SHPRESA MË E MIRË

SHPRESA MË E MIRË

Allahu i madhëruar thotë: “Tregoju atyre shembullin e jetës së kësaj bote! Ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli dhe bima e tokës e thith atë. Por më pas ajo bëhet si bar i thatë, që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për gjithçka. Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira, që mbeten gjithmonë, janë më të mira te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” El kehf 45, 46.

Shpjegimi i ajeteve

Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit në radhë të parë dhe pastaj të gjithë atyre që janë trashëgimtarë të tij, me një porosi të vyer:

“Tregoju atyre shembullin e jetës së kësaj bote!”

Jepu njerëzve një shembull të qartë të kësaj bote, që ata ta kuptojnë drejt atë. Duke medituar, ata do të arrijnë të shohin qartë edhe thelbin e kësaj bote. Nëse bëjnë një krahasim të saktë mes kësaj jete dhe jetës së përtejme, do t’i japin përparësi asaj që vërtet e meriton.

“Ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli dhe bima e tokës e thith atë.”

Kjo botë është si ai shiu i dendur që bie në tokë dhe përthithet me etje nga bimët e saj. Kështu, në tokë çelin larmi lulesh e bimësh. Në këtë gjendje, ajo i kënaq ata që e shohin dhe që presin prodhim prej saj. Madje, ajo tërheq edhe vëmendjen e më të shkujdesurve. Por vjen një çast dhe asaj i ndodh diçka, që duhet të na bëjë të mendojmë mirë. Zoti thotë:

“Por më pas ajo bëhet si bar i thatë, që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për gjithçka.”

Në çast, gjithë ajo bimësi e lule të bukura zhduken, toka shkretohet e mbushet me dhé e pluhur, me pamje të shëmtuar. Zemra ndihet e vetmuar dhe e trishtuar kur sheh këtë panoramë pa jetë. E tillë është jeta e kësaj bote. Njeriu vetëkënaqet me rininë dhe forcën e tij në një fazë të caktuar. Ai ndien shijen dhe rëndësinë e floririt dhe argjendit dhe jepet pas kënaqësive të kësaj jete. Kështu fillon kjo botë t’ia verbojë pak e nga pak zemrën, derisa ai harrohet pas dëshirave të epshit, të cilat bëhen gjithmonë e më të pangopura.

Ky i mjerë mendon se kështu do të vazhdojë e gjithë jeta e tij në këtë botë. Por vjen një ditë dhe ai befasohet nga vdekja ose nga humbja e pasurisë. Kjo ia torturon zemrën dhe ia largon tërësisht kënaqësinë dhe gëzimin. Në këtë moment, ai i harron të gjitha kënaqësitë e tij të dikurshme. Çdo ditë që kalon, ai plaket dhe zemra e tij dëshpërohet. Ai ndihet i vetmuar kur sheh se si po fanitet rinia e tij, si po humbet pasuria e tij. Kështu, ai mbetet i vetmuar me veprat e tij, të mira apo të këqija qofshin. Kur largohet nga kjo botë, zullumqari kafshon duart e veta, pasi kupton se ku po shkon, duke dashur dëshpërimisht që të kthehet në këtë botë. Ai dëshiron të kthehet, jo për të plotësuar dëshirat dhe kënaqësitë e tij, por që të arrijë të kompensojë adhurimet e braktisura dhe atë çfarë kërkohej prej tij në këtë botë. Ai dëshiron që t’i jepet mundësia të pendohet dhe të bëjë vepra të mira.

Për këtë arsye, ai që është i urtë, me logjikë të pastër, që ka vullnet të mirë për të gjetur udhëzimin dhe nëse Zoti ia bën mbarë, fillon dhe e mendon këtë çështje. Ai i thotë vetes: “Mendoj se ti tashmë po vdes, – dhe pa dyshim që do të vijë ajo ditë që të gjithë do të vdesin, – atëherë çfarë do të preferoje për veten? A do të parapëlqeje, vallë, vetëmashtrimin me jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj? A do të dëfreheshe e bëje qejf, ashtu siç kënaqen bagëtitë dhe egërsirat? Apo do të preferoje jetën në atë vend të mrekullueshëm, ku ushqimi dhe hijet e freskëta janë të përhershme? Atje ka çfarë syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as mendja nuk ka shkuar e as përfytyruar. Atje ka çdo gjë që kënaq syrin dhe lumturon zemrën. Kështu dallohet, a e shikon njeriu realitetin apo vazhdon të jetë i verbër; a është duke fituar apo duke humbur? Shiko, o rob i Zotit, se kujt i jep përparësi dhe kujdes me zgjedhjen që bën!

“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote.”

Asgjë më shumë nuk të ofrojnë këto gjëra. Ato janë thjesht stoli të kësaj bote, që do të përfundojnë e zhduken. Ajo që mbetet gjithmonë dhe që e gëzon njeriun është puna e mirë dhe shpërblimet, që do të mbeten edhe pas vdekjes.

“Por veprat e mira, që mbeten gjithmonë, janë më të mira te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.”

“Vepra të mira që mbeten” përfshin të gjitha ato vepra që bëhen në bindje ndaj Allahut, qofshin ato të detyrueshme, qofshin të pëlqyeshme, qofshin vepra që kanë lidhje me detyrimet ndaj Zotit, qofshin vepra që kanë lidhje me detyrimet ndaj krijesave. Të tilla janë, për shembull: namazi, zekati, sadakaja, haxhi, umreja, shprehjet “subhanallah, elhamdulilah, la ilahe, il-l-Allah, Allahu Ekber”, leximi i Kuranit, kërkimi i dijes së dobishme, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga të këqijat, mbajtja e lidhjeve farefisnore, bamirësia ndaj prindërve, përmbushja e detyrimeve ndaj bashkëshortes e familjes, madje edhe bamirësia ndaj kafshëve e natyrës dhe të gjitha krijesave. Të gjitha këto janë “vepra të mira që mbeten”. Të gjitha këto kanë vlerë të madhe dhe janë shumë më të shpërblyeshme nga Zoti. Shpërblimi i tyre mbetet dhe shumëfishohet me kalimin e kohës. Shpresohet që edhe në jetën e kësaj bote edhe në ahiret, shpërblimi i tyre të ketë dobi.

Mendohu pak për shembullin që Zoti sjell për këtë botë! Ai përmend dy lloje mirësish, që mund të shijohen dhe të fitohen në këtë botë:

1. Ato mirësi me të cilat njeriu kënaqet njëfarë kohe dhe pastaj ato largohen, pa i lënë atij asnjë dobi, madje edhe mund të bëhen shkak për dënimin e tij në këtë jetë dhe në tjetrën. Të tilla janë, për shembull, pasuria e fëmijët, nëse nuk trajtohen në mënyrën e duhur.

2. Lloji i dytë janë ato vepra të mira që kryhen gjatë jetës së kësaj bote dhe të cilat i sjellin njeriut dobi të vazhdueshme. Këto janë “veprat e mira që mbeten”.

Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli
Burimijetes.info

Must Read