BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirRËNDËSIA E LEXIMIT TË KURANIT

RËNDËSIA E LEXIMIT TË KURANIT

RËNDËSIA E LEXIMIT TË KURANIT

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë dhe vetëm tek Ai ndihmë dhe falje kërkojmë. Allahut i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve dhe punëve tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe ai që është në humbje nuk mund ta udhëzojë kush tjetër veç Allahut të Madhëruar. Dëshmoj se nuk ka tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shokë dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Ebu Umame (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Lexoni Kuranin, se ai do të vijë në Ditën e Gjykimit e të bëjë shefat (të ndërmjetësojë) për lexuesit e tij.”

Transmeton Uthman ibn Afani (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) që Resulullahu (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kuranin e pastaj ua mëson atë të tjerëve.”

Aishja (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) i përcjell këto fjalë të të Dërguarit: “Ai që lexon Kuran bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.”

Ebu Musa el Eshari (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) tregon se i Dërguari ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kuran është si shembulli i qitros: ka erë (aromën) të mirë dhe shije të mirë; e shembulli i besimtarit që nuk lexon Kuran është si shembulli i hurmës: nuk ka aromë, por shijen e ka të ëmbël; shembulli i munafikut (dyfytyrëshit) që lexon Kuran është si shembulli i borzilokut: ka aromë të mirë, e shijen e ka të hidhur; ndërsa munafiku (dyfytyrëshit) që nuk lexon Kuran është si kungull i egër: nuk ka aromë, e shijen e ka të hidhët.”

Transmeton Umer ibn el Hatab (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) se i Dërguari (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Vërtet, Allahu i Madhërishëm me këtë Libër (Kuranin) i ngre disa popuj e i nënçmon disa të tjerë.”

Ibn Mesudi (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) transmeton se i Dërguari (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e lexon një harf – shkronjë nga Libri i Allahut (Kurani), do të ketë shpërblim, e shpërblimi do të dhjetëfishohet. Unë nuk them që ‘Elif Lam Mim’ është një harf – shkronjë, por, ‘Elif’ është harf, ‘Lam’ është harf dhe ‘Mim’ është harf.”

Ibn Abasi (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) tregon se Resulullahu (alejhi selam) ka thënë: “Ai në gjoksin e të cilit nuk ka asgjë nga Kurani (nuk di asgjë përmendsh nga Kurani) është sikur një shtëpi e lënë dhe e rrënuar.”

Transmeton Abdullah Ibn Amr el As (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) se i Dërguari (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Lexuesit të Kuranit do t’i thuhet në Ditën e Gjykimit: ‘Lexo dhe ngrihu (shkallëve të xhenetit), lexo drejt dhe bukur, siç ke lexuar në dynja, se vendi yt është në ajetin e fundit që lexon.’”

Ebu Musa (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kujdesuni dhe ruajeni Kuranin (atë që e keni mësuar prej tij), se pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti i Muhamedit, ai (Kurani) harrohet më shpejt sesa që i duhet devesë për t’u liruar prej kapistrës së vet (litarit me të cilin i lidhet këmba).”

Transmeton Ebu Hurejre (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) se Resulullahu (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu nuk i kushton kujdes askujt sikur një të dërguari që ka zë të bukur, i cili e këndon Kuranin me zë të qartë dhe të bukur.”

Përgatiti: Erion Sulo
Burimi Jetës

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read