Si t’i lutemi Allahut?6 min read

0
594

Si t’i lutemi Allahut?

Pyetja:

Selam alejkum.

Desha t’ju pyes për disa gjëra.
1. Unë par disa muajsh kam hyrë në fe dhe nuk di pothuajse asgjë, veç nga web faqja juaj po lexoj edhe el Buharin. Çfarë duhet bërë kur femra është në perioda, a duhet marrë abdest dhe thënë duatë e paragjumit apo çka duhet të bëj?

2. Kur zhvishemi për të fjetur, rrobat ditore a duhet t’i palosim apo si i zhvesh ashtu duhen lënë… me një fjalë lëmsh. Po nëse i palos për shumë vite ndërsa që 4 ose 5 vite herë i palos e herë jo?

3. Si me iu lut Allahut që të na bëjë prej besimtareve të sinqerta, a guxojmë me iu lut për këtë gjë dhe a mundem për shembull me namaz të istihares e pas kësaj të them edhe dua të tjera çfarë di edhe me u lut shqip apo çfarë duhet bërë?

Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Motër e nderuar, ju përshëndesim me selam dhe ju urojmë për këtë fillim të ri në raport me fenë tuaj, vërtet mësimi i fesë është një begati me të cilën njeriu arrin shpëtimin në këtë botë dhe botën tjetër. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “ Atij që Allahu ia dëshiron të mirën e bën ta kuptojë fenë” (shënon Buhariu dhe Muslimi).

Në vazhdim do u përgjigjemi pyetjeve tuaja:

1. Thënia e lutjeve të mëngjesit, të mbrëmjes, para gjumit dhe në përgjithësi duatë të cilat thuhen gjatë kohëve dhe situatave të ndryshme, për femrën me të përmuajshme është e lejuar dhe në këtë menstruacionet nuk janë pengesë. Madje asaj i preferohet që të vazhdoj me thënien e këtyre lutjeve në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Pastaj nuk është kusht e as e parapëlqyer gjithashtu që femra me menstruacione të marrë abdest para thënies së këtyre lutjeve.

Për ta plotësuar shtjellimin e kësaj meseleje themi se disa dijetarë islamë kanë thënë se gruas me menstruacione i preferohet që para gjumit të marrë abdest. Ata kanë bërë analogji (kijas) me personin xhunub, i papastër (gjendja pas marrëdhënieve seksuale), pasi që personit të këtillë i preferohet që para gjumit të merr abdes, ata kanë thënë njashtu edhe femra me të përmuajshmet i preferohet abdesi para gjumit. Mirëpo ky qëndrim nuk është i drejtë për faktin se gruaja me menstruacione ka rrjedhje gjaku të vazhdueshme dhe nuk ka kurrfarë peshe a mori abdest apo jo, ndërsa gjendja e personit xhunub dallon.[1]

2. Nuk kemi hasur në ndonjë citat nga tekstet fetare në lidhje me rregullimin e rrobave para gjumit, por pavarësisht kësaj dihet se Islami nxit për rend, që çdo send të vendoset në vendin e vet. Me fjalë të tjera, feja jonë nuk e do që njeriu ta ketë jetën rrëmujë, por t’i ketë gjërat të rregulluara dhe të renditura. Prandaj praktika e rregullimit të rrobave para fjetjes ka të bëjë me etikën dhe moralin islam.

3. Lutja është thelbi i adhurimit të besimtarit, Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Lutja (duaja) është pikërisht adhurimi”.[2]

Në fakt lutja është dhuntia më e madhe me të cilën Zoti i Madhërishëm e begatoi njeriun. Me dua besimtari i drejtohet Krijuesit të Gjithëdijshëm, me lejen e vullnetin e të Cilit realizohet çdo gjë në këtë botë. Me të besimtari qëndron larg dështimit, dhe pa të nuk mund të arrijë sukses. Me një fjalë duaja duhet të jetë mjeti i parë dhe i fundit për besimtarin përkrah planeve dhe veprave të tij. Zoti i Gjithëdijshëm thotë:

“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (Bekare, 186)

Besimtari nuk duhet të ngurojë asnjë çast nga lutja e Krijuesit të tij, ashtu si nuk duhet të ngurojë ta lus për çdo punë të hairit dhe të suksesit. Ndërsa lutja e Zotit të Madhërishëm, të na bëjë nga besimtarët e devotshëm e të sinqertë është një nga ato lutje të cilat më së shumti duhet të thuhen, pavarësisht në çfarë situate dhe çfarë vendi. Imam Muslimi në koleksionin e tij shënon se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, shpeshherë e bënte këtë lutje:

“Zoti im , kërkoj mbrojtje nga dobësia, ose përtacia, nga frika e tepruar, nga koprracia, pleqëria e thellë dhe vuajtja e varrit. Zoti im, jepi shpirtit tim devotshmëri (bindje), pastroje, sepse Ti e pastron atë më së miri, Ti je Miku dhe Mbrojtësi i tij. O Zoti im, më ruaj nga dituria e cila nuk ka dobi, nga zemra, që nuk ka devotshmëri, nga epshi i pangopur dhe lutja e cila nuk pranohet.”

Gjithashtu nga Muslimi shënohet edhe kjo lutje profetike:

“O Allahu im, më jep udhëzim, devotshmëri, shëndet dhe pasuri”.

Ndërsa Tirmidhiu e shënon këtë lutje të bekuar të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të:

“O Zoti ynë, na jep devotshmëri e cila do të na ndaj në mes nesh dhe veprave të këqija, na jep bindje e cila do të na futë në xhenet, jepna bindje e cila do të na lehtësoj problemet e kësaj bote. O All-llahu im, na forco veshin dhe syrin tonë, na jep fuqi sa të jemi gjallë, na jep pasardhës, na mundëso që t’ua kthejmë atyre që na kanë bërë padrejtësi, na ndihmo kundër armiqve tanë, mos na jep mossukses në fenë tonë dhe që kjo botë të jetë preokupim themelor, dhe mos lejo që me të, të udhëheqin (sundojnë) ata që nuk kanë mëshirë ndaj neve.”

Thënia e lutjeve të këtilla nuk ndërlidhen vetëm me momente dhe raste të veçanta ashtu si ju e përmendni namazin e istiharës, por ato thuhen në çdo vend, në çdo situatë dhe gjithsesi edhe me gjuhën amtare. Namazi i istihares falet atëherë kur njeriu është në dilemë për ndonjë vendim dhe ka më shumë se një opsion të mundshëm, nuk di cila është më e dobishme për të. Besimtari në këtë rast i fal dy rekate dhe i drejtohet Zotit të Gjithëdijshëm që t’i japë sukses dhe ta marrë vendimin më të qëlluar. Ndërsa lutja e Zotit për udhëzim, devotshmëri, sinqeritet, pastrim të besimit, etj. nuk ndërlidhet me shkakun e faljes së namazit të istiharës. Zoti e di më së miri!

Hoxhë Alaudin Abazi

[1] “Fet`hul Bari”, vëll. I, f. 395; “Sherhul Muslim”, vëll. III, f. 218.
[2] Shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët.