BallinaAKIDEAkide të ndryshmeI rehatuar dhe të rehatuar - Llojet e njerëzve që rrugëtojnë nga...

I rehatuar dhe të rehatuar – Llojet e njerëzve që rrugëtojnë nga kjo botë në botën e përhershme

I rehatuar dhe të rehatuar

Transmetohet se pranë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem e kaluan një xhenaze dhe ai tha: “I rehatuar dhe të rehatuar prej tij.” Sahabët e pyetën: “O i Dërguar i Allahut, çfarë do të thotë kjo?” Iu tha: “Kur vdes besimtari, rehatohet prej lëndimeve dhe lodhjeve të jetës së kësaj bote dhe shkon për te Mëshira e Allahut. Kur vdes ai që është mohues, dyfytyrësh (në besim), mëkatar i madh, prej tij rehatohen njerëzit, vendet, pemët, drunjtë dhe kafshët.” Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith na përshkruan llojet e njerëzve që rrugëtojnë nga kjo botë në botën e përhershme, e të cilët janë dy lloje:  1. Të rehatuar prej jetës së kësaj bote, 2. Të rehatuar të tjerët prej tij.

  • I rehatuari

Vdekja është e pashmangshme. Çdokush që është mbi sipërfaqen e tokës do të vdesë. Besimtari, beson se vdekja e ka një kohë të caktuar që do t’i vijë. Besimtari nuk jeton me frikën prej vdekjes, në lemeri a tmerr ndaj saj. Frika prej vdekjes nuk e kthen mbrapshtë atë, ” Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë. Xhumah 8. Çështja e vdekjes i lehtësohet besimtarit edhe më shumë kur e di se ajo ka qenë derë në të cilën kanë hyrë dhe të tjerët para tij, prej Pejgamberëve, besimtarëve të sinqertë, të devotshëm etj.

Kur njeriu pendohet prej mëkateve, atëherë vdekja, si sprovë, sado që është e madhe, i lehtësohet atij, sado që ashpërsohet zbutet.

Ai i cili do të jetë i rehatuar pas vdekjes së tij është ai i cili:

-është i kënaqur që Allahu është Zoti i Tij, që Islami është feja e tij dhe që Muhamedi është i Dërguari i tij,

-do të vdesë larg shkeljes së të drejtave të të tjerëve,

– është përgatitur për ditën e kthimit tek Allahu,

-largohet prej kënaqësive të kësaj jete,

-i ka gjallëruar xhamitë (është falur me xhemat në xhami),

-dëshiron takimin me Allahun,

-ka qenë i devotshëm në jetën e kësaj bote,

-ka lënë pas vetes një lëmoshë rrjedhëse, dije të dobishme, fëmijë të mirë që lutet për të,

-ka thirrur për tek Allahu,

-ka qenë i dobishëm për njerëzit,

-e ka ruajtur dëgjimin, shikimin e zemrën prej gjërave të këqijave e ndalesave,

-ka jetuar me brengën e kësaj feje,

-ka jetuar mes frikës dhe shpresës,

-ka pasur brengë jetën e ahiretit dhe në këtë jetë ka jetuar si udhëtar,

-e ka shfrytëzuar shëndetin para sëmundjes, duke bërë vepra të mira, e ka shfrytëzuar rininë para pleqërisë duke vepruar vepra të mira, e ka shfrytëzuar kohën e lirë dhe pasurinë në vepra të mira,

-është rritur në adhurim ndaj Allahut dhe ia jep lamtumirën kësaj jete duke qenë në këtë gjendje,

-ajo grua që i është përmbajtur mësimeve kuranore dhe sunetit, mbulesës, që e ka ruajtur nderin e saj dhe ka vdekur në këtë gjendje.

Me një fjalë, i rehatuar do të jetë ai që ka vepruar me urdhrat e Allahut duke u bazuar në argumente prej Tij dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij, gjithashtu ai i cili është ruajtur prej ndalesave të Allahut duke u bazuar në argumente prej Tij dhe duke pasur frikë dënimin e Tij. Për të tillin, kënaqësitë e kësaj jete janë më të parëndësishme dhe më të pavlefshme sesa të ndihet keq apo të dëshpërohet nëse largohet prej jetës së kësaj bote përmes vdekjes. Si të mos jetë kështu kur besimtari e di se vdekja është një urë lidhëse mes jetës së kësaj bote dhe kënaqësisë së përhershme?! Allahu thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” Ali Imran 185.

Allahu nuk ia merr njeriut një dhunti të cilën ia ka dhuruar dhe me të cilën e ka begatuar, veçse do t’ia japë një dhunti e mirësi edhe më të madhe. Andaj, nuk ia merr këtë jetë (duke e bërë të vdesë) e cila është e dobët, e pa përkryer, veçse do t’ia japë një jetë e cila është më e bukur, e përhershme dhe më e mirë në të gjitha aspektet. Kahja ibn Muadh rahimehullah ka thënë: “Vetëm ai që ka dyshime në fenë e tij, e urren takimin me vdekjen, ngase vdekja e afron të dashurin (besimtarin) me të Dashurin (me Allahun).” Një beduin ka thënë: “Si t’i frikësohem shkuarjes tek Ai, prej të Cilit na ka ardhur çdo e mirë?!” Allahu ka thënë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Fussilet 30.

Besimtari përmes vdekjes rehatohet dhe qetësohet, ngaqë ai sheh se jeta e kësaj bote është vetëm një periudhë sprove, e provimit, “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” Mulk 2. Për hallallin (lejesen) në këtë jetë, njeriu do të japë llogari, ndërsa për haramin (ndalesën) do të dënohet. Kjo jetë është shtëpi e mjerimit, e goditjes së sprovave etj. Andaj dhe besimtari është i rehatuar ngase ai kur të vdesë largohet prej një jete e cila është botë ku ka brenga, sëmundje, varfëri, vdekje të të afërmve, ndarje me të afërtit, frikë, uri etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çfarë kam të bëj unë me dunjan?!  Çfarë ka të bëj ajo me mua?!” D.m.th.: s’kam të bëj asgjë me të, nuk jam i preokupuar pas saj. “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Shembulli im me shembullin e dunjasë është sikur se kalorësi i cili ka udhëtuar në një ditë vere të nxehtë dhe ka zbritur nën hijen e një peme që të pushojë disa çaste, e pastaj është ngritur e është larguar.”

Besimtari rehatohet dhe qetësohet pas vdekjes ngase do të përjetojë kënaqësi e rehati në xhenet, do të takohet me një Zot që është i kënaqur me të e jo i zemëruar; do të jetojë në një banesë ku banorët e saj do të jenë gjithmonë në shëndet, do të jetojnë përherë, ku nuk do të lodhen, nuk do të nxirren nga aty, ku ka të mira të cilat syri kurrë nuk i ka parë e as veshi nuk ka dëgjuar për to dhe as zemra nuk arrin t’i imagjinojë ato, do të jetë në një shtëpi ku rrobat nuk vjetërsohen, rinia nuk largohet, ku do të kenë shtretër luksozë, do të kenë atë që ua dëshiron syri e shpirti, e vazhdimisht do të kenë fjalë të mira prej Zotit i Cili do t’i përshëndesë me selam dhe kështu me radhë.

Besimtari qetësohet e rehatohet kur ndahet nga shtëpia (kjo jetë) e lodhjes për te shtëpia e rehatisë, qetësisë dhe pastërtisë. Vdekjen e sheh si një derë përmes të cilës kalon prej kësaj jete në këtë shtëpi (në xhenet) të nderimit dhe përmes të cilës shpëton nga mjerimi i kësaj jete. Brengat e shqetësimet mbarojnë për besimtarin atëherë kur vdes, kur largohet nga kjo jetë, ngase ajo e ndal dhe e pengon atë prej të mirave e kënaqësive të amshueshme që e presin pas jetës së kësaj bote.

Sikur mos të kishte të mirë përveç faktit se ajo është një derë përmes të cilës kalon në botën tjetër, ku ka kënaqësi e të mira që e presin atë, do të mjaftonte kjo që besimtari të mos i frikësohet asaj.

Ky këndvështrim ndaj jetës e vdekjes ka bërë në të kaluarën që të dalin breza me zemra të mbushura me trimëri, me synim ahiretin dhe njerëz të botës tjetër.

  • Ai prej të cilit rehatohen të tjerët

Këta janë kategori të shumta, janë shkak i çdo belaje dhe sprove me të cilat goditen njerëzit e tjerë. Këta janë shkëndijë të fatkeqësive. Allahu thotë: Këta u kanë bërë padrejtësi të madhe vetes së tyre dhe të tjerëve, janë mëkatarë. Këta dëshirojnë që imoraliteti dhe gjërat e pahijshme të përhapen në mesin e besimtarëve. Luftojnë gjërat me vlera. Janë kriminelë që bëjnë shkatërrime nëpër tokë, vrasin njerëz nëpër vendet e tyre. Këtu përfshihen edhe ata që tregtojnë drogë apo alkool, gjëra këto të cilat bëhen shkak për përçarje të familjeve dhe shoqërive. Gjithashtu përfshihen dhe ata që nuk e falin namazin, por pasojnë epshet, dhe ata që shkelin kufijtë që ka vendosur Allahu. Këta dhe të tjerë, kut vdesin, rehatohen vendet, njerëzit, pemët e kafshët. Nuk ka fatkeqësi me të cilën goditen njerëzit veçse kjo është për shkak të mëkateve. Njeriu privohet prej furnizimit për shkak të mëkateve. Madje, edhe zogjtë në foletë e tyre dhe kafshët në vrimat e tyre luten kundër mëkatarëve. Allahu thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë Shura 30.

Andaj, të gjithë njerëzit do të largohen nga jeta e kësaj bote. Mirëpo, një grup i njerëzve kur vdesin, kujtimi për ta do të mbetet i gjallë, për shkak të gjurmëve të mira që kanë lënë, jetës së pastër që kanë bërë, veprave të mira që i kanë kryer. Këta do të gjejnë rehati e qetësi pas vdekjes. Ndërsa, një grup tjetër lënë gjurmë që tregojnë për padrejtësi, shtypje e kryelartësi, që i kanë vepruar në tokë.

Hoxhë Lulzim Perçuku

Must Read