VLERA E AGJËRIMIT DHE ARSYEJA E SHUMËFISHIMIT TË VEPRAVE
Në dy Sahihët është vërtetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Çdo vepër e njeriut është për vetë atë. Çdo e mirë shpërblehet dhjetë deri në shtatëqind fish. Allahu i Madhërishëm thotë: “Përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë e shpërblej për të; sepse vërtet ai ka braktisur për Mua kënaqësitë (marrëdhëniet me gruan), ushqimin edhe pijen. Për agjëruesin ka dy çaste të gëzueshme: kur ha iftarin dhe kur të takojë Zotin e vet. Për Allahun aroma e gojës së agjëruesit është më e këndshme se ajo e miskut”. Buhariu (1904) dhe Muslimi (1151).
Duhet të dish se shumëfishimi i veprave bëhet për disa arsye, ku ndër to mund të përmendim:
1. Për shkak të pozitës që gëzon vendi ku kryhet një vepër e caktuar, si për shembull: haremi. Për shkak të pozitës që gëzojnë Meka dhe Medina, namazi në to shumëfishohet; siç është vërtetuar kjo në një hadith sahih të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem!): “Një namaz këtu, në xhaminë time, është më i vlefshëm se një mijë namaze në xhamitë e tjera; përveç Xhamisë së Shenjtë (Qabeja).”Buhariu (1190) dhe Muslimi (1394).
2. Për shkak të pozitës që gëzon një kohë e caktuar, si për shembull: muaji i ramazanit, dhjetë ditët e dhulhixhes.
Në dy Sahihët përcillet se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Një umre e kryer në ramazan vlen sa një haxh.” Apo, siç është shënuar në një transmetim tjetër: “Vlen sa një haxh i kryer bashkë me mua.”Buhariu (1863) dhe Muslimi (1256).
Duke qenë se vetëshpërblimi i agjërimit shumëfishohet në krahasim me të gjitha veprat e tjera, shpërblimi i agjërimit të ramazanit shumëfishohet më shumë se çdo agjërim tjetër, për shkak të vlerës dhe pozitës që gëzon koha e këtij muaji; por edhe për faktin se agjërimin e këtij muaji Allahu e ka bërë detyrim për robërit e Tij dhe një nga shtyllat e Islamit.
Shpërblimi mund të shumëfishohet edhe për arsye të tjera; për shembull: për shkak të pozitës së gëzon te Zoti personi që kryen veprën, për shkak të afërsisë së tij me Zotin dhe devotshmërisë, sikurse është shumëfishuar shpërblimi i këtij umeti, i cili ka shpërblim të dyfishtë në krahasim me umetet e tjera të mëhershme.
Shkëputur nga “Letaiful mearif” i Ibn Rexhebit