Siesta dhe mrekullia profetike
Një ndër porositë e shumta profetike është edhe përkujdesja për gjumin e pasdites ‘kajlula’, siç e njohim ne në fjalorin fetar, ose ‘siesta’, siç njihet ndryshe në shëndetësi.
Gazeta ‘Telegrafi ’ në këndin e shëndetësisë ka publikuar një artikull me titull: “Pse gjumit tonë i pëlqen gjumi i pasdites”, në të cilin nënvizohen dobi shëndetësore të gjumit të pasdites. Në fakt, përveç që shpjegohet se nuk ka nevojë të jetë edhe aq i gjatë, aq sa edhe fetarisht preferohet, siç do të shpjegojmë pak më poshtë, artikulli konstaton se të dobitë nuk kanë të bëjnë vetëm me shëndetin fizik, por edhe me atë psikik, madje me këtë të fundit edhe më shumë. Ja dobitë në fjalë:
1. Vëmendja më e mirë
2. Mësojmë dhe mbajmë mendje në mënyrë më kualitative
3. Jemi më kreativ
4. Produktiviteti në kulm
5. Të menduarit pozitiv
6. E largojmë stresi
Thënë të drejtën, nuk është hera e parë që kajlula ose siesta studiohet ky këndvështrim shëndetësor. Hulumtime dhe studime përkitazi me të janë kryer edhe më parë , por që për publikun tonë nuk kanë qenë edhe gjithaq të njohura.
Siç përmendëm edhe më lart, gjumi i mesditës, është traditë fetare. Janë përmendur disa raste që dokumentojnë këtë praktikë si traditë fetare.
Enes Ibn Maliku transmeton nga Ummu Haram [Allahu qoftë i kënaqur me të dy!] se Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!] kishte qenë një ditë në shtëpinë e saj ku kishte fjetur pak gjatë ditës ndërsa ishte zgjuar nga gjumi duke qeshur. E pyeta (rrëfen Ummu Haram): O i Dërguari i Allahut! Çfarë të bën të qeshësh? Tha: Po qeshi me një grup nga ummeti im, të cilën hipin (lundrojnë) në det si të ishin mbretër në frone! O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun të jem edhe unë prej tyre! Ti je prej të parëve! – iu përgjigj ai.”
Enesi po kështu transmeton se Muhammedi [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!] ka thënë:
“قيلوا فإن الشياطين لا تقيل
Flini në mesditë ngase djajtë nuk flenë!”
‘Kajlula’ ka qenë traditë e myslimanëve të parë. Sahabet [Allahu qoftë i kënaqur me ta!], siç rrëfen Enesi, kanë thënë: “Ne shkonim herët në xhuma (e falnim sapo hynte koha), për të pushuar pas saj!”
Ja disa nga karakteristikat e ‘kajlulës’ sipas shpjegimeve fetare:
‘Kajlula’ aplikohet apriori si respekt dhe shenjë dashurie për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin [Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!]
‘Kajlula’ është në mesditë, ndërmjet namazit të drekës dhe atij të ikindisë. Pas namazit të ikindisë nuk preferohet gjumi.
‘Kajlula’ jo domosdo nënkupton edhe gjumin. Edhe në artikull thuhet se nuk ka nevojë të jetë i gjatë apo edhe të jetë gjumë i thellë. Mjafton të mbyllësh sytë dhe të pushosh. Ndryshe, siç vërtetën Dr. Jusri Abdul Muhsin, në rast të zgjatjes së gjumit në dy orë e më shumë, atëherë pasojat mund të jenë negative. Më konkretisht, mund të ketë efekte të këqija për gjumin gjatë natës.
‘Kajlula’ është si një mjet për të përforcuar besimtarin për adhurim, qoftë për namaz nate, pra, që të ketë ‘vëmendjen’ e duhur gjatë faljes, apo edhe për agjërim.
‘Kajlula’ është bërë për ta mbrojtur veten nga vapa e madhe. Namazi i drekës shtyhej për një kohë, derisa vapa zbutej paksa, për tu falur më pas që të gjithë me xhemat. Kjo traditë bënte përjashtim vetëm ditën e xhuma, kur namazi falej së pari, e pastaj pushohej. Këtë e kuptojmë dhe nga hadithi i Enesit, që e cituam lart: “Ne shkonim herët në xhuma (e falnim sapo hynte koha), për të pushuar pas saj!” Pra, ata e falnin xhumanë sapo hynte koha ndërsa ditëve tjera e shtynin drekën.
Ky është Islami, të cilin, mjerisht ende nuk kanë arritur ta zbulojnë as shumë myslimanë!
Përgaditi: Hoxhë Sedat Islsmi