BallinaARTIKUJHadith dhe SunetRrezikshmëria e mosfaljes së namazit!

Rrezikshmëria e mosfaljes së namazit!

Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ndërmjet njeriut, idhujtarisë dhe mosbesimit qëndron lënia e namazit.” (E shënon Muslimi, numër 82)

Komenti:

Namazi është shtylla më madhështore pas dy dëshmive: La ilahe ilLallah Muhamed resulullah – Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Mu për këtë, në shumë ajete dhe në hadithe të ndryshme të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem) ka ardhur urdhri për faljen e namazit dhe ndalimi i lënies së tij.

Ky hadith na tregon për rrezikun e pakujdesisë ndaj çështjes së namazit, ku i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) e sqaroi se nuk ka diç ndërmjet njeriut, idhujtarisë dhe mosbesimit veçse ta lërë namazin. E, nëse e lë atë, bën mosbesim (kufër) dhe idhujtari (shirk) ndaj Allahut. Allahu na ruajttë nga një gjë e tillë!

Ky hadith është argument i qartë se lënia e namazit është ndër mëkatet më të mëdha dhe gjërat më shkatërruese, njashtu është mëkat më i madh sesa mëkatet e mëdha, fjala vjen, kamata, kurvëria, vjedhja e pirja e alkoolit, edhe pse këto katra janë prej mëkateve të mëdha. Andaj, është obligim i çdo muslimani e muslimaneje të kujdeset për namazin skajshmërisht dhe t’i kushtojë rëndësi të madhe. Falja e namazit është shkak për mirësi, begati e furnizim dhe është mjet që dërgon drejt Xhenetit, faljes së mëkateve dhe kënaqësisë së Allahut.

Burimi:
Libri: “Dyzet hadithë për fëmijë”
Autor: Muhamed ibn Sulejman el Muhema

Must Read