BallinaPraktikaNamaziO lënës i namazit!

O lënës i namazit!


O lënës i namazit!

 

I tërë lavd-falënderimi i përket Allahut, Zotit të botëve, dhe përfundimi i lumtur është për të devotshmit. Armiqësi nuk ka veçse ndaj mizorëve. Paqja dhe bekimet qofshin për krijesën më të mirë dhe njeriun më me vlerë, të Dërguarin tonë, Muhamedin, sal-lAllahu aljehi ue selem, familjen dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

O lënës i namazit! Si ta filloj bisedën time me ty, kur ti tanimë e ke ndërprerë çdo lidhje mes meje dhe teje?! E ç`të të them ty?! Në ç`mënyrë të të flas?! A të të flas me inkurajim?! Apo të gjuaj mbi ty kamxhikët e kërcënimit?!

O lënës i namazit! Ç`po mendon shpirti yt?! A je i pavarur ndaj Zotit tënd deri në këtë masë saqë të pengon nga sexhdeja ndaj Krijuesit tënd? A ka arritur mendjemadhësia jote deri në këtë masë saqë ta nënçmosh qëndrimin para Zotit tënd, duke qenë i nënshtruar dhe i përulur?!

Allahu i Lartësuar thotë: “O njeri ç`të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi, dhe që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?!” (Infitar, 6-8).

O lënës i namazit! A nuk e di se namazi është gjëja e fundit pas së cilës do të kapet njeriu prej fesë së tij; nëse e braktis atë, veçse e ka braktisur krejt fenë e tij?! I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Do të zgjidhen nyjet e Islamit nyje pas nyje. Çdo herë që zgjidhet një nyje, njerëzit do të kapen për atë që vjen pas saj. E para prej tyre është zgjidhja e pushtetit, ndërsa e fundit është namazi.” (Shënon ibën Hibani dhe e saktësoi Albani).

O lënës i namazit! A nuk e di se kush e lë namazin qëllimisht veçse është larguar mbrojta e Allahut prej tij? I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim (mos i bëj shirk), edhe nëse vritesh dhe digjesh; bindju prindërve të tu, edhe nëse të urdhërojnë të dalësh dhe të ndahesh nga familja dhe pasuria jote; dhe assesi mos e le namazin (obligativ) qëllimisht, ngase ai i cili e lë namazin qëllimisht, tanimë është larguar mbrojtja e Allahut ndaj tij.” (Shënon Taberaniu, ndërsa Albani thotë se hadithi është hasen i varur nga të tjerët).

O lënës i namazit! Çfarë të ka mbetur prej Islamit, kur ti tanimë e ke lënë namazin?! A nuk e di se namazi është shtylla e fesë dhe trungu mbajtës i imanit?!

O lënës i namazit! A nuk e di se lënia e namazit është kufër, shirk e humbje?!

I Dërguari, sal-lAllahu aljehi ue selem, thotë: “Në mes njeriut, shirkut (idhujtarisë) dhe kufrit (mosbesimit) është lënia e namazit.” (Shënon Muslimi).

I Dërguari, sal-lAllahu aljehi ue selem, thotë: “Premtimi i dhënë mes nesh dhe mes tyre (jobesimtarëve) është namazi, prandaj ai që e lë atë veçse ka bërë kufër.” (E shënon Ahmedi, Tirmidhiu dhe e saktësoi Albani).

Omer ibën Hatabi, radijAllahu anhu, thotë: “Me të vërtetë, nuk ka hise në Islam për askënd që e lë namazin.”

Ibën Mesudi, radijAllahu anhu, thotë: “Kush e lë namazin, nuk ka fe.”

Abdullah ibën Shekiki, rahimehullahu, thotë: “Shokët e të Dërguarit, sal-lAllahu alejhi ue selem, nuk e kanë llogaritur lënien e ndonjë vepre kufër, përveç lënies së namazit.”

Ibrahim Nehaiu, rahimehullah, thotë: “Kush e lë namazin, ka bërë kufër.

Imam Dhehebiu, rahimehullah, thotë: “Ai i cili e vonon namazin nga koha e tij është mëkatar i madh, e kush e lë një namaz plotësisht është sikur ai i cili vjedh dhe bën amoralitet. Ndërsa lënia e krejt namazit apo falja e tij pas kohe, është mëkat i madh. Por nëse e bën këtë disa herë, ai është nga mëkatarët, përveç nëse pendohet. E nëse vazhdon me lënien e namazit, atëherë ai është nga të shkatërruarit dhe kriminelët më të këqij.

O lënës i namazit! A nuk e di se lënia e namazit dhe pakujdesia ndaj tij janë hipokrizi?! I Lartësuari thotë: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t`u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” (Munafikun, 142). Ndërsa i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Me të vërtetë namazi më i rëndë për hipokritët është namazi i jacisë dhe sabahut, dhe sikur ta dinin çfarë (shpërblimi) ka në to, do të kishin ardhur edhe duke u zvarritur.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi, ndërsa teksti është i Muslimit).

A e vërejte, o lënës i namazit, hipokritët janë falur, por faleshin për syefaqësi, ndërsa ti asnjëherë s`je falur!

               O lënës i namazit! Krejt krijesat bëjnë sexhde për Zotin e tyre, pos teje! Allahu i Lartësuar, thotë: “A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (muslimanët). Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin.” (Haxh, 18). E, ti je prej atyre që e meritojnë dënimin!

               O lënës i namazit! A je i kënaqur që çdo materie inorganike, çdo gjallesë dhe krijesë, të jenë më të mira dhe me të mençura sesa ti?!         

               O lënës i namazit! A nuk e di se lënësin e namazit do ta godasë poshtërimi, frika dhe nënçmimi në Ditën e Kijametit?! Allahu i Lartësuar thotë: “Ditën e (Kijametit), kur të zbulohen shumë ngjarje të frikshme, ata do të thirren që të përulen në sexhde, po nuk do të munden! Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t`i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin në sexhde, sa qenë shëndoshë (dhe nuk pranuan).” (Kalem 42, 43).

              

               -Sa e rëndë është dhimbja jote kur të vdesësh, e ti je lënës i namazit!

               -Sa fatkeqësi e madhe është kur të ringjallesh, e ti je lënës i namazit!

               -Sa krim i madh, o lënës i namazit, është lënia e namazit!

              

               O lënës i namazit! A nuk e di se lënia e namazit është pakujdesi dhe ashpërsim për zemrën?! I Dërguari, sal-lAllahu aljehi ue selem, thotë: “Disa njerëz ose do të ndalen nga mungesa e faljes me xhemat ose Allahu do t`ua vulosë zemrat e tyre e më pas do të jenë prej të pakujdesshmëve.” (Shënon Muslimi).

               O lënës i namazit! A nuk e di se lënësi i namazit do të dënohet në Sekar (Xhehenem) së bashku më qafirët dhe të shthururit?! Dëgjoje përgjigjen e banorëve të Zjarrit kur të pyeten: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar? Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz.” ( Mudethir, 42, 43). Dhe: “Pas tyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh.” (Merjem, 59).

               O lënës i namazit! A nuk e di se lënia e namazit është padrejtësi, shkatërrim e humbje në dynja dhe Ahiret?! I Dërguari, sal-lAllahu aljehi ue selem, thotë: “Kush ka kujdes ndaj tij (namazit), do të jetë për të dritë, argument e shpëtim në Ditën e Gjykimit; kush nuk ka kujdes ndaj tij, nuk do të jetë dritë për të, as argument e as shpëtim në Ditën e Gjykimit, dhe në Ditën e Gjykimit do të jetë në shoqëri me Karunin, Faraonin, Hamanin dhe Ubej ibën Halefin.” (Shënon Ahmedi me sened të mirë, siç thotë Tirmidhiu).

               Andaj, o lënës i namazit, a dëshiron të ringjallesh me prijësit e kufrit, udhëheqësit e ateizmit, tiranisë e humbjes?!              

               O lënës i namazit! A nuk e di se lënia e namazit është nga fatkeqësitë dhe sprovat më të mëdha që të kanë goditur?! I Dërguari, sal-lAllahu aljehi ue selem, thotë: “Atij që i ik namazi i ikindisë është sikur t`i humbë familja dhe pasuria e tij.” (Shënon Buhariu). Kjo është për atë të cilit i ik vetëm ikindia, e si është puna me lënien e krejt namazeve?!

               O lënës i namazit! A nuk e di se lënia e namazit është brengosje, ngushtim në gjoks, problem shpirtëror dhe vështirësi në jetë?! I Lartësuari thotë: Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kijametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kishta të shikuar më parë? (Allahu) do t`i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Taha, 124-126).

               Sa keq dhe sa shkatërrim për ty, o lënës i namazit! Si të shkon koha, të ikë jeta, kurse zemra jote është e penguar nga Zoti yt!

               Si po del nga kjo dynja e nuk e ke shijuar gjënë më të bukur në të?! Dhe vërtet gjëja më e bukur në këtë dynja është adhurimi i Allahut, aze ue xhele, dhikri, falënderimi e namazi për Të.

               O lënës i namazit! Cilën gjë do të madhërosh në fenë tënde, nëse përbuz namazin?! A nuk e di se ai që e brkatis namazin ndaj gjërave tjera është akoma më i pakujdesshëm?! Hasani thotë: “O bir i Ademit! Nëse e përbuz namazin, atëherë çfarë do të madhërosh?!”

               Pendohu tek Zoti yt, o i pavëmendshëm, para se të të vijë vdekja e ti ende je lënës i namazit!

               Pendohu tek Zoti yt, para se të thuash: “Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” E të të thuhet: “Kurrsesi!” (Muminun, 99, 100).

               Pendohu tek Zoti yt, para se të thuash: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time! (Fexhër, 24).

               Pendohu tek Zoti yt, para se të thuash: “Zoti ynë, nxirrna se do të bëjmë vepra të mira e jo nga ato që kemi bërë.” (Fatir, 37).

               Pendohu tek Zoti yt, para se të thuash: “Ah, sikur të isha pluhur!” (Nebe, 40).

               Allahu na mundësoftë neve dhe juve një pendim dhe kthim të sinqertë para vdekjes. Lutja jonë e fundit është: I tërë lavd-falënderimi i përket Allahut, Zotit të botëve.

 

 

Përktheu nga arabishtja: Burim Koçinaj, Prizren – 30/03/2011

Burimi: http://www.islamifejaevertete.com/

 

 

Must Read