BallinaARTIKUJHadith dhe SunetSHPËRBLIMI PËR ATË QË NIS NJË TRADITË TË MIRË NË ISLAM..

SHPËRBLIMI PËR ATË QË NIS NJË TRADITË TË MIRË NË ISLAM..

AI QË NIS NJË TRADITË TË MIRË NË ISLAM…

Domethënia e hadithit “Ai që nis një traditë të mirë në Islam…”

Nëse të thuhet si i përgjigjesh ose si e shpjegon hadithin: “Ai që nis (ligjëson) në Islam një traditë të mirë, do ta ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që veprojnë në përputhje me të deri në Ditën e Kiametit.”[1] … kur dihet se folja nis (ar. senne) e ka kuptimin e ligjësimit (ar. sherea)?

Përgjigjja: Ai që ka thënë: “Ai që nis (ligjëson) në Islam një traditë të mirë, do ta ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që veprojnë në përputhje me të deri në Ditën e Kiametit.”, është po ai që ka thënë: “… çdo bidat është humbje…” Sakaq, nga Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk imagjinohet të thuhen fjalë që nuk harmonizohen me njëra-tjetrën, aq më pak ta kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Ata që mendojnë se ka mospërputhje ndërmjet ajeteve kuranore apo ndërmjet thënieve profetike, le ta korrigjojnë veten e tyre, për shkak të peshës së rëndë që bart ky mëkat, përndryshe, kurrë nuk mund të ekzistojë as dhe kundërthënia më e vogël ndërmjet fjalëve të Allahut të Lartësuar apo ndërmjet thënieve të Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem.

Nëse këtë e kemi të qartë, atëherë nuk ka kundërthënie ndërmjet hadithit: “Ai që nis (ligjëson) në Islam një traditë të mirë, do ta ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që veprojnë në përputhje me të deri në Ditën e Kiametit.” dhe hadithit “… çdo bidat është humbje…” flet fakti se me hadithin: “Ai që nis (ligjëson) në Islam një traditë të mirë…” nuk synohen risitë (bidatet), ngase bidatet nuk janë pjesë e Islamit. Gjithashtu, në hadith tradita është përshkruar e mirë, sa kohë që bidatet nuk mund të jenë të mira. Ndërkaq, mes Sunetit dhe bidatit ka dallim të thellë.

Ka dhe një përgjigje tjetër, e cila, mbase, mund të merret për argumentim. Është thënë se me fjalën nis apo ligjëson është për qëllim ringjallja e një suneti të qenë, por që është harruar ose është rralluar praktikimi i tij. Kështu, bazuar në këtë, ligjësimi (ar. es-sennu) është shtesë relative, siç është edhe bidati shtesë relative për atë që ringjall një sunet, që më parë është lënë ose është braktisur.

Ka dhe një përgjigje të tretë, në të cilën aludon shkaku i thënies së hadithit. Fjala është për rrëfimin e një grupi njerëzish që erdhën tek i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ndërkohë që ishin në skamje dhe në mjerim të madh. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i ftoi besimtarët të solidarizoheshin me ta. Një medinas erdhi duke sjellë një bohçe me argjend, që mezi e mbante në duar. E pruri dhe e vendosi para të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ndërsa fytyra e tij shndriste nga gëzimi dhe lumturia. Atëherë tha: “Ai që nis (ligjëson) në Islam një traditë të mirë, do ta ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që veprojnë në përputhje me të deri në Ditën e Kiametit.”[2]

Kështu, ligjësimi (ar. es-sennu), në këtë kontekst, e ka kuptimin e zbatimit dhe ekzekutimit të një vepre, e jo të vendosjes ose ligjësimit të saj. Rrjedhimisht, domethënia e hadithit është ai që kryen një vepër të ligjësuar, e jo ai që ligjëson a sjell një vepër të re, ngase ligjësimi është i ndaluar sepse “… çdo bidat është humbje…” .

Burimi:
burimijetes.info
Muhammed ibn Salih El-Uthejmin
Përktheu: Dr. Sedat Islami

Must Read