JETO NË DYNJA SI I HUAJ8 min read

0
570

JETO NË DYNJA SI I HUAJ

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar, i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të dërguarin Muhamed dhe mbi familjen e tij të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga Ibn Umeri -Allahu qoftë i kënaqur me të!- transmetohet se Pejgamberi -alejhi selam- e ka marrë me vete dhe i ka thënë: “Jeto në dynja si i huaj ose si kalimtar!”

Ibn Umeri -Allahu qoftë i kënaqur me të!- ka thënë: “Nëse ngrysesh mos e prit sabahun, e nëse gdhihesh mos e prit mbrëmjen. Merr nga shëndeti yt për në rast sëmundje dhe nga jeta jote për në rast vdekje”. Buhariu.

Shpjegimi i hadithit

Kur të mendojmë për realitetin e kësaj jete, te ta dimë se ajo nuk do të jetë një ditë vendqëndrimi ynë apo banesa jonë e përhershme. Në të vërtetë në dukje ajo është një jetë e zbukuruar, por në realitet kjo jetë do të përfundojë dhe shkëlqimi i saj është i përkohshëm, si ajo lulja që në dukje është e bukur, por që vyshket e i humbet shkëlqimi e aroma.

Kjo është dynjaja e cila i mashtron njerëzit nga adhurimi dhe fundi i tyre, saqë e marrin atë si atdhe dhe vendqëndrim të tyre të përhershëm për të qenë të lumtur e të rehatshëm. Njerëzit vazhdojnë të jenë në ankth për dynjanë e tyre, deri në çastin që vjen urdhri i Allahut e i zbulon atyre falsitetin dhe u qartësohet se ata vraponin pas saj pa të drejtë. Nuk ka dyshim se fjala e Allahut është e vërtetë kur thotë: “…Jeta e kësaj bote nuk është tjetër përveç se një përjetim mashtrues.” Ali Imran, 185.

Profeti -alejhi selam- asnjëherë nuk i ka lënë sahabët e tij pa i sqaruar se çfarë duhet të kenë parasysh ata dhe si duhet të jetë gjendja e tyre dhe e të gjithë muslimanëve në këtë dynja, pa harruar këshillat për besimin në të. Ai është mëshirë e dhuruar, këshillues i popujve, duke i predikuar me urtësi e butësi, si dhe duke i sjellë shembuj sqarues. E, në këtë mënyrë erdhi edhe ky hadith madhështor formuluar në një kohë të nevojshme si argument dhe porosi e përjetshme.

Profeti -alejhi selam- e mori me vete Abdullah ibn Umer -Allahu qoftë i kënaqur me të!- i tërhoqi vërejtjen, mblodhi tek ai mendimet, e njoftoi për rëndësinë e atyre që do t’i thoshte, përzgjodhi disa fjalë e i tha drejtpërdrejt: “Jeto në dynja si i huaj ose si kalimtar!”

Le të shikojmë se si e krahasoi Profeti -alejhi selam- vendin e besimtarëve në dynja me gjendjen e një të huaji, sepse i huaji nuk gjen besim dhe siguri në atë tokë që është kalimtar apo banor i përkohshëm i saj, por gjithmonë është i interesuar dhe i shqetësuar për vendin e tij të përhershëm, prandaj dhe nuk e preokupon veten me fizikun e njerëzve, por mjaftohet me gjëra të lehta e të pranueshme.

Tanimë hadithi e sqaroi besimtarin si i huaj në këtë dynja dhe ajo që kërkohet prej tij është kapja dhe përqendrimi në fe, vazhdimësia dhe qëndrueshmëria në rrugën e Allahut edhe nëse pengohet prej njerëzve, apo e shmangin prej kësaj rruge. Shoqërimi në të qëndruarit në fe është qëllimi kryesor që pikon në zëmrën e tij. Rruga disi e mundimshme nuk e dobëson në vazhdimin për të mbajtur distancë në dobësitë e njerëzve. Po ashtu, nuk e pengojnë as gjurmët e tyre që thërrasin në rehati e kënaqësi. Ky është realiteti i të huajit për të cilin na njoftoi Profeti -alejhi selam- në fjalën e tij: “Islami filloi si i huaj dhe si i huaj do të kthehet, por Tuba për të huajt.” Muslimi.

Nëse muslimani është i vendosur në qëndrueshmërinë e rrugës së tij, ai është i kujdesshëm në shoqërimin me ata që janë me besim të paktë apo të dobët. Ai, gjithashtu, është i kujdesshëm edhe nga shoqërimi me persona me moral të sëmurë dhe sjellje të pahijshme. Qëndron larg grumbullimeve të disa njerëzve apo të rinjve smirëxhinj, përgojues, paragjykues të të tjerëve. Po ashtu, qëndron larg çdo gjëje të ndaluar apo të rrezikshme.

Ajo që u tha më sipër nuk kuptohet se shoqëria njerëzore është e gjitha e urryer, por bazat e sheriatit islam ftojnë në shoqërimin e njerëzve, si dhe përforcimin e marrëdhënieve dhe lidhjeve midis tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet jush…” Huxhurat, 13. Ndërsa në një hadith të saktë thuhet: “Nëse muslimani ndodhet në mesin e njerëzve jonormalë dhe duron dëmin që vjen prej tyre është më i mirë se sa muslimani që nuk bashkohet me njerëzit dhe nuk duron dëmin që vjen prej tyre.” Transmetoi Tirmidhiu.

Por, ne kemi shembullin më të mirë tek i Dërguari i Allahut -alejhi selam- i cili jetonte në mesin e njerëzve dhe sillej me ta në mënyrën më të mirë.

Si përforcim i kësaj çështjeje themi se çdo person besimtar duhet të largohet nga qëndrimi me ata të cilët e dëmtojnë në fenë e tij dhe e largojnë nga ahireti. E, në të kundërt të kësaj, lë shoqërohet me ata që i përkujtojnë Allahun, ahiretin, e nxisin për veprimin e të mira që i bëjnë dobi në këtë botë dhe botën tjetër.

Le t’i kthehemi fjalës së Profetit -alejhi selam-: “…si i huaj ose si kalimtar”. Në këtë thënie i kushtohet rëndësi gjendjes që besimtarit krahasuar me gjendjen e të huajit apo kalimtarit.

Thënia: “…si kalimtar” ka kuptimin: nuk merr furnizim përveç aq sa i nevojitet për rezervë gjatë kohës së udhëtimit, nuk e pengon atë asgjë që të vazhdojë udhëtimin, derisa të mbërrijë atje ku ka synuar apo në vendin e tij.

Imam Daud el Taij -Allahu e mëshiroftë!- thotë: “Nata dhe dita janë faza për njerëzit brez pas brezi, derisa të mbarojë kjo për ta deri në fund të udhëtimit. Nëse mundesh që të përparosh në çdo fazë duke shtuar (të mira) në duar e tua, bëje atë. Nëse udhëtimi ndërpritet shpejt dhe çështja është më me ngut se kjo, atëherë përgatitu më mirë për udhëtimin dhe çështjen tënde.

Kështu duhet të jetë besimtari, i pranuar tek Zoti i tij me bindje dhe nënshtrim. Mundin, kohën dhe mendimet e tij të jenë për kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Të mos e pengojë dynjaja nga ahireti. Ta konsiderojë veten e tij në lëvizje. Dynjaja e tij të jetë në shërbim të ahiretit. Të përgatitet për takimin personal me Zotin e tij.

Nga Enes bin Malik -Allahu qoftë i kënaqur me të!- transmetohet se Pejgamberi -alejhi selam- ka thënë: “Kush e ka ahiretin qëllimin e tij, Allahu do ta bëjë zemrën e tij të pasur dhe do t’i grumbullojë çështjet e tij të shpërndara dhe dynjaja për të jetë e panevojshme.” Transmetoi Tirmidhiu.

Ky është kuptimi që kishte për qëllim i Dërguari i Allahut -alejhi selam- në fjalën e tij drejtuar Abdullah bin Umer -Allahu qoftë i kënaqur me të!-.

Ky mesazh profetik ishte gjurmë madhështore që ndikoi në veten e tij e cila u pasqyruar në sjelljen e tij -Allahu qoftë i kënaqur me të!-, pasi ai nuk ishte që shpresonte në sigurinë dhe besimin e dynjasë, por ishte i kujdesshëm në shfrytëzimin e çdo çasti, siç na e komunikon këtë në porosinë madhështore të përjetshme të tij -Allahu qoftë i kënaqur me të!-: “Nëse ngrysesh mos e prit sabahun, e nëse gdhihesh mos e prit mbrëmjen. Merr nga shëndeti yt për në rast sëmundje dhe nga jeta jote për në rast vdekje”.

Përktheu: Erion Sulo
Burimijetes.com