BallinaARTIKUJHadith dhe SunetVeprat vlerësohen sipas nijetit(qëllimit)

Veprat vlerësohen sipas nijetit(qëllimit)

Sinqeriteti në punë

Prej Umer ibnul Hattabit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij është transmetuar të ketë thënë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) duke thënë:

“Punët janë sipas qëllimeve (nijjeteve) dhe çdo njeriu i takon ajo që ka patur për qëllim. Kush u shpërngul për Allahun dhe të dërguarin e Tij, shpërngulja e tij do të jetë për Allahun dhe të dërguarin e Tij. Ndërsa kush u shpërngul për ndonjë çështje të dynjasë që synon, apo për t’u martuar me ndonjë femër, atëherë shpërngulja e tij do të jetë për atë që synoi.“
Kuptimi i fjalës hixhret: kalimi nga vendi i kufrit në vendin e Islamit.
Transmetuesi i hadithit
Ai është sahabi i madh, prijësi i besimtarëve, Umer ibnul Hattabi ibnu Nufejl El Kureshi El Adeui (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). E ka pranuar Islamin përpara emigrimit. Ka qenë halifja i dytë. Hilafeti (udhëheqja) i tij ka zgjatur dhjetë vjet e gjysmë. Ra shehid në Dhul hixhe të vitit 23 h.

Kuptimi i përgjithshëm

Dijetarët kanë rënë dakord se nijeti është i domosdoshëm te punët, në mënyrë që të arrihet shpërblimi me kryerjen e tyre dhe se vendi i tij është zemra. Nuk kushtëzohet shqiptimi i tij.

Dobitë e hadithit

– Baza e pranimit të çdo pune në Islam është të qenët e nijetit i sinqertë për Allahun e Lartësuar dhe ndjekja e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

– Muslimani shpërblehet për punët e kësaj bote, nëse nijeti i tij është i mirë, duke qenë, në këtë mënyrë, të gjitha punët e tij adhurim për Allahun e Lartësuar. Shembull i kësaj është: mësuesi në mësimdhënie, nxënësi në mësim, nëpunësi në punë dhe tregtari në tregti. Këta, dhe të tjerë, llogariten në adhurim, nëse qëllimet i kanë të mira.

– Nëse muslimani ka për qëllim të bëjë një punë bamirëse, por nuk mundi ta kryejë, ai shpërblehet për qëllimin.

– Nijeti i sinqertë për Allahun është shkak i suksesit në dynja dhe ahiret.

Referenca: Libri “Hadithi”, f. 12-13
Përktheu: A. Ruka
http://burimijetes.info/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read