BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirSynimet e larta dhe çështjet e rëndësishme të Kuranit

Synimet e larta dhe çështjet e rëndësishme të Kuranit

RRETH PËRMBAJTJES SË KURANIT

Allahu i Madhëruar thotë:

“Ha, Mim! Shpallja e Librit është prej Allahut, Krenarit, të Gjithëdijshmit, Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që ndëshkon ashpër, si dhe prej Dhuruesit e Bamirësit të madh. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.”

– Në ajet flitet për Shpalljen e Allahut të Madhërishëm, për Librin e Tij. Kurani është Shpallja e të Madhëruarit, të vetmit që meriton adhurimet, sepse Ai është i vetmi Absolut, i Plotë, i Pakrahasueshëm dhe i Pashembullt në veprat e Tij.

Allahu është El Azizu – Krenari, i Cili, me krenarinë e Tij, ka nënshtruar e mposhtur çdo krijesë. Ai është El Alim – i Gjithëdituri, Gafiru Dhenbi – Falës i gjynaheve për ata që gabojnë e Pranues i pendimit për ata që pendohen.

Por Allahu është edhe Shedidul Ikab – Ndëshkues i rreptë për këdo që ka paturpësinë të zhytet në gjynahe dhe nuk pendohet prej tyre. Ai është Dhuttauli – Dhurues e Bamirës i madh, i Cili ka përfshirë gjithçka me bamirësinë e Tij.

Pas gjithë këtyre pohimeve për Veten e Vet, Allahu i Madhëruar tregon se është i vetmi që meriton adhurimin dhe të Cilit duhet t‟i përkushtohen veprat me sinqeritet të plotë:

– “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.” – Ekziston një lidhje e ngushtë mes faktit që Kurani është shpallur prej Allahut dhe përmendjes së këtyre emrave dhe cilësive të Tij të mrekullueshme. Këta emra e cilësi janë pikërisht lënda që përmban dhe shtjellon Kurani i shpallur nga i Madhërishmi, sepse Kurani është:

1. ose prezantim i Emrave, Cilësive dhe Veprave të Allahut, sikurse ndodh në fillim të kësaj sureje;

2. ose rrëfim i ngjarjeve të panjohura, që i përkasin të shkuarës e së ardhmes, të cilat vijnë nga i Gjithëdijshmi;

3. ose përshkrim i mirësive e begative të mëdha të premtuara nga i Madhërishmi, duke treguar urdhrat e porositë nëpërmjet të cilave arrihen këto mirësi, të cilat, në ajetin e mësipërm, i gjen te dhënia e emrit të Tij Dhuttauli – Dhurues e Bamirës i madh, sepse nuk ka mirësi më të madhe për robërit, sesa Shpallja nga Mëshirëploti.

4. Në Kuran tregohet, gjithashtu, rreth zemërimit të Zotit dhe ndëshkimit të ashpër prej Tij, si edhe rreth atyre veprave që e shkaktojnë atë. Në ajetin në fjalë, këtë e tregon emërtimi Shedidul Ikab.

5. Kurani është ftesë drejtuar gjynahqarëve e gabimtarëve për pendim dhe kërkim faljeje. Në ajet, për këtë tregon emërtimi Gafiru Dhenbi – Falës i gjynaheve.

6. Kurani është pohim i faktit se Allahu është i vetmi Zot, që meriton dashurinë dhe madhërimin prej krijesave, duke sjellë për këtë të vërtetë argumente të shumta, duke ndaluar nga adhurimi i çdo gjëjë tjetër veç Allahut e duke dëshmuar se sa padrejtësi e madhe është idhujtaria, për ta urryer atë dhe për të kërcënuar ata që e ushtrojnë. Në ajetin në fjalë, këtë tregon fragmenti: “Lâ ilâhe il-lâ hû” – “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij”.

7. Kurani tregon, gjithashtu, ligjin e shpërblimit me drejtësi të Allahut, nëpërmjet të cilit Ai shpërblen vepërmirët dhe ndëshkon gjynaqarët e pabindur. Në ajetin e mësipërm, këtë tregon fjala e Tij: “…dhe tek Ai do të kthehen të gjithë”.

Këto janë synimet e larta dhe çështjet e rëndësishme të Kuranit, që përbëjnë lëndën e tij.

Tefsiri i Sadit
Përktheu: Uthman Agolli

Must Read