Shkaqet e rritjes së adhurimit në zemrën e njeriut
Teuhidi është një pemë që mbin në zemrën e besimtarit, ai i shtrin degët dhe e shton rritjen e tij. Bukuria e tij shtohet sa herë që ai vaditet me bindje që të afrojnë për tek Allahu i Madhëruar. Kështu që, shtohet dashuria e robit për Zotin e tij, njëkohësisht shtohet tek ai edhe frika, shpresa dhe mbështetja e fortë tek Ai. Pra teuhidi me këto plotësohet dhe vërtetohet, vërtetimi i tij nuk është me dëshira dhe as me pretendime larg realitetit.
Vërtetimi i saj është me anë të bindjes dhe besimit, realitetit njerëzor, besnikërisë, moralit të lartë dhe punëve të mira që kanë zënë vend në zemrën e njeriut.
Nga shkaqet që realizojnë rritjen e Adhurimit në zemrën e njeriut janë:
1. Kryerja e bindjeve duke shpresuar atë që gjendet tek Allahu.
2. Lënia e mëkateve nga frika e dënimit të Allahut.
3. Meditimi në mbretëritë e qiejve dhe të tokës.
4. Njohja e emrave dhe cilësive të Allahut, si dhe atë që kërkojnë ato, gjurmët e tyre dhe argumentat që ka në to për Madhërinë dhe Përkryeshmërinë e Allahut.
5. Shtimi i dijes së dobishme dhe punimi me të.
6. Leximi i Kuranit me meditim dhe kuptimi i tij dhe i atyre që ai kërkon.
7. Afrimi tek Allahu me nafilet pas namazeve farz.
8. Përmendja e Allahun në çdo gjendje, me gjuhë dhe zemër.
9. Dhënia përparësi gjërave që do Allahu kur kërkohet të zgjedhësh.
10. Meditimi në mirësitë e Allahut, të dukshme apo të padukshme, si dhe dëshmimi i bujarisë dhe bamirësisë së madhe që bën Ai ndaj robërve të Tij.
11. Nënshtrimi i zemrës ndaj Allahut dhe nevoja për të.
12. Vetmimi me Allahun në momentin e zbritjes së Tij, në një të tretën e fundit të natës, leximi i Kuranit në këtë kohë dhe përfundimi i kësaj kohe me kërkim falje dhe teube.
13. Ulja dhe qëndrimi me njerëzit e mirë, me ata që janë të sinqertë dhe që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut, si dhe përfitimi prej fjalëve të tyre.
14. Largimi nga çdo gjë që është shkak për vënien e pengesës ndërmjet zemrës dhe Allahut.
15. Lënia e të folurit të tepërt, ushqimit të tepërt, përzierjen e tepërt me njerëzit dhe shikimin.
16. Të dojë robi për vëllain e tij besimtar atë që e dëshiron për veten e tij dhe të luftojë me vetveten për arritjen e këtij qëllimi.
17. Pastërtia e zemrës nga mëria e besimtarëve, pastrimi i saj nga smira, mëndjemadhësia, mashtrimi dhe vetëpëlqimi.
18. Të kënaqurit me rregullin e Allahut të Lartësuar.
19. Falenderimi në mirësi dhe durimi në fatkeqësi.
20. Kthimi për tek Allahu kur bie në gjynahe.
21. Shtimi i punëve të mira, si bamirësia, morali i mirë, lidhjet farefisnore etj.
22. Pasimi i Profetit (salallahu alejhi ue selam) në çdo të vogël e të madhe.
23. Xhihadi në rrugë të Allahut.
24. Të ushqyerit e mirë (me hallall).
25. Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.
Muhamed bin Ibrahim el Hamd
Përktheu: Bledar Haxhiu