SHENJAT E FYTYRËS
Secili prej nesh ka gjurmë të caktuara të fytyrës, të cilat nuk ngjasojnë me askënd tjetër në botë. Në tërë botën nuk mund të gjesh dy gjurmë të njëjta të dy fytyrave. Le ta lexojmë një hulumtim, aludimet për të cilin janë dhe në Librin e Allahut të Madhëruar.
Një pyetje që ka hutuar shkencëtarët: si formësohet fytyra e njeriut derisa ai është në barkun e nënës së tij dhe se si ndodhë që në botë të mos ketë dy fytyra të ngjashme?
Në një studim të ri, të publikuar më tetor 2013, hulumtuesit Axel Visel dhe Catia Attanasio kanë vërtetuar se, sikur që dallojnë gjurmët – shenjat e gishtërinjve, po kështu dallojnë edhe shenjat e fytyrës dhe se në botë secili ka një fytyrë që e dallon nga fytyra e tjetrit. Sekreti –gjithnjë sipas tyre- fshihet në gjenet e posaçme të secilit prej nesh, të cilat sistemohen dhe radhiten në atë formë që mundësojnë të ketë secili prej nesh fytyrë të veçantë nga tjetri. Rezultati, në të cilin arritën shkencëtarët vërteton se ekzistojnë programe tek njeriu që janë të ngjashme me programet që shkencëtarë i përdorin për kodime në kompjuter. Kështu, është e vështirë të merret me mend apo të besohet se e tërë kjo ndodhë rastësisht apo për shkak të evolucionit. Po supozojmë, sikur krijimi i njeriut të ishte nëpërmjet evolucionit dhe selektimit natyror, atëherë mundësia që të ketë ngjashmëri (të krijesave) do të ishte e madhe, për shkak se, siç thotë Darvini, natyra e zgjedh më të mirën. Pikërisht për këtë shkak, shkencëtarët sot besojnë se ka programe të veçanta të ruajtura në qelizat e çdonjërit prej nesh, të cilat shtyjnë gjenet të sistemohen dhe veprojnë në një mënyrë të caktuar dhe assesi të rastësishme apo kuturu.
Hulumtuesi Axel Visel është duke bërë eksperimente për të vërtetuar se secili njeri në botë ka shenja – gjurmë të veçanta të fytyrës, që e bëjnë të dallojë nga çdokush tjetër në botë. Shkencëtarët janë në punë e sipër për të zhvilluar programe nëpërmjet të cilave në do të arrijmë të vërejmë këto shenja dhe t’i njohim njerëzit në bazë të tyre.
Po Kur’ani i madhërishëm, çfarë na flet për këtë?
Kur’ani në shumë vende e ka përmendur fytyrën e njeriut, të cilën e ka lidhur me shenja të caktuara, veçanërisht kur është fjala për besimtarin që e adhuron Allahun duke bërë sexhde shumë. Thotë Allahu: … Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes…“ (El-Fet’h, 29)
Ky ajet vërteton se shenjat e fytyrës ndryshojnë si pasojë e disa veprimeve që bën njeriu.
Sa shumë pata shpresuar që ndonjë dijetar mysliman të bënte eksperimente me fytyra të ateistëve që kurrë nuk i kanë rënë në sexhde Allahut, për t’i krahasuar më pas me fytyrat e besimtarëve që përkujdesen për namazin, namazin e natës, që bëjnë sexhde shumë, mu ashtu siç e porositi Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] sahabiun i cili e pyeti se me çfarë mund të arrinte afërsinë e tij Ditën e Kiametit: “Më ndihmo për veten tënde (që të jesh pranë meje) me sexhde të shumta.”
Për këtë shkak, Kur’ani është fokusuar shumë tek fytyra dhe i ka kushtuar rëndësi asaj, veçmas për adhurim, përkushtim dhe sinqeritet ndaj Allahut të Madhëruar. Thotë Allahu: Thuaj: “All-llahu ma urdhëroi mua drejtësinë dhe në tërësi kthejuni Atij në çdo namaz (lutje) dhe adhurojeni Atë duke qenë të sinqertë në lutje vetëm për të. Ashtu sikur që ju filloi (krijoi) së pari, do të ktheheni te Ai.“ (El A’rafë, 29)
Së këndejmi, mund të konkuldojmë se shenjat e fytyrës së njeriut ndryshojnë varësisht nga sjelljet dhe veprimet e tij megjithëqë ato ngelin në raport me të tjerët gjithmonë të ndryshme. Pra, elementi dallues i tyre nga njëri në tjetrin njeri mbetet përgjithmonë. Këtë shenjë Kur’ani e ka quajtur ‘simeh’ ose ‘alameh’ (që të dyja kanë kuptimin e shenjës) e dalluar, dhe, rrjedhimisht, krimineli – mëkatari do të dallohet në Ditën e Llogarisë me shenjën e tij në balluke të kokës. Thotë Allahu: Kriminelët njihen me tiparet e tyre, andaj me rrëmbim kapen për flokë dhe për këmbët e tyre.“ (Err-Rrahman, 41)
Nëpërmjet kësaj shenje do të dallohen po kështu edhe besimtarët në Ditën e Llogarisë. Thotë Allahu: “…e mbi A’raf (lart mbi mur) janë burra që e njohin secilin (të xhennetit dhe të xhehennemit) me shenjat e tyre…“ (El-A’rafë, 46)
Shenja dalluese kanë edhe besimtarët e ndershëm në këtë botë, p.sh., ata që ruajnë nderin e tyre duke mos shtrirë dorën para të tjerëve. Thotë Allahu: …duke qenë se ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata i njeh nga vetë pamja e tyre (të rraskapitur), por nuk kërkojnë e as nuk i mërzitin njerëzit…“ (El-Bekare, 273)
Allahu po kështu, duke iu referuar këtyre shenjave dalluese, i thotë Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]: “E sikur të kishim dashur Ne, do t’i tregonim ty se kush janë ata, e do t’i njihje konkret…“ (Muhammed, 30)
Sikur Allahu të donte, do ta bënte Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] që t’i shihte këto shenja dalluese të hipokritëve.
Kësisoj, shenjat apo gjurmët e fytyrës e dallojnë secilin njeri nga tjetri. Hipokriti ka shenja që ne nuk i shohim por të cilat Allahu ka mundësi të na i zbulon. Ja, sot, Allahu i Madhëruar ua ka mundësuar shkencëtarëve që të zbulojnë aparaturë nëpërmjet të cilave ne mund të vërejmë këto shenja.
Kjo, përveç tjerash, flet edhe për përputhshmërinë ndërmjet fesë dhe të vërtetave shkencore. Kjo dëshmon se Kur’ani është libër i të vërtetave.
Falënderuar qoftë Allahu për mirësinë e Islamit.
Abdudaim El Kehil
www.kaheel7.com/ar
Përshtati: Sedat ISLAMI
What is it About Your Face?, http://newscenter.lbl.gov/2013/10/24/what-is-it-about-your-face/, 24-10-2013.