BallinaSpikasimVRAZHDËSIA E ZEMRAVE

VRAZHDËSIA E ZEMRAVE

VRAZHDËSIA E ZEMRAVE

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Vëllezër dhe motra,

Paqja, mëshira dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi ju!

Fillimisht, dua t’ua parashtroj disa pyetje, përgjigjën e të cilave e shpresoj prej jush:

Përse nuk çajme nga frika prej Allahut?

Përse nuk jemi të përulur para Tij?

Përse?

Për Zotin, kjo është një sëmundje prej sëmundjeve të zemrës. Po, sëmundje e zemrës. Ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam:

“Vëni re! Në trup është një copë mishi; nëse është e shëndoshë, i tërë trupi është i shëndoshë (në aspektin moral), nëse prishet, atëherë i tërë trupi prishet. Ajo është zemra”. ([1])

Nuk do t’iu flas për të gjitha sëmundjet e zemrës, jo, ligjërata ime do të fokusohet në një sëmundje që cilësohet ndër më të rrezikshmet. Ajo është: Vrazhdësia e zemrave. Po për Zotin, kjo sëmundje është më e rrezikshmja.

Pasojat e kësaj sëmundjeje:

Këtu do të veçoja vetëm rezultatin më negativ të saj, vdekjen në mënyrë të keqe, vdekjen që vulosë hidhërimin e Allahut ndaj atij personi…
O Zot, më mundëso mua dhe të gjithë myslimanëve një vdekje të mirë, vdekje që vulosë me të kënaqësinë Tënde për ne!

Si ta dish se zemra jote është e sëmurë?

1- Mos ndikimi nga dëgjimi i ajeteve kur’anore dhe këshillave. Njeriu me zemër të tillë dëgjon ajetet e premtimit (të shpërblimeve për të mirët), kërcënimit (me ndëshkim për ata që veprojnë keq). Ai nuk lexon Kur’anin, dhe nuk e dëgjon dot atë ngase gjen një rëndim në qenien e tij, edhe pse Allahu thotë: “…ti këshilloje me këtë Kur’an atë që i ka frikë kërcënimit Tim”. ([2]) Allahu, duke dalluar besimtarët prej njerëzve të tillë, veçon e thotë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre”. ([3])
2-Mos ndikimi nga gjërat përreth, si: vdekja e të tjerëve, fenomenet natyrore, etj. Ai sheh se si njerëzit vdesin, madje edhe merr pjesë në funeralet e tyre, i përcjell gjer në varreza, qëndron aty për ca kohë dhe prapë nuk merr mësim. Ka thënë Allahu: “A nuk e shohin ata se për çdo vit sprovohen një herë apo dy herë, e përsëri nuk pendohen e as nuk marrin mësim”. ([4])
3- Ai nuk respekton Allahun e Madhëruar. Xhelozia shuhet në shpirtin e tij, rrënjët e besimit thahen; nëse shkelen ligjet e Allahut nuk hidhërohet, nëse sheh të këqija nuk i ndal, dëgjon marrëzi e bëhet sikur nuk dëgjon asgjë, nuk di të mirë, nuk mohon të keqe, dhe fare nuk bezdiset nga mëkatet e gabimet.
4- Vetmia dhe egërsia e njeriut të tillë. Ai ndihet përherë me gjoks të renduar, ndien ankth, frikë dhe armiqësi me njerëz. Sikur me asgjë nuk qetësohet dhe nga çdo gjë ndien një frikë e ankth.
Shkaqet e vrazhdësisë së zemrave

Dashuria për dynjanë, “do të” (lënia e punëve për nesër e pasnesër), përtacia në adhurime, përgojimi dhe bartja e fjalëve, mëria e zilia, mos editimi i ajeteve kur’anore, gënjeshtra, tallja me të tjerët, të qeshurit e shumtë dhe lozja e tepërt, paragjykimet dhe mendimet e këqija për të tjerët, mos përulja në namaz, shoqërimi i njerëzve të këqij, të folurit e shumtë pa përkujtuar Allahun aspak, injoranca për çështjet e fesë dhe dynjasë, mos marrja seriozisht e mëkateve të vogla, largimi nga Kur’ani, qoftë me lexim, praktikim apo caktim të tij si arbitër për çdo gjë, e shumë e shumë të tjera.

Si të shpëtojmë nga vrazhdësia e zemrës?

Meqë mësuam shkaqet e vrazhdësisë së zemrës, atëherë cila është mënyra apo cilat janë rrugët për shpëtim nga kjo dukuri e shëmtuar e moralit? Mënyrat e shpëtimit janë të përmbledhura në pikat vijuese: Mësimi i diturive fetare, meditimi i ajeteve kur’anore, përkujtimi i vdekjes, vizita e të sëmurëve dhe varrezave, shoqërimi i njerëzve të mirë, leximi sistematik i Kur’anit, shkuarja herët në xhami për namaz, falja vetëm gjatë natës, mos preokupimi i madh me dynja, etj.

O Zoti ynë, pastro zemrat tona nga hipokrizia, syefaqësia dhe dëshira për famë! Na mundëso që të vdesim duke ngadhënjyer me kënaqësinë Tënde, na lehtëso çështjet tona, na dhuro sinqeritet në fjalë e vepra, dhe ne, njëzëri, dëshmojmë se lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Burimi: http://www.twbh. com/articles. php?ID=3967
Përshtati në shqip: Sedat G. ISLAMI
http://sedatislami.com/

——————————————————————————–

[1] Transmetim unanim.

[2] Kaf, 45

[3] el-Enfalë, 2

[4] et-Teube, 126

Must Read