BallinaARTIKUJHadith dhe SunetEDHE GJEMBI ËSHTË FALJE PËR BESIMTARIN

EDHE GJEMBI ËSHTË FALJE PËR BESIMTARIN

Ebu Hurejra r.a. transmeton se profeti (sallallahu alejhi ue sellem) ka thënë: “Nuk e godet muslimanin asnjë rraskapitje e asnjë sëmundje, asnjë brengë e as një hidhërim, asnjë vuajtje e as një ngushtim zemre, gjer dhe gjembi që e ther, e të mos ia falë Allahu gjynahet për shkak të tyre”. E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Në një transmetim të imam Muslimit thuhet: “ … gjer dhe shkarja e këmbës apo gjembi që e ther”.

Aishja r.a. transmeton se i dërguari i Allahut (sallallahu alejhi ue sellem) ka thënë: “Me çdo fatkeqësi që e godet muslimanin Allahu ia shlyen atij (gjynahet), gjer dhe gjembi që e ther”. E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Fatkeqësitë nuk janë vetëm zemërim i zotit siç përpiqen të na tregojnë disa. Ne muslimanët besojmë që kjo jetë është e përkohshme dhe se jeta tjetër ajo është jeta e vërtetë. Në këtë botë besimtari sprovohet me sprova të shumta, për t’u kalitur, për t’u dëlirësuar, për t’iu përforcuar besimi. Fatkeqësitë janë burim besimi dhe kthimi te zoti. Ato vetëm lëkundin besimtarin por jo besimin e tij.

Transmeton Ebu Hurejra se i dërguari i Allahut ka thënë: “Shëmbulli i besimtarit është si shëmbulli i të mbjellave, era i lëkund përherë. Ndërsa shëmbulli i të shtirurit si besimtar (munafikut) është si shëmbulli i pishës, nuk lëkundet derisa të pritet”. E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi. Teksti është sipas transmetimit të Muslimit.

Kuptimi i hadithit është që besimtari goditet vazhdimisht nga sprovat të cilat e lëkundin, por nuk e “shkulin”, sepse ai i përballon ato me besim, njësoj si gruri dhe të mbjellat, ato lëkunden nga era, por nuk këputen. Ndërsa hipokriti i shtirur nuk nxjerr mësim nga sprovat dhe nuk goditet shpesh me to, deri kur t’i vijë dita e të shkulet një herë e mirë, ashtu si pema e pishës së erzit (një lloj i madh pishe) që nuk ndikohet nga era, deri sa të vijë dita e të pritet apo të shkulet nga rrënjët.

Imam Neveviu për shpjegimin e këtij hadithi thotë: “Dijetarët kanë thënë: “Kuptimi i hadithit është që besimtari preket nga dhimbje të shumta, në trup, në familje dhe në pasurinë e tij, por kjo është falje për gjynahet dhe ngritëse e gradave të tij. Ndërsa pabesimtari preket më pak, e nuk i falen gjynahet, e vjen i ngarkuar me gjynahe të plota ditën e gjykimit”.

Tërmetet lëkundin vetëm tokën dhe lëndojnë besimtarin në ndienja, por ato nuk lëkundin bindjen e besimit në zemrën e tij. Tërmetet dërrmojnë dhe thërrmojnë ndërtesat dhe banesat, por janë të pafuqishme të thyejnë besimin e besimtarit dhe mbështetjen te zoti i tij. Ato vetëm na trondisin në këtë botë për të shkuar të pastër në botën tjetër, për t’i shpëtuar tronditjes së madhe, tronditjes së ditës tjetër. Ato janë falje dhe mëshirë për besimtarin.

Në anën tjetër, fatkeqësitë janë dëshmi e gjallë për unitetin e besimtarëve dhe unitetin të këtij umeti. Shumë prej nesh nuk kanë fjetur gjumë të qetë dje. Edhe pse nuk kemi shumë mjete dhe mundësi në dorë, ndjenjat janë të njëjta, dhimbja është e njëjtë. Dhimbja e tyre është edhe e jona, fatkeqsia e tyre është edhe e jona. I dërguari i Allahut ka thënë: “Shëmbulli i besimtarëve në dashamirësinë, mëshirën dhe ndjenjat e ndërsjellta është si shëmbulli i trupit; kur një organ ankohet, pjesa tjetër ndërvepron me pagjumësi dhe zjarrmi”. E transmeton Muslimi.

Allahu i mëshiroftë besimtarët e vdekur dhe i ndihmoftë të mbijetuarët në këtë “stuhi” tërmetesh! Amin!

Hoxhë Florian Leli

Must Read