësja e këpucës. Nëse përqendrohesh në llogarinë tënde, gabimi më i imët i yti do të të bjerë mbi supe si një mal i rëndë. Ndërsa çfarë sot të ngacmon në majë të gjuhës për ta përgojuar, atë ditë s’do të të duket asgjë. Të mjafton gjykimi i vetvetes, ndaj lidhe nyjen e gjuhës tënde!
Të keqes afroju me të mirë dhe të mirën këshillo! Fal, të falesh! Mëshiro, të të mëshirojë Allahu dhe jep sadaka ta shuash flakën e zjarrit!
“O ju gra! Jepni sadaka dhe kërkojini më shumë falje Allahut, sepse unë pashë që ju përbëni pjesën më të madhe të banorëve të xhehenemit!” (hadith)

Sadakaja është dëshmi për ty. E vendosur në thesarin e ahiretit, pa e parë as duart e tua, është vërtetim, bindje e thellë se ke bërë me të tregtinë më të drejtë.
Jemi njerëz dhe rrjedhimisht gabimtarë. Ti je motra ime muslimane, por dhe vetja përballë meje. Flas me ty që të të ndiej pranë; me qortimin, me këshillën, me mbështetjen, duke i lidhur zemrat fort këtë muaj. Këtë muaj dhe përgjithmonë. Na e ka bashkuar Allahu orën e iftarit. Prej dëshirës së Tij, me lutjen tonë bashkojmë sofrën e zemrave për t’ia çelur njëra-tjetrës me pak ujë, me pak ushqim dhe me shumë bujari, për t’u ngritur prej saj e për t’i hyrë natës në saf të përulura dhe të shpëtuara.
Nata e errët, që me panjohjen e saj frikëson kaq e kaq shpirtra të humbur, na e përqendron peshën e vetvetes në një pikë. Aty shuhen kuptimet e kota, mrekullia ngjizet. Nga dyert e hapura të qiejve mëshira zbret. Edhe drita. Në adhurim ka vetëm paqe.
Motër muslimane! Të dua për hir të Allahut! Mos harro! “Nuk ka dyshim se për muslimanët dhe muslimanet, për besimtarët dhe besimtaret, adhuruesit dhe adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përmendësit dhe përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” [Ahzabë, 35]

Marr nga:
Pertymoter.net

Must Read