BallinaAKIDEAkide të ndryshmeMbikëqyrja e Allahut

Mbikëqyrja e Allahut


Mbikëqyrja e Allahut

 

“O robër të Allahut, kijeni frikë Allahun për atë që thoni; kijeni frikë Allahun për atë që bëni; kijeni frikë Allahun natën dhe ditën.”

 

      Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë. Atë që e udhëzon Allahu askush nuk mund ta kthejë nga rruga e drejtë dhe atë që nuk e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta fusë në rrugë të drejtë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Allahu e dërgoi atë mëshirë për të gjitha kohët. Me të zgjeroi gjokset, me të ndriçoi mendjet, me të hapi sytë dhe veshët e shurdhër.

 

O ju që keni besuar, o robtë e Allahut! Ju këshilloj juve, këshilloj dhe veten për punë që na ndrisin fytyrën Ditën kur ta takojmë All-llahun; atë Ditë kur nuk bën dobi asgjë përveç veprës së kryer; atë Ditë, kur çdo njeri do të gjejë atë që ka bërë; atë Ditë, kur kush ka bërë të keqe do të dëshironte që të ishte sa më larg saj.

Kijeni frikë atë Ditë, kur nëna do ta braktisë foshnjën e saj të gjirit dhe shtatzëna do ta hedhë tej barrën e saj; atë Ditë kur njerëzit janë si të dehur: ata nuk janë të dehur, por ndëshkimi i All-llahut është i dhembshëm.

Kijeni frikë Ditën, kur të ringjallen ç’janë në varreza e do të dalë sheshit ajo që është në gjokset e tyre. Kijeni frikë atë Ditë, kur ata që nuk besuan dhe kundërshtuan Pejgamberin, duan të shkrihen në tokë përgjithmonë.

Kijeni frikë atë Ditë, kur keqbërësit do të kafshojnë duart e do të thonë: “Sikur të mos e kisha marrë as njeri për mik a për shok.”

 

All-llahu i Madhëruar e ka emërtuar me shumë emra atë Ditë. Të gjithë emrat tregojnë se ajo Ditë është e tmerrshme: ikën vëllai prej vëllait, ikën fëmija prej nënës. Atë Ditë çdo njeriu i mjafton vetëm halli i tij.

Dije, o vëlla, se mbikëqyrja e njeriut është e dobët dhe e shkurtër, sepse njeriu është i krijuar, sepse ai fle, sepse ai sëmuret, shërohet dhe vdes. Pra, a mundet që njeriu të mbikëqyrë? A mundet që njeriu të shikojë pas mureve a pas maleve? Sigurisht jo. Atëherë, mbetet Mbikëqyrja e plotë dhe e pakufishme e më të Madhit, e Krijuesit, e Filluesit dhe e Mbikëqyrësit të krijesave, të Plotëfuqishmit, të Cilit nuk mund t’i përngjajë asnjë nga krijesat e Tij. Dija dhe aftësia e njeriut është e shkurtër, e paktë: njeriu nuk di se çfarë ka në veten e tij, çfarë ka ndërmjet njëri-tjetrit. Kurse All-llahu di gjithçka. Për këtë All-llahu thotë: “Nuk ka gjethe peme që bie në tokë dhe të mos jetë në dijen e All-llahut.” (En’am, 59).

 

All-llahut nuk i fshihet asgjë në Tokë e në qiej. Ai di pëshpëritjet e zemrave. Ai di çfarë përqëndrohet në zemrën tënde edhe pas njëqind vjetësh, kurse ti nuk e di se çfarë do të zëjë vend në zemrën tënde pas dy minutash. Dija e Dëgjuesit dhe e Shikuesit e Njohësit të hollësirave është e pakufishme. Për këtë All-llahu thotë: “A nuk e di ti se All-llahu di çfarë ka në qiej e në Tokë? Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave e të mos jetë All-llahu i katërti e as në mes të pesë vetave e Ai të mos jetë i gjashti ose as më pak e as më shumë e Ai të mos jetë me ta kudo. Pastaj, Ditën e Gjykimit do t’u thotë atë, që kanë bërë. All-llahu ka përfshirë gjithçka me dijen e vet.” (Muxhadele, 7)

 

Dy kurejshë ishin pranë Qabes. Errësira e natës ishte shtrirë kudo dhe yjet kishin humbur. Thanë: “All-llahu nuk e di dhe nuk sheh gjithçka.” U fshehën nga njerëzit, por a do të mundeshin t’i fshiheshin All-llahut?! Filluan të bisedonin për gjëra, që nuk donin t’i merrte vesh njeri. Biseduan për luftën e Bedrit, për humbjen e madhe. Thotë Safuani: “Jeta pas luftës së Bedrit më është nxirë dhe nuk më bëhet të jetoj.” Thotë Umejri: “Ashtu është, sikur të mos kisha borxhe dhe sikur të kisha një njeri që të kujdesej për fëmijët e mi dhe gruan time, do të shkoja në Medine dhe do t’ia prisja kokën Muhammedit.” E shfrytëzoi këtë rast Safuani dhe i tha: “Do t’i paguaj unë borxhet dhe do të kujdesem unë për familjen tënde.” Atëherë i thotë Umejri Safuanit: “Ta ruajmë të fshehtë këtë bisedë.” “Po, ashtu do të bëjmë.” – ia ktheu Safuani. U çua Umejri, e mori shpatën, e leu me helm dhe u nis për në Medine. Arriti në Medine. E pa Umer ibn Hattabi (All-llahu qoftë i kënaqur me të!) dhe shkoi e i tha Pejgamberit (Paqja e All-llahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të!): “Po vjen Umejri, armiku i Allahut. Ai nuk ka ardhur përveç për sherr.” dhe Hattabi nxori shpatën. “Fute shpatën në miell”, – i thotë Muhammedi (Paqja e All-llahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) Umerit (All-llahu qoftë i kënaqur me të!). Pasi Umer ibn Hattabi (All-llahu qoftë i kënaqur me të!) e futi shpatën në miell, Pejgamberi (Paqja e All-llahut dhe Bekimi i Tij qofshin mbi të!) i thotë Umejrit:

– Përse ke ardhur këtu, o Umejr?

– Kam ardhur të shikoj djalin (djali i tij ishte zënë rob nga muslimanët).

– Po shpatën përse e ke përgatitur?

– I mallkoftë All-llahu shpatat!

– Mua më zbriti nga All-llahu i Lartë arsyeja përse ke ardhur.

– Nuk kam ardhur për tjetër gjë vetëm se të takoj djalin tim.

– A nuk ishte ti me Safuanin në Qabe, atë natë dhe a nuk biseduat dhe a nuk e vendosët që ti të më prisje kokën e ai të t’i lante borxhet dhe të kujdesej për familjen tënde?

Thotë Umejri: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se ti je i dërguari i Tij.” Umejri kishte ardhur për ta shuar Dritën, por Drita e ndriçoi dhe ai tha: “Ty të ka njoftuar All-llahu. Falënderoj All-llahun që më çoi në këtë rrugë, për të pranuar këtë fe.”

Vëllezër muslimanë! Në errësirën e natës në Qabe, askush nuk i pa ata dy burra, as Muhammedi (Paqja e All-llahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) nuk e dinte këtë bisedë. Por këtëbisedë e dinte vetëm All-llahu. Ai dëgjon çfarë thurin njerëzit. Pra, nëse ty të fyen dikush, mos u mërzit, sepse All-llahu i di të gjitha ato që të bëhen ty.

 

O ti musliman i ri që sapo ke përqafuar fenë islame! Nëse dikush të fyen ose të tall, dije se All-llahu po të mbikëqyr ty dhe e di se çfarë po duron. Nuk i fshihet Atij asgjë. Kush mendon që All-llahu nuk na sheh, vetëm se është bërë femohues. Atëherë, kur ti e di që All-llahut nuk mund t’i fshihesh, mos i kalo caqet që vetë All-llahu i Madhëruar i ka përcaktuar. Njerëzit i shkelin kufijtë e përcaktuar nga All-llahu në errësirën e natës, fshehur nga shikimi i njerëzve, por harrojnë se All-llahu është Mbikëqyrës i përhershëm. Në një hadith të saktë, të Pejgamberit (Paqja e All-llahut dhe bekimi i tij qofshin mbi të!) thuhet: “Unë i di disa njerëz nga populli im që Ditën e Gjykimit do të dalin përpara me vepra të mira sa madhësia e maleve, ndërsa All-llahu do t’i asgjësojë ato vepra.” “O i Dërguari i All-llahut” – ia kthyen shokët, “lutu për ne që të mos jemi prej atyre njerëzve.” Pejgamberi (Paqja e All-llahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të!) tha: “Ata janë vëllezërit tuaj, prej gjakut tuaj. Ata marrin prej natës çfarë të munden. Kur arrijnë kufijtë që All-llahu ka përcaktuar për ta, ata i shkelin. All-llahut nuk i fshihet asgjë, prandaj frikësojuni Atij, o robër!”

Një natë, Umer ibn el-Hattabi (All-llahu qoftë i kënaqur me të!), doli në rrugë të Medinesë për të parë gjendjen e popullit. Kur iu afrua një shtëpie, dëgjoi një grindje.

 

Eëma i thoshte së bijës: “Oj bija ime, merr ujë dhe hidhja qumështit, sepse tani askush nuk na sheh.” “Umeri (All-llahu qoftë i kënaqur me të!), na e ndaloi këtë të xhuma”. – ia ktheu e bija. “Dëgjon ti?” – bërtiti e ëma me inat. “Pse nuk bën si po të them, hidhi ujë qumështit dhe mos e zgjat, se Umeri është larg nesh.” Iu kthye përsëri e bija: “Vërtet, Umeri është larg nesh e nuk na sheh ne, por na sheh All-llahu, Zoti i botëve.”Kur dëgjoi Umeri fjalët e vajzës, i rodhën lot. U kthye në shtëpi dhe i tha të birit: “Çohu se do të të fejoj me një vajzë.” E mori të birin dhe e çoi te shtëpia e vajzës dhe e fejoi me të”.

Një herë tjetër Umeri (All-llahu qoftë i kënaqur me të!) u gjend pranë një muri. Aty qe një grua që e kishte burrin në xhihad. Ishte një natë e ftohtë. Gruaja ishte në tri errësira: në errësirën e natës, në errësirën e dhomës dhe larg nga burri i saj. E dëgjoi Umeri (All-llahu qoftë i kënaqur me të!) gruan duke thënë: “Sikur të mos më shihte Allahu, do ta ftoja një burrë në shtratin tim, që ta kaloj këtë natë të ftohtë.”

Një gruaje tjetër, kur ishte në shkretëtirë, i afrohet një burrë dhe i thotë: “Nuk na shikon askush, vetëm ai yll.” Ajo ia kthen: “Po Krijuesi i yllit nuk na sheh?”

Dhe tani dëgjoni historinë e fundit, që ka të ndodhur në kohët e mëvonshme, që të shikoni Mbikëqyrjen e All-llahut dhe frytet e saj.

 

Një burrë i quajtur Nuh ibn Merjem kishte shumë pasuri, por mbi të gjitha ishte shumë besimtar. Kishte edhe një vajzë që dallohej për bukuri, por mbi të gjitha edhe ajo kishte besim të madh e moral të lartë. Burri mori një shërbyes. Ai quhej Mubarek. Ai nuk kishte pasuri, por edhe ai kishte kryesoren – besimin dhe moralin e pastër. E dërgoi zotëria e tij te vreshti për ta ruajtur nga vjedhësit. Mubareku vazhdoi ta ruante vreshtin për gati dy muaj. Kur erdhi zotëria i tij te vreshti, i tha: “O Mubarek, shko e më sill një bistak rrushi.” Shkoi Mubareku dhe mori një bistak rrush por rrushi ishte i thartë. “Shko e zgjidh një tjetër”, – i tha përsëri zotëria. I solli përsëri Mubareku një bistak rrush, por prapë rrushi ishte i thartë. “O Mubarek! A nuk e njeh ti të ëmblën nga e tharta apo tallesh me mua?”, – iu hakërrua zotëria. “Jo, për Zotin, nuk po tallem me ty, por unë nuk i kam provuar e as kam futur asnjë kokërr në gojë që prej dy muajsh, sepse ti nuk më ke dërguar për të ngrënë, por për ta ruajtur vreshtin dhe për t’i shërbyer atij. Unë i ruhem shikimit të

All-llahut e jo shikimit të krijesave të Tij.” U habit zotëria dhe i tha: “Më thuaj, cila nga vajzat të pëlqen për nga pasuria, bukuria, prejardhja e besimi?” “Çifutët”,-iu drejtua Mubareku, “zgjidhnin vazja që ishin të pasura; të krishterët zgjidhnin vajza me prejardhje të mirë, kurse shokët e Muhammedit (Paqja e All-lahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) i zgjidhnin besimtare”.

 

Sot, muslimanët i shohin vajzat për pasuri e për bukuri dhe nuk e shohin fare besimin dhe moralin e tyre, duke ngjarë në këtë me ithtarët e Librit (çifutët dhe të krishterët) e për këtë Muhammedi (Paqja e All-llahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e imiton një popull, ai është prej tyre.”

Zotëria e la të lirë Mubarekun. Më pas, Nuh ibn Merjem shkoi tek e bija dhe i tha: “Dëshiroj të të martoj me Mubarekun! Ç’thua ti?”

– A e pëlqen ti atë?i thotë ajo ibn Merjemit.

– Po.

– A është i përshtatshëm për mua?

– Kam kërkuar mjaft, por nuk kam gjetur më të përshtatshëm se Mubareku.

Atëherë, vajza u martua me Mubarekun. Ishte fryt i Mbikëqyrjes së All-llahut. Lindën një djalë. Kush lexon historinë e Islamit e gjen atë djalë, si dijetar të hadithit. E ai është Abdullah ibn Mubarek. Kjo është

përgjigjja e Mbikëqyrjes së Allahut.

O vëllai im musliman! Dije se syri i All-llahut të sheh ty ngado që të shkosh.

O vëllai im musliman! Njihe mbikëqyrjen e All-llahut, se kështu do të bëhesh më i mirë!

O robtë e All-llahut! Kijeni frikë All-llahun për atë që thoni! Kijeni frikë

All-llahun për ato që bëni! Kijeni frikë All-llahun ditën dhe natën.

T’i përmbahemi formës islame në moral dhe veshje ngase në këtë gjindet ringjallja e sunnetit dhe largimi nga pasimi i pabesimtarëve.

           

Me këtë vetëm se kemi kaluar gjysmën e rrugës drejt xhennetit.Të nisemi tani drejt gjysmës së mbetur e cila përfshin shirkun dhe mëkatet duke e vazhduar rrugën pa lodhje dhe mërzi.Ta mohojmë shirkun atë duke:

           

1) Mohimi se ndonjë prej krijesave posedon aftësi të largon çfarëdo të keqe apo t’i sjellë ndonjë të mirë vetes apo ndokujt tjetër pa caktimin dhe dëshirën e All-llahut.Për këtë pra të shpresojmë për çdo të mirë në All-llahun dhe të mbështetemi tek Ai nga çdo e keqe.Vetëm nga Ai të kërkojmë ndihmë dhe shërim ngase askush tjetër prej krijesave nuk e meriton këtë.Prandaj të shpresojmë vetëm në Të dhe të kemi frikë vetëm nga Ai.

           

2) Ne vetëm All-llahun e adhurojmë dhe askujt tjetër përveç Tij nuk i lutemi.Vetën me emrin e Tij betohemi dhe nuk therim në emër të ndonjë varri porse vetëm në emër të Tij.Nuk i zotohemi askujt përveç Atij dhe nuk kërkojmë ndihmë përveç nga Ai.

           

3) Nuk lidhim ndonjë pe apo hajmali për tu mbrojtur me këtë nga syri i keq apo të largojmë nga vetja jonë ndonjë të keqe tjetër.Ngase syrin e keq apo ndonjë të keqe tjetër nuk e largon askush tjetër përveç All-llahut Fuqi Plotë.

           

4) Nuk iu besojmë fallxorëve, magjistarëve apo astrologëve e as asaj në të cilën ata thërrasin duke pretenduar se e dinë të fshehtën. E nuk e di të fshehtën askush përveç All-llahut të Madhëruar.

           

5) Nuk i nënshtrohemi sunduesit, dijetarit apo prindit nëse në këtë bëjmë mëkati ndaj All-llahut.Ngase nënshtrimi ndaj ndokujt përveç All-llahut duke e bërë të ndaluarën të lejuar dhe duke e bërë të lejuarën të ndaluar është shirk.

 

Me këto pesë pika kemi arritur që të njohim tri të katërtat e rrugës për në xhennet. E tani na mbetet edhe pjesa e fundit e ajo është të larguarit nga mëkatet e pas kësaj arrijm deri te dera e xhennetit ku insha All-llah (nëse don All-llahu) do të hyjmë së bashku me ata të cilët hyjnë.

           

1) Ta ruajmë dëgjimin duke mos dëgjuar sende të kota,të cilat përmbajnë mëkat.Mos të dëgjojmë muzikë, shpifje, bartje të fjalëve apo fjalë të cilat shpiejnë në kufër.

           

2) Ta ruajmë shikimin duke mos shikuar në atë që është e ndaluar, në ndonjë femër të huaj qoftë besimtare apo pabesimtare.

           

3) Ta ruajmë gjuhën nga fyerjet, gënjeshtrat apo fjalët e këqia. Mos të dëshmojmë rrejshëm,mos të përgojojmë dhe mos të shpifim.

           

4) Ta ruajmë barkun nga gjërat e ndaluara qoftë ta jeta ushqim apo pije.Mos të ushqehemi me kamatë, me coftirë apo mish të derrit.Mos të pijmë pije dehëse e as mos të pijmë duhan.

           

5) Ta ruajmë organin gjenital duke mos iu afruar askujt përveç bashkëshortes apo asaj që e kemi nën posedim (robëreshës) të cilat na i ka lejuar All-llahun xh.sh.

           

6) Ta ruajmë dorën duke mos u bërë dëm njerëzve me të, t’i rrahim apo t’i vrasim pa të drejtë.mos t’i përdorim duartë [për të luajtur bixhoz apo që të shkruajmë me to ndonjë dëshmi të rrejshme.

           

7)Ta ruajmë këmbën duke mos shkuar në vendet e ndyta, të ndaluara e të këqia.

           

8) Ta mbajmë fjalën e dhënë, të dëshmojmë drejtë dhe t’i zbatojmë premtimet.Mos të dëshmojmë rrejshëm dhe mos të bëhemi prej atyre të cilët e shkelin fjalën e dhënë.

           

9)Ta ruajmë pasurinë, mos ta hargjojmë kot por ndërkohë edhe mos të jemi koprrac. Mos ta humbim por edhe mos ta grumbullojmë tepër duke mos e shpenzuar në rrugën e All-llahut.

           

10)Të kujdesemi për familjet tona qoftë në aspektin fizik apo ate psiqik, të kujdesemi për moralin dhe besimin e tyre.T’i mbrojmë nga çdo send që ua shkatërron shpirtin apo mendjen e tyre.

           

Kjo ishte rruga, o ju kërkues të xhennetit, të jemi pra të përgatitur që t’i zbatojmë këto pika në jetën tonë duke u armatosur me dituri të vërtetë nga Libri i All-llahut Të Madhëruar dhe nga Sunneti i të Dërguarit të Tij Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve selem.

 

 

Alijj Hasena

Mare nga“Xhenneti – begatitë e tij dhe rruga për në të”

Përktheu: Fatmir Idrizi, Kavajë

Burimi: http://www.islamifejaevertete.com/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read