SHKENCAT E KURANIT

SHKENCAT E KURANIT

Falënderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë dhe vetëm tek Ai ndihmë dhe falje kërkojmë. Allahut i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve dhe punëve tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe ai që është në humbje nuk mund ta udhëzojë kush tjetër veç Allahut të Madhëruar. Dëshmoj se nuk ka tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shokë dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ اتَّقُواْ اللّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلاَ تَمُوتُنَّ إِلاَّ وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun ashtu siç duhet pasur frikë Ai dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë (besimdrejtë e plotësisht të nënshtruar ndaj Allahut).” Ali Imran, 102.

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُواْ رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالاً كَثِيراً وَنِسَاء وَاتَّقُواْ اللّهَ الَّذِي تَسَاءلُونَ بِهِ وَالأَرْحَامَ إِنَّ اللّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيباً

“O njerëz! Jini të bindur (dhe mbushni detyrimet) ndaj Zotit tuaj, i Cili ju krijoi ju prej një veteje (Ademit) dhe nga ajo Ai krijoi palën (bashkëshorten) e saj dhe nga ata të dy Ai krijoi burra dhe gra të shumtë. Dhe kijeni frikë Allahun nëpërmjet të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe mos i ndërprisni marrëdhëniet me të afërmit tuaj. Sigurisht që Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues përmbi ju.” Nisa, 1.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلاً سَدِيداً{70} يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَن يُطِعْ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزاً عَظِيما

“O ju që keni besuar! Plotësoni detyrimin ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë dhe flisni (gjithnjë) të vërtetën. Ai do t’ju drejtojë ju tek veprat e mira e të drejta dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, me të vërtetë që ka arritur fitoren më të madhe (do të pranohet në Xhenetin e Begatshëm).” Ahzab, 70-71.

Nuk ka dyshim se fjala më e mirë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më i drejtë është udhëzimi i Profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe gjërat më të këqija janë çështjet e shtuara në fe, e padyshim çdo shtesë është bidat dhe çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të shpie në zjarr.

Kurani ky libër madhështor, është fjala e Allahut në të cilin është depozituar udhëzimi dhe drita dhe i cili shpalos në vetvete njohuritë e pafundme dhe urtësinë.

Kështu që dijetarët treguan kujdes të veçantë ndaj tij, furnizohen nga burimi i tij i pashtershëm dhe nxjerrin prej tij rregullat e kësaj feje madhështore.

Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun në mënyrën më të përsosur.

لَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنسَانَ فِي أَحْسَنِ تَقْوِيمٍ

“Vërtet, që Ne e krijuam njeriun në formën më të përsosur.” Tin, 4.

Më pas e ndërtoi atë nga trupi dhe shpirti dhe bëri që çdo njëra prej tyre të ketë ushqim të veçantë, kështu bëri që trupi të ushqehet me materializma si: uji, buka etj,. ndërsa për shpirtin zgjodhi që të jetë ushqimi i tij shpallja që Ai u zbret të Dërguarve të Tij.

Sa herë që popujt devijonin nga rruga e drejtë, Allahu dërgonte profetët e Tij dhe u zbriste atyre shpallje, në mënyrë që shpirtrat të gjenin ushqimin e duhur dhe atë që i mungonte. E si jo, kur ajo (shpallja) është ushqim nga Ai që i njeh hollësitë e krijesave të Tij.

Allahu vazhdoi kështu të dërgonte për njerëzimin profetë dhe të zbriste mbi ta shpallje, derisa e mbylli ciklin e profetëve me Muhamedin dhe ciklin e shpalljeve me Kuranin.

Ndryshoi rrjedha e historisë dhe u përhap drita e së vërtetës për të shuar errësirat e humbjes dhe për të larguar mbeturinat e kufrit, që në momentin kur Allahu zbriti mbi robin e Tij:

اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ{1} خَلَقَ الْإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ{2} اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ{3} الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ{4} عَلَّمَ الْإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ

“Lexo! Me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Ka krijuar njeriun nga Alak (copë gjaku e mpiksur në mitrën e nënës). Lexo! Dhe Zoti yt është më i Begati Dhurues. Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ai i mësoi njeriut atë që nuk e dinte. Alak, 1-5.

Ndaj duhet që muslimanët të tregojnë kujdes dhe të kenë njohuri rreth librit të tyre, rreth fjalës së Allahut me të cilin ata ngopin shpirtrat dhe u ndriçohen rrugët për në xhenet.

Do të mundohemi që gjatë këtyre mësimeve të prekim gjërat më elementare në lidhje me njohuritë rreth Kuranit duke shpresuar që të jenë të dobishme për ne dhe lexuesit, duke e lutur Allahun që të na bëjë dobi nga fjala e Tij, t’i shërojë zemrat tona me të e të na bëjë nga pasuesit e denjë të tij, Amin.

Kështu, pa humbur kohë, le të fillojmë e të flasim rreth këtyre njohurive të vlefshme.

Përkufizimi i Kuranit të Lartë

Kurani është: “Kelamu llahi munezel ala nebijihi Muhamed, el-muteabed bitilauetihi, el-mu’xhiz biaksar suerihi”

“Fjala e Allahut të Lartësuar, e zbritur mbi Muhamedin (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) me leximin e të cilit adhurohet Allahu, i mrekullueshëm edhe me suren më të shkurtër të tij.”

Shpjegimi i përkufizimit

1. Thamë: “Fjala e Allahut”; me këtë anë të përkufizimit, ne përjashtojmë fjalët e engjëjve, xhinëve dhe njerëzve.

2. Thamë: “e zbritur”; me këtë anë të përkufizimit, kuptojmë se këtu nuk hyn ajo që Allahu ka fshehur (ruajtur) në dijen e Tij, që nuk ua ka zbritur apo shpallur engjëjve apo njerëzve. Pra, fjala e Allahut është ajo që Ai e ka ruajtur tek Ai dhe ajo që ai ia ka shfaqur dhe zbritur njerëzve. Allahu thotë në Kuran:

“قُل لَّوْ كَانَ الْبَحْرُ مِدَاداً لِّكَلِمَاتِ رَبِّي لَنَفِدَ الْبَحْرُ قَبْلَ أَن تَنفَدَ كَلِمَاتُ رَبِّي وَلَوْ جِئْنَا بِمِثْلِهِ مَدَدا”

“Thuaj (O Muhamed njerëzimit)! Sikur deti të ishte ngjyrë (për të shkruar) Fjalët e Zotit tim, pa asnjë mëdyshje se deti do të shterohej para se të mbaronin Fjalët e Zotit tim, madje edhe sikur të sillnin edhe një të dytë si ai në ndihmë të tij.” Kefh, 109.

Ndërsa në një tjetër thotë:

“وَلَوْ أَنَّمَا فِي الْأَرْضِ مِن شَجَرَةٍ أَقْلَامٌ وَالْبَحْرُ يَمُدُّهُ مِن بَعْدِهِ سَبْعَةُ أَبْحُرٍ مَّا نَفِدَتْ كَلِمَاتُ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ”

“Dhe sikur të gjitha pemët në tokë të ishin pena dhe deti (botëror të ishte bojë për të shkruar) me shtatë dete (të tjerë) pas tij për t’iu shtuar atij, prapëseprapë Fjalët e Allahut nuk do të shteronin. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.” Llukman, 27.

3. Thamë: “Mbi Muhamedin”; me këtë gjymtyrë të përkufizimit kuptojmë se këtu është përjashtuar ajo që i është zbritur profetëve të tjerë përpara tij, si Teurati, Ungjilli etj.

4. Thamë: “Me leximin e të cilit adhurohet Allahu”; me këtë gjymtyrë të përkufizimit përjashtohet hadithi Kudsij dhe këtu duhet të kemi parasysh dy gjëra:

a) Se fjala e Allahut, Kurani, është që e lexojmë në namaz dhe pa të cilin ai nuk pranohet. Argument për këtë është hadithi i Profetit (salallahu alejhi ue selem), ku thuhet:

” لا صلاة لمن لم يقرأ بفاتحة الكتاب”

“Nuk ka namaz për atë që nuk e lexon Fatihanë (hapjen e librit).” Buhariu dhe Muslimi.

b) Se shpërblimi që merr nga leximi i Kuranit, nuk e merr në leximin e ndonjë libri tjetër. Na kanë ardhur shumë argumente që na tregojnë për vlerën e leximit të Kuranit dhe që e dallojnë atë nga leximet e tjera. Nga Ibnu Mesudi transmetohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

” من قرأ حرفا من كتاب الله فله به حسنة، و الحسنة بعشر أمثالها، لا أقول آلم حرف و لكن الف حرف و لام حرف و ميم حرف ”

“Kush lexon një shkronjë nga libri i Allahut, për të ka një të mirë, e cila shtohet dhjetëfish. Nuk them elif lam mim një shkronjë, porse elif një shkronjë, lam një shkronjë dhe mim një shkronjë.” Tirmidh sahih.

Thamë: “i mrekullueshëm edhe me suren më të shkurtër të tij”; sepse askush nuk mund të vijë me një të ngjashëm si ai, apo qoftë edhe me suren më të vogël të tij.

Dallimet midis Kuranit dhe hadithit kudsi

Mbas kësaj që thamë pak më parë e shohim të arsyeshme që të përmendim disa dallime midis Kuranit dhe hadithit kudsi, që të mos mendoj dikush prej nesh se dallimi midis tyre është i kufizuar vetëm në atë që thamë pra, se me leximin e Kuranit shpërblehemi dhe me leximin e haditheve kudsi jo.

Atëherë, kemi midis tyre dallime të shumta që i kanë përmendur ato dijetarët dhe ne do të përmendim disa prej tyre.

1. Allahu subhanehu ue teala i ka sfiduar njerëzit që të vijnë me një të tillë ose me dhjetë sure si ai, ose me një sure të vetme, por nuk mundën, ndërsa për hadithin kudsi nuk ka ardhur sfidim.

2. Kurani është nga Allahu si në shprehje ashtu edhe në përmbajtje, ndërsa hadithi kudsi përmbajtjen e ka nga Allahu dhe ky mendim është i përkrahur nga të gjithë dijetarët, ndërsa për shprehjen nuk janë të një mendimi.

3. Me leximin e Kuranit në kryejmë adhurim dhe shpërblehemi, sikur dhe e përmendëm më lart në dy pika, ndërsa për hadithin kudsi nuk është përmendur për leximin e tij shpërblim si leximi i Kuranit.

4. Ndalohet që Kurani të transmetohet me përmbajtje dhe nuk ndalohet një gjë e tillë për hadithin kudsi.

5. Pjesa më e madhe e dijetarëve kanë bërë kusht që Kurani të lexohet duke qenë i pastër, gjë e cila kjo nuk është kusht kur do të lexosh hadithin kudsij.

6. Kurani është i përcjellë në të gjitha kohërat në mënyrë të pa kufizuar (muteuatir)([1]), kështu që ai është pohim i formës së prerë, si në ajetet, suret, shkronjat dhe të gjitha elementet përbërës të tij. Ndërsa shumica e hadithit kudsij na ka arritur në rrugë të kufizuara (ahad)([2]) dhe është pohim i supozuar.

7. Kurani i është shpallur Profetit me shpallje të qartë, me anën e Xhebrailit, duke mos qenë në gjumë dhe as në formë frymëzimi (inspirim). Ndërsa hadithi kudsij i zbret me shpallje të qartë dhe të fshehtë.

Ndërsa në lidhje me atë që ka transmetuar Enes ibn Malaik se një ditë Profeti ishte mes nesh kur papritur u përmend dhe ngriti kokën duke buzëqeshur. Ne e pyetëm: “Ç’të bëri të qeshësh, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Tani sa më zbriti një sure” dhe lexoi: “Bismilahi Rrahmani Rrahim. Ne, vërtet të dhuruam ty (O Muhammed) El Keuther (lumë në xhenet ose të gjitha të mirat). Kështu pra, falu për Zotin tënd dhe bëj kurban (vetëm për Të). E ai i cili të urren ty, mu ai është i përjashtuar (nga çdo trashëgimi dhe nga çdo e mirë në këtë botë dhe në Jetën e Përtejme).” Muslimi.

Në realitet kjo e përmendur nuk është gjendje gjumi, porse ndoshta ajo është gjendje që kalon Profeti kur i vjen shpallja, sepse siç e dimë që llojet e shpalljes dhe gjendjet e Profetit me to ndryshojnë, saqë ka pasur raste që atij i dilnin djersë në dimër, si shkak i gjendjes të cilën ai kalonte kur i zbriste shpallja.

8. Disa fjali të Kuranit quhen ajete dhe grup fjalish quhen sure, ndërsa te hadithi kudsi nuk ka ajete dhe sure dhe ky është mendim i përbashkët i dijetarëve.

9. Ne kur fillojmë të lexojmë Kuran e fillojmë me Eudhu… dhe Bismilah dhe nuk veprojmë kështu me hadithin kudsi.

Emrat dhe cilësitë e Kuranit

Kurani ka shumë emra dhe cilësi të cilat përmenden në disa ajete dhe hadithe të Profetit, por midis dijetarëve nuk ka një mendim unanim për numrin e emrave të Kuranit.

Nga emrat e Kuranit janë:

1. El Kuran; e përmendur në fjalën e Allahut:

إِنَّهُ لَقُرْآنٌ كَرِيمٌ

“Ky është një Kuran i nderuar.” Uakia, 77.

2. El Kitab –Libri; i përmendur në fjalën e Allahut në suren Bekare, ajeti 2:

ذَلِكَ الْكِتَابُ لاَ رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ

“Ky është Libri (Kurani) mbi të cilin nuk ka asnjë dyshim.”

3. Edh-Dhikër-Përkujtim; që e gjejmë në suren Hixhër, ajeti 9:

إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ

“Vërtet Ne, jemi Ne që e kemi zbritur Përkujtimin (Kuranin) dhe padyshim që Ne do të jemi Gjithruajtës të tij.”

4. El Furkan-Dallues:

تَبَارَكَ الَّذِي نَزَّلَ الْفُرْقَانَ عَلَى عَبْدِهِ لِيَكُونَ لِلْعَالَمِينَ نَذِير

“Lartësuar me Madhështi qoftë Ai i Cili zbriti Kriterin e së Vërtetës (Kuranin) te robi i Tij, që të jetë këshillues për gjithë botën.” Furkan, 1.

5. En Nur-Drita :

فَآمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَالنُّورِ الَّذِي أَنزَلْنَا

“Kështu që besoni pra Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe në Dritën (Kuranin) të cilin Ne e kemi zbritur.”

Nga cilësitë e tij janë:

1. El Mubarek – I Bekuar :

وَهَـذَا كِتَابٌ أَنزَلْنَاهُ مُبَارَكٌ

“Dhe ky (Kurani) është një Libër i bekuar …” Enam, 92.

2. Huda – Udhëzues:

هُدًى وَرَحْمَةً لِّلْمُحْسِنِينَ

“Udhëzues dhe mëshirë përkujtimi për Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugën e Allahut).” Llukman, 3.

3. El Kerim – I nderuar:

إِنَّهُ لَقُرْآنٌ كَرِيمٌ

“Ky është një Kuran i nderuar.” Uakia, 77.

4. El Hakim – I urtë:

لر تِلْكَ آيَاتُ الْكِتَابِ الْحَكِيمِ

“Elif, Lam, Ra. Këto janë Vargjet e Librit (Kuranit) të Urtë.” Junus, 1.

5. El Fasël – Ndarës:

إِنَّهُ لَقَوْلٌ فَصْلٌ

“Vërtetë që ai (Kurani) është Fjala ndarëse (e së vërtetës nga e pavërteta).” Tarik, 13.

Urtësia e shumëllojshmërisë së emrave të Kuranit

Dijetarët (Allahu i mëshiroftë!) na e kanë qartësuar ne urtësinë në numërimin e emrave të Kuranit dhe ka thënë Fejrruz Abadi (Allahu e mëshiroftë!) me përmbledhjen e fjalës së tij: “Dija se emrat e shumtë tregojnë për vlerën e të quajturit ose përsosmërinë e tij. Shohim se emrat e Ditës së Gjykimit janë të shumtë dhe kjo na tregon për vështirësitë e shumta të saj. Gjithashtu emrat e Allahut tregojnë për Përsosmërinë dhe Kryelartësinë e Tij, pra edhe emrat e shumtë të Kuranit tregojnë për vlerën dhe mirësinë e tij.”

Origjina e emrave të Kuranit

Emrat dhe cilësitë e Kuranit janë të lartësuara, nuk mund t’i emërtojmë apo cilësojmë vetëm se si na kanë ardhur në të (Kuranin) apo në sunetin e Profetit alejhi selam.

Dallimi midis Mus’hafit dhe Kuranit

Nëse do të pyesje, po a është përmendur me një emërtim të tillë Kurani në Librin e Allahut dhe sunetin e profetit?

Do të thosha se:

1. Muas’haf nuk është emër i Kuranit në qenien e tij, si fjalë e Allahut, por ai është emër i fletushkave në të cilat është shkruar ai.([3])

2. Dëgjojmë dijetarët që flasin për gjykimin e shitjes së muas’hafit dhe nuk thotë dikush prej tyre shitja e Kuranit. Kurani është fjala e Allahut, ndërsa mus’hafi, ai është nga puna e njeriut që me të cilën kërkojnë riskun hallall.

3. Gjithashtu nuk lejohet për ne që të shprehim emrin e Kuranit në shumës, sepse Kurani është një dhe nuk ndryshon si mus’hafet, ndërsa për emrin mus’haf lejohet që të themi për (mus’hafet), sepse ato ndryshojnë nga njeri-tjetri në madhësi pamje etj.

4. Mund të shtojmë një shembull tjetër këtu se ne nuk duhet të themi p.sh.: Kurani i Uthmanit apo Kurani Aliut apo Kurani Ubeje ibn Keabit, ndërsa mus’haf lejohet që të themi mus’hafi i Uthmanit apo mus’hafi i Aliut, mus’hafi Ubeje ibn Keabit, mus’hafi i ibn Mesudit, Zoti qoftë i kënaqur me ta të gjithë, sepse mus’hafi është nga puna e tyre dhe jo Kurani.

Frytet që arrijmë nga shkencat e Kuranit

1. Lehtësimi i shpjegimit të Kuranit, shkencat e tij janë çelësi i derës së tefsirit, pra shpjegimit të Kuranit, nuk lejohet për ndonjërin nga ne të shpjegojë Kuranin para se të mësojë shkencat e tij.

2. Njohja e sakrificës së madhe që kanë dhënë të parët tanë në mësimet e Kuranit dhe kujdesja e madhe e tyre për të dhe shkencat e tij.

3. Pajisja me njohuri dhe aftësi me anën e të cilave mundesh ta mbrosh këtë libër kundër atyre që flasin keq për të dhe hedhin dyshime ndaj tij, si dhe ndaj armiqve të kësaj feje.

4. Marrja e mësimeve të ndryshme ndaj këtij libri, ose mund ta themi ndryshe se nuk i takon një muslimani të mos e njohë apo të mos dijë gjë ndaj librit të tij.

Përgatiti: Bledar Haxhiu
Burimi Jetës

[1]. Muteuatir, konsiderohet çdo lajm i cili përcillet nga një numër i shumtë njerëzish, ku është e pa imagjinueshme rënia dakord e tyre për të gënjyer.

[2] – Ahad, konsiderohet çdo lajm që nuk i përmbush kushtet e muteuatirit.

[3] . Duhet të dimë se Kurani është emërtuar me një emër të tillë menjëherë pas mbledhjes së Kuranit në një libër të vetëm në kohën e Ebu Bekrit. Mus’haf rrjedh nga emri safha (fletë) shumësi i të cilit është suhuf, ndaj dhe e emërtuan atë mesahif, që d.m.th.: fletushka të mbledhur në një libër të vetëm.

Must Read