Vlerat shpirtërore dhe shoqërore të Kurban Bajramit
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Gëzimi ynë sot në këtë ditë kremte është me shkas. Festa, manifestimin e së cilës e filluam sot, është shumë domethënëse, si për nga ritet formale e po ashtu edhe nga ana përmbajtjesore e saj. Ajo para botës mbarë paraqet elemente islame që, absolutisht, e bëjnë këtë fe më madhështoren dhe më humanen për njerëzimin. Kurban Bajrami kultivon dhe ruan me fanatizëm raportet me Allahun e Madhëruar dhe ato me njerëzit, krijesat e Tij. Kjo festë sa është shpirtërore është edhe shoqërore.
Nëse Fitër Bajrami simbolizon fillimin e epokës kur’anore, pra fillimin e shfaqjes se Islamit në skenë nëpërmjet revelatës së fundit – Kur’anit, një kushtetute e cila i ka vënë vetës për mision çrrënjosjen e idhujtarisë, zhdukjen e robërisë me të gjitha format e saj, ndalimin e padrejtësisë, dhunës dhe shkeljes së të drejtave, Kurban Bajrami na vjen si një festë që simbolizon përmbylljen e kësaj shpalljeje në kuptim të shpalljes së saj prej qiellit dhe assesi të përfundimit të misionit, për të na mësuar –rrjedhimisht- se Islami mbetet e vetmja fe e pa alternativë gjer në amshim dhe se nevoja për kërkim të burimeve tjera për legjislacion dhe moral nuk do të ndihet kurrë. Allahu në Kur’anin Famëlartë thotë:
“الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الإِسْلاَمَ دِيناً
…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” el-Maide, 3.
Besimtarë të nderuar!
Kurban Bajrami në relacionin njeri-Zot, arrin të demonstrojë thelbin dhe esencën e kësaj feje, pra monoteizmit, dhe atë në mënyrat dhe format më të mira të mundshme, ndërsa për ilustrim do të veçoja vetëm Telbijjen (lutjen gjatë Haxhit), e cila është shumë karakteristike.
Lebbejke Allahumme lebejke, lebbejke la sherike leke lebbejk, inne’l hamde ve’n-ni’mete leke ve’l mulk, la sherike leke lebbejk!
Të përgjigjem Allahu im, të përgjigjem! Të përgjigjem Ty që nuk ke shok, të përgjigjem! Falënderimi është vetëm për Ty ndërsa mirësia është vetëm prej Teje. Ty të takon sundimi! Ti nuk ke ortak, të përgjigjemi!
Telbijja përfshin Teuhdin (Njëjësimin e Allahut) me Uluhijjet (adhurim), Rububijjet (zotësi) dhe Emra dhe Cilësi (Esma ve’s Sifat.) Thënia jonë:
– “la sherike leke” (nuk ke ortak) është dëshmi se adhurimi nuk destinohet për askënd tjetër pos Allahut të Madhëruar.
– “ve’l mulk” (Ty të takon pushteti) është dëshmi e njëjësimit të Allahut të Madhëruar me zotësi (rububijjet), i cili d.t.th. ta veçosh Allahun me krijim, sundim dhe mbikëqyrje –menaxhim.
– “inne’l hamde” (falënderimi të takon vetëm Ty) është dëshmi e njëjësimit në Emra dhe Cilësi ngase Hamd-i, siç cekëm më lart, nënkupton që të falënderuarin ta përshkruash me përkryerjen – përsosmërinë më absolute të mundshme.
– “la sherike leke” (nuk ke ortak në asgjë) nënkupton mohimin e politeizmit në çdo gjë. Allahut të Madhëruar nuk i përshkruhet shok në asgjë. Bazuar në këtë, Xhabiri (shoku i Pejgamberit, alejhi’s selam që përshkroi formën e Haxhit të tij) tha: “…u përgjigj (bëri telbijje) me Teuhid (njëjësim)” Muslimi.
– Telbijja nënkupton edhe sinqeritetin ngase disa duke sqaruar domethënien gjuhësore të saj kanë thënë: “(hije min lubbi’sh-shej’i): është thelbi i diçkaje, pra është pjesa më e pastër (mirë) e tij.
– Fillimi me të është sqarim se çdo punë që nuk ka bazë Teuhidin është e kotë. Thotë Allahu i Madhëruar:
“وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ
Pasha All-llahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (All-llahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej të humburve.”ez-Zumer, 65.
Vëllezër besimtarë!
Kurban Bajrami, në rrafshin e marrëdhënieve shoqërore, vjen si opsioni më efektiv në luftimin e sjelljeve devijante dhe negative në shoqëri. Ai paraqet një veto shumë të fuqishme kundër vëllavrasjeve, vetëvrasjeve, diskriminim, shtypjes, dhunimit së të drejtave, dhe unë para jush, të nderuar vëllezër, do të doja të shkëpus vetëm disa nga porositë madhështore të Muhammedit, alejhi’s selam të thëna me rastin e Haxhit Lamtumirës:
“O njerëz! Dëgjojeni fjalën time, sepse unë nuk e di a do t’ju takoj më, pas këtij viti, në këtë vend. Gjaku juaj është i shenjtë, pasuritë tuaja janë të shenjta dhe nderi juaj është i shenjtë, siç janë të shenjta në këtë ditë, në këtë muaj, në këtë vend.”
“O njerëz! Kijeni frikë Allahun dhe silluni mirë me gratë, sepse ju i keni marrë ato amanet nga Allahu dhe me fjalën e Allahut ju është lejuar t’i keni për gra.”
“O ju njerëz! Frikësohuni Allahut dhe respektojeni Atë…
Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit njerëzor. Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe vaj për atë kush e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut.”
“O besimdrejtë!…
Gjakmarrja është e ndaluar, të gjitha akuzat e këtilla të cilat rrjedhin nga koha e para Islamit, anulohen…Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara. Huadhënësi nga huamarrësi duhet të marrë vetëm atë që vërtetë ia ka huazuar…Faljani kamatën borxhlinjve.”
“Frikësojuni Allahut të Madhëruar…
Respektoni farefisin… Ruajuni prostitucionit, tradhtisë bashkëshortore dhe xhelozisë. Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë mëkat i rëndë, ndërkaq xhelozia të çon nga përçarja në martesë.”
“O ju njerëz ! Dëgjoni çka po ju them dhe mbani mënd mirë. Unë po ua lë Librin e Allahut – Kur’anin, i cili nëse i përmbaheni, gjithnjë do t’ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësisë dhe të së vërtetës.”
“O besimdrejtë! Flitni gjithë të vërtetën e pastër. Urrejtja asnjëherë të mos ju largojë nga rruga e të drejtave dhe drejtësisë. Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësojuni Allahut ! Ai e sheh punën tuaj.”
Vëllezër të nderuar!
Globalizmi dhe materializimi i vlerave ka bërë që njerëzit lidhjet e tyre t’i ndërtojnë vetëm në baza interesi. Me gjithë avancimin e teknologjisë dhe mundësive për të qenë sa më afër njëri tjetrit, ne jemi ndarë më shumë se kurrë më parë. Në këtë kohë dhe këto sfida, Kurban Bajrami vjen si një mundësi për rikthim në vlerat burimore. Më konkretisht, Kurban Bajrami arrin të shkrijë shtresat e shoqërisë në një, dhe ja siç po shihni, sot këtu jemi tubuar të gjithë pa dallim pozite, titulli, fisi, familje, etj. Jemi tubuar të gjithë si robër të Allahut.
Kjo festë na mëson edhe për edukatën e sakrificës. Nëse Ibrahimi, alejhi’s selam ishte i gatshëm që për Zotin e tij të therë edhe të birin, Ismailin, alejhi’s selam, atëherë çfarë na bën ne pasiv që të mos japim sado pak nga ajo që kemi për Allahun. Përse ë mos therim Kurban e të ndihmojmë dhe gëzojmë ata që nuk kanë. Kjo është esenca e Kurbanit, ndryshe, Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për të.
“لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَكِن يَنَالُهُ التَّقْوَى
Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj…”el-Haxh, 37.
Besimtarë të nderuar!
Sot ka njerëz që presin ndihmën tuaj për të festuar edhe ata dhe për tu gëzuar edhe fëmijët e tyre. Ndaj, mos i privoni nga lëmosha juaj.
Sot, ka ende jetimë, që mund t’i gëzoni me ndihmat tuaja por jo vetëm kaq; ata krahas ndihmës kanë nevojë edhe për përkëdheljet dhe dashurinë tuaj, ndaj nëse Ibrahimi, ishte i gatshëm ta therë të birin për Allah, ti këtë gatishmëri tregoje që sot ai të të shoqërojë në sofrën tënde ngase Allahu të ka urdhëruar:
“فَأَمَّا الْيَتِيمَ فَلَا تَقْهَرْ
Pra, mos e përul jetimin!”ed-Duha, 9.
Vëllezër të nderuar!
Kurban Bajrami, si pika festive e përfundimit të adhurimit të Haxhit, me të drejtë konsiderohet si akademi vlerash, ndaj le të shërben si një pikënisje për reformim shpirtëror dhe kulturor. Le të tregohemi, krahas asaj si besimtarë të sinqertë, edhe qytetarë të kulturuar. Ju lutem mos lejoni që smira dhe urrejtja t’iu pengojnë nga vizitat e ndërsjella ndërmjet vete, mos lejoni që jetimi të jetë i tepërt sot në familjen tuaj, mos lejoni që zemrat e prindërve tu edhe sot të jenë të pikëlluara. Shkoni, urojuani festen, puthuani duart dhe shoqërojini ata.
Le të mbretërojë paqja, hareja, dashamirësia kudo sot.
Nëse Mekkeja e nderuar sot jehon nga Telbija, atëherë le të jehon ky vend nga tekbiret!
Per hajr ju qoftë Kurban Bajrami!