Të përmendurit e Allahut
Allahu i Lartësuar thotë: “Më përkujtoni mua (me adhurim), Unë ju përkujtoj ju (me shpërblim), më falënderoni dhe mos më mohoni.”
“O ju që besuat, përkujtojeni Allahun sa më shpesh!”
“Ata të cilët e përmendin shumë Allahun dhe ato që e përmendin shumë Allahun, Allahu ka përgatitur për ta falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.”
“Ti përmende Zotin tënd në vete (në heshtje) me respekt e me frikë, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bë prej atyre që nuk kanë kujdes.”
Nga fjalët e Pejgamberit alejhi selam veçojmë:
“Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij dhe i atij që nuk bën dhikër Zotin e tij është sikurse shembulli i të gjallit dhe i të vdekurit.”
“A dëshironi t’ju tregoj për veprën tuaj më të mirë, më të dashur te Sunduesi juaj, me të cilën fitoni shpërblimet më të larta tek Ai, veprën më të mirë sesa të shpenzoni ar dhe të holla dhe më të mirë sesa të luftoni armikun?” Ata thanë: “Po, si jo!” Tha: “Të përmendurit e Allahut.”
Një njeri erdhi te Pejgamberi alejhi selam dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, obligimet e fesë janë bërë shumë për mua (ngarkesë e tepërt), andaj më trego diçka së cilës do t’i përmbahem.” Pejgamberi alejhi selam i tha: “Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë nga dhikri i Allahu.”
“Kush ulet në një vend dhe nuk e përmend aty Allahun, atë do ta godasë përbuzja e Allahut dhe kush mbështetet në shtrat dhe nuk e përmend Allahun, atë do ta godasë përbuzja e Allahut.”
“S’është ulur një popull në një tubim në të cilin nuk është përmendur Allahu dhe nuk është dërguar përshëndetje (salavat) të Dërguarit të tyre, vetëm se i ka kapluar ata përbuzja e Allahut. Nëse dëshiron, i dënon e nëse dëshiron, ua fal.”
“Ata njerëz që ngrihen nga një tubim ku nuk e përmendin Allahun e Lartësuar s’janë ngritur ndryshe vetëm sikur të ishin një trup i ngordhur gomari dhe kështu kanë dështuar.”
Në një hadith kudsij thuhet: “Unë jam pranë robit Tim ashtu si më mendon: Nëse më përmend në vete, do ta përmend në veten Time, nëse më përmend ne grup, do ta përmend në një grup më të mirë se ai e nëse më afrohet një pëllëmbë, do t’i afrohem një krah (kut), nëse më afrohet një krah, do t’i afrohem një pash e nëse më vjen duke ecur, do t’i shkoj duke vrapuar.”
Përmblodhi: Eroll Rexhepi