Vlera dhe etika e leximit të Kuranit
“Falënderimi i takon vetëm Allahut, që ia shpalli robit të vet librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie.” (Kehf, 1)
“Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (Isra, 9)
“Ne të shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.” 17:82.
”Ata që lexojnë librin e Allahu, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet.” 35:29
Libri i Allahut, në të ka rrëfime para jush, lajmërime se çka do të ndodhë mbas jush e kush kërkon udhëzim përveç tij Allahu do ta humbë atë, Ai është litari i fortë i Allahut, Libri i Tij përplot urtësi, rruga e Tij e drejtë, nuk munden epshet të devijojnë kur je me udhëzimin e tij, nuk mbështillen gjuhët me të. Nuk ngopen me studimin e tij dijetarët, nuk bëhet kurrë monoton duke e përsëritur shumë herë atë, nuk mbarojnë çudirat e Ti. Edhe xhinët, kur e dëgjuan, nuk u mbeti tjetër vetëm se të thonë: “Ne kemi dëgjuar një Kuran që mahnit, që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij.” (El-xhin, 1-2)
Kush flet me të, ka thënë të vërtetën, kush punon me të shpërblehet, kush gjykon me të mban drejtësi, kush e merr atë për udhëzues, do të udhëzohet në rrugën e drejtë.
Hadithet e Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, mbi vlerën e leximit të Kuranit
1. “Lexoni Kuranin, se ai do të vijë ndërmjetësues në Ditën e Kiametit (për ata që e kanë lexuar dhe kanë punuar me të)” Transmeton Muslimi.
2. “Vihet Ditën e Kiametit me Kuran dhe lexuesve të tij (ehluhu), të cilët kanë punuar me të në këtë botë, u prin surja Bekare dhe Ali Imran. Ndërmjetësojnë për lexuesin dhe praktikuesit e tyre.” Transmeton Muslimi.
3. “Me të vërtetë Allahu i ngre disa popuj me këtë Kuran dhe i përul disa të tjerë.” Muslimi.
4. “Ai që lexon Kuran me përpikëri është me melaiket e ndershme. Ai që lexon duke i ardhur vështirë, e ka shpërblimin e dyfishuar.” Buhariu dhe Muslimi.
5. Uthmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, se ka thënë: “Më i miri prej jush është ai cili mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.” Buhariu.
6. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “S’ka zili, lakmi (gibta) vetëm në dy lloje njerëzish: kur një njeriu Allahu ia ka dhënë Kuranin dhe ai çohet natën, fal namaz me Kuran dhe e përsërit atë ditën dhe një njeriu i ka dhënë Zoti pasuri dhe ai jep lëmoshë (sadaka) ditën dhe natën.” Buhariu dhe Muslimi.
7. Transmetohet nga Bera ibn Azibi, se një njeri ishte duke lexuar suren Kehf dhe erdhën retë dhe e mbuluan atë dhe filluan t’i afrohen shumë. Kali i tij, që ishte i lidhur, filloi të ikte sa më shumë që afroheshin retë. I treguan për këtë ndodhi Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, e ai tha se ato ishin melaike që kishin zbritur nga qielli për dëgjimin e Kuranit.” Buhari dhe Muslimi.
8. Ibën Mesudi transmeton nga Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të: “Kush lexon Kuran, për çdo germë i ka nga dhjetë sevape. Nuk them se elif lam mim është një shkronjë, por elif është shkronjë, lami është shkronjë dhe mimi është shkronjë.” Termidhiu.
9. Transmetohet nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, se ai ka thënë: “Shembulli i atij që në gjoksin e tij nuk ka send nga Kurani është sikur një shtëpi e vjetër, e braktisur.” Termidhiu.
10. Transmetohet nga Muhamedi, paqja e Allahut qoftë mbi të, se “Ditën e Kiametit i thuhet lexuesit të Kuranit “lexo e zbukuroje leximin tënd të Kuranit siç ke lexuar ashtu në dynja, se pozita jote më e lartë në xhenet do të jetë në ajetin e fundit që do të lexosh.” Termidhiu.
Përkufizimi i Kuranit
Fjalët e Zotit që i ka zbritur Xhibrili Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Është adhurim leximi i tij.
Emrat e Kuranit
Kuran, Edhikr, Elkitab, Elfurkan.
Cilësitë e Kuranit
Elhuda (udhëzues), Nuur (dritë për rrugë të vërtetë), Eshifa (shërues për besimtarët), Errahme (mëshirë).
Mbi vlerën e leximit të tij
Transmetohet nga Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se ka thënë: “Kush e lexon Kuranin me përpikëri, ai është me melaiket e ndershme. E kush e lexon duke i ardhur vështirë, do të ketë shpërblim të dyfishuar.” Buhariu dhe Muslimi.
Transmetohet nga Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se “bëhet imam ai që më së miri lexon Kuran.”
Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e ka pasur zakon që në tubimet e tij të mbante hafëzë të Kuranit e fukarenj.
Thotë Muhamedi, paqja dhe lavdërimi e Zotit qoftë mbi të: “Prej madhërimit të Zotit është respekti i atij që është thinjur në Islam, respekti i atij që mëson Kuranin dhe i përmbahet atij dhe respekti i udhëheqësit të drejtë.”
Ditën e Uhudit, kur i varrosnin nga dy apo më shumë dëshmorët në një varr, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Zotit qoftë mbi të, pyeste se kush dinte më shumë Kuran prej tyre dhe e varroste para të tjerëve.
Edukata gjatë leximit të Kuranit
1) Pastrimi i dhëmbëve me misvak (ose me brushë)
2) Leximi i Kuranit me abdest
3) Lexohet Kurani në vende të pastra ose në xhami
4) Është mirë të lexohet Kurani ulur, i kthyer nga kibla, por lejohet dhe leximi duke qenë shtrirë.
5) Fillohet leximi duke kënduar istiadhen (eudhu bilahi mine shejtani rraxhim), kurse në fillim të sures fillohet me “Bismilahir Rrahmanir Rrahim”. Kur lexohet Kurani, kërkohet mbrojtja e Allahut prej djallit të mallkuar. (Enhl, 98)
6) Lexohet Kurani duke menduar për domethënien e tij, siç thotë Allahu në Kuran: “A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!” (Muhamed, 24)
“(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (Sad)
7) Është sunet që nganjëherë ta përsëritim një ajet disa herë, në mënyrë që ta kuptojmë sa më mirë. Temim Edari e ksihte zakon që të përsëriste këtë ajet: “A menduan ata, të cilët vepruan në të këqija, se në jetën e tyre dhe në vdekjen e tyre do t’i bëjmë të barabartë me ata që besuan dhe bënë vepra të mira? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre?” (El-xhathije, 21). Esma e kishte zakon që të përsëriste ketë ajet: “E, Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit.” (Et-tur, 27)
Kurse Seid bin Xhubejri e kishte zakon që të përsëriste këtë ajet: “Dhe ruajuni një ditë kur në të ktheheni tek Allahu dhe secilit njeri i plotësohet ajo që ka fituar dhe atyre nuk u bëhet e padrejtë.” (El Bekare, 281) Dhe ketë ajet: “O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd, që është bujar e i urtë?” (El Infitar, 6)
8) Është mirë të qahet gjatë leximit të Kuranit duke pasur kujdes nga hipokrizia.
9) Kurani lexohet me tertil (me lexim të ngadalshëm duke ia dhënë hakun çdo zgjatjeje e çdo theksi, siç i lavdëron Allahu ata të cilët lexojnë mirë librin e Tij: “Atyre, të cilëve ua dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejt ashtu si është, ata e besojnë atë (Kuranin). E ata që e mohojnë atë, të tillët janë ata që dështuan (në dynja e në ahiret).” (El Bekare, 121)
10) Gjatë leximit, kur përmendet dënimi i Allahut, kërkohet mbrojtje e kur përmendet mëshira e Allahut, kërkohet mëshira e Allahut.
11) Gjatë leximi të Kuranit apo përsëritjes së tij nuk duhet të shkojë vëmendja te diçka tjetër, si bisedat ose shikimi i diçkaje, siç thotë Allahu në Kuran: “Kur lexohet Kurani, ju dëgjojeni atë (me vëmendje )dhe heshtni në mënyrë që të fitoni mëshirë.” (El Araf, 204) 12) Gjatë leximit të Kuranit, ai që i di leximet e tjera, le t’i lexojë e mos t’i lërë pas dore, se Allahu e ka zbritur Kuranin edhe në ato mënyra, me kusht që lexuesit t’i njohë këto lexime e të mos bëhet fitne për shkak të mosdijes së tyre.
13) Është e ndaluar që gjatë leximit të Kuranit të lexohet surja nga ajeti i fundit tek i pari, kurse mosradhitja e sureve është e papëlqyer.
14) Lejohet leximi grupor nëse është nevoja si dhe ngritja e zërit nëse nuk bëhet për syefaqësi të njerëzve.
15) Është e pëlqyeshme që gjatë leximit të Kuranit të zbukurohet zëri. Transmetohet nga Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, se ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk e zbukuron zërin e tij gjatë leximit të Kuranit.” Transmeton Ebu Davudi.
16) Është i preferuar kërkimi i leximit nga ai që e ka zërin e bukur, siç transmetohet në hadithin që e transmeton Ibn Mesudi, se Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, një ditë i ka thënë: “Lexo Kuran, që të të dëgjoj.” Ai i tha: “A të të lexoj ty, o i Dërguar i Allahut, kur të është zbritur Kurani?” Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, i tha: “Lexo, se unë dëshiroj që të dëgjoj nga të tjerët.” Atëherë Ibën Mesudi tha: “Fillova të lexoja, derisa mbërrita tek ajeti: “Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan), kur Ne do të sjellim dëshmitarë për çdo popull, e ty do të sjellim dëshmitar mbi ata (që nuk të besuan)?” (En-Nisa, 41) Më tha: “Mjaft!” (e nuk i tha sadakAllahu adhim!, që na bën të kuptojmë se fjala “sadakAllah ul adhim” nuk është sunet, por është bidat) Kur e shikova Muhamedin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, sytë e tij rridhnin lot.
16) Duhet pasur kujdes që gjatë leximit të mos caktohet ndalja me numër ajetesh, por ta përfundojë aty ku mbaron ajeti me kuptim të plotë.
17) Nuk bën të lexohet Kuran kur hapet goja, sepse ajo është nga shejtani, siç transmetohet në hadith.
18) Ndërpritet leximi i Kuranit për ta kthyer selamin.
19) “Suxhdetu etileve” (sexhdja e cila bëhet kur lexohen disa ajete të posaçme të Kuranit) është mustehab e nuk është vaxhib, sipas mendimit të xhumhurit, bazuar në këtë hadith: Zejd bin Thabiti i ka lexuar ajetin e sexhdes Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të: “Pra, bini në sexhde për Allahun dhe adhurojeni! (En Nxhm, 62) dhe Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, nuk ra në sexhde me këtë rast. Po të ishte vaxhib, nuk do ta linte pa e bërë sexhde. Transmeton Buhariu dhe Muslimi. Sexhdja prej qëndrimit në këmbë është më e pëlqyer sesa prej së uluri.
20) Është i lejuar si edhe sunet shërimi me Kuran e posaçërisht nëse këtë kërkim të shërimit apo rukje e bën personi vetë, duke mos kërkuar nga dikush tjetër, sepse Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, ka treguar për një pjesë të madhe të umetit që do të hyjnë në xhenet pa llogari. Prej cilësive të tyre janë, siç i përshkruan Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se ata nuk kërkojnë rukje (lexim të Kuranit për shërim nga të tjerët). E, nëse dikush ka ndonjë sëmundje shumë të rëndë, si ndonjë magji shumë të fortë ose ndonjë xhin që e mundon shumë, atëherë ose bën sabër ose kërkon rukje, duke humbur kështu mundësinë që të jetë prej atyre shtatëdhjetëmijëve që hyjnë në xhenet pa llogari. Elhamdulilah që Allahu ka lënë shumë rrugë të tjera për të hyrë në xhenet. Allahu e ka përshkruar Kuranin si shërues për besimtarët. Ai thotë në Kuran: “Ne të shpallëm Kuranin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.” (EI Isra, 82) Përderisa barnat kanë mundësi që të ndikojnë me lejen e Allahut në shërimin e njeriut apo mos të ndikojnë në shërimin e tij, kjo nuk është ashtu tek Kurani, se Allahu i Madhëruar e përshkroi Kuranin shërues, por kjo bëhet atëherë kur besimtari e ka madhëruar Kuranin në zemrën e tij ashtu siç i takon dhe kur bën rukje me të, e bën me bindjen se Allahu do ta shërojë me të. Ata që nuk kërkojnë shërim me Kuran sikurse e kanë lënë Kuranin si diçka pa vlerë. Lënia e Kuranit pas dore mund të bëhet në disa mënyra, siç thotë Allahu në Kuranin Famëlartë: “E i Dërguari tha: “O Zot im, vërtet populli im e konsideroi këtë Kuran si (diçka) të hedhur!” (Fatir)
Disa lloje të lënies së Kuranit pas dore:
1) Mosleximi i tij, siç thotë Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të: “Kush nuk e bënë hatme (leximin e Kuranit tërësisht) Kuranin brenda 40 ditëve, e ka lënë pas dore.”
2) Mospunimi me të.
3) Mosgjykimi me të.
4) Mosstudimi tij, mosleximi i ndonjë tefsiri (libër i komentit të Kuranit) ose mosleximi me komentim në gjuhën shqipe.
5) Mosmeditimi për ajetet e tij.
Hevzi Kadriu