Shkaqet me të cilat realizohet falja e gjynaheve
Falënderimi i takon Allahut falësit të gjynaheve dhe pranuesit të pendimit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, i cili u dërgua mëshirë për njerëzimin, për familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.
Allahu i lartësuar ka thënë: ” Thuaj! O robërit e Mi, të cilët i keni ngarkuar vetet tuaja, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet, Allahu i fal të gjitha gjynahet, Ai është që fal shumë dhe është Mëshirues.” Zumer, 53.
Gjithashtu i Lartësuari ka thënë: “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës e, edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat.” Hud, 114.
Vëlla lexues!
Të gjithë ne jemi me gabime dhe të gjithë ne kemi nevojë për fshirje gjynahesh e gabimesh të cilat i bëjmë ditën e natën. Nga mëshira e Allahut të Madhëruar ndaj nesh, është se ka përgatitur shkaqe të shumta për faljen e këtyre gjynaheve. Nuk punon muslimani me to, veçse e përfshin (mbulon) Allahu i Lartësuar me faljen dhe mëshirën e Tij, porse Allahu i Lartësuar ka kushtëzuar prezencën e besimit dhe largimin nga shirku, në mënyrë që të arrijnë tek ai gjurmët e këtyre shkaqeve, sepse mohimi dhe shirku janë ndalime për faljen e gjynaheve.
Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal t’i bëhet Atij shok e fal çka të dojë pos tij, për atë që do.” Nisa, 116.
Shkaqet me të cilat realizohet falja e gjynaheve
Për ty vëlla i dashur kemi paraqitur disa nga këto shkaqe të cilat i ka bërë Allahu i Lartësuar shkak për faljen e gjynaheve dhe gabimeve, në mënyrë që të largosh nga vetja jote humbjen, si dhe shpresës prej Mëshirës së Allahut të Lartësuar dhe të shpejtosh në falje mëkatesh nga Allahu i Lartësuar dhe të fitosh kënaqësinë e Tij.
“Dhe shpejtoni në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe në xhenetin, gjerësia e të cilit është sa qiejt e toka, i cili është përgatitur për të devotshmit.” Ali Imran, 133.
1. Islami.
Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju atyre të cilët nuk besuan, nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e besojnë) do t’u falet atyre e kaluara.”
Amër bin Asi ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) transmeton se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “A nuk e di ti se Islami i fshin ato që kanë qenë para tij.” Muslimi.
2. Shpërngulja – emigrimi për hir të Allahut të Lartësuar.
Dhe ajo është largimi nga vendi jomusliman për në vendin musliman.
I Lartësuari thotë: “Më pas, vërtet Zoti yt atyre të cilët mërguan (emigruan) pasi që u sprovuan e më pas, luftuan e duruan, vërtet Allahu pas saj është falës e i Mëshirshëm.”
Ndërsa Amër bin Asi ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) transmeton se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dhe emigrimi shlyen çka ka qenë para tij.” Muslimi.
3. Haxhi (i pranuar).a
Transmeton Amër bin Asi ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dhe haxhi shlyen ato para tij.” Muslimi.
Po ashtu, transmetohet nga Ebu Hurejra ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush bën haxh për Allahun dhe nuk flet fjalë të pista apo nuk bën marrëdhënie, kthehet si në ditën që e ka lindur nëna e tij.” Buhariu.
4. Përkujtimi i Allahut të Lartësuar kur thërritet ezani.
Transmetohet nga Sadi ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush thotë kur dëgjon muezinin: ‘Dhe unë dëshmoj se s’ka Zot tjetër që meriton adhurimin me të drejtë veç Allahut i Vetëm dhe i pa shoq dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Jam i kënaqur me Allahun për Zot, me Muhamedin si Profet dhe Islamin si fe.’ I falen atij gjynahet e mëparshme.” Muslimi.
5. Kujt i korrespondon amini me aminin e engjëjve.
Nga Ebu Hurejra ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse thotë imami amin thoni pas tij, se vërtetë kujt i korrespondon amini me aminin e engjëjve i falen atij gjynahet e mëparshme.” Buhariu dhe Muslimi.
6. Kujt i korrespondon thënia “Rabena ue lekel hamd” me atë të engjëjve.
Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse imami thotë: ‘Semia Allahu limen hamideh’ thoni: ‘Allahume Rabena ue lekel hamd’, se vërtet kujt i korrespondon kjo thënie me thënien e engjëjve i falen atij gjynahet e mëparshme.” Buhariu dhe Muslimi.
7. Namazi i dy rekateve në të cilat nuk ka në to mangësi.
Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush merr abdes në mënyrë të përsosur, pastaj fal dy rekate namaz pa mangësi, i falen atij gjynahet e mëparshme.” Ahmedi, e ka bërë të mirë Albani.
8. Prekja e Gurit të zi dhe anës së Jemanit tek Qabja.
Nga Ibën Umeri ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! ka thënë: “Vërtet, prekja e gurit të zi dhe anës së Jemanit i fshin gjynahet e mëparshme.” Ahmedi, e ka saktësuar Albani.
9. Grumbullimi për përkujtimin e Allahut.
Nga Sehël bin Handheli ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk grumbullohet ndonjë popull për të përkujtuar Allahun, veçse kur ngrihen nga ky përkujtim u thuhet atyre: ‘Çohuni të falur nga gjynahet’.” Ahmedi, e saktësoi Albani.
10. Sëmundja që e godet njeriun.
Transmetohet nga Aishja ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! ka thënë: “Nëse e godet robin sëmundja, pastrohet nga gjynahet sikur pastrohet floriri kur shkrin nga metalet e tjera.” Buhariu.
Transmetohet nga Ebu Umame ((Allahu qoftë i kënaqur me të!)!) se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse robin e godet ndonjë sëmundje Allahu i shpall engjëjve: ‘ Unë e kam kufizuar robin Tim me kufizim (sëmundje), prej kufizimeve të Mia, nëse përmbahet në të do ta fal atë, dhe nëse e liroj nga ky kufizim e pastroj nga çdo gjynah.” Hakimi, e ka bërë të mirë Albani.
Përgatiti: Bledar Haxhiu