Me Allahun e Lartësuar
I lavd-falënderuar është Allahu i Lartësuar.
Ai i cili meriton salavatet dhe selamet është Muhamedi dhe familja e tij.
Për besimtarin është shumë më rëndësi që të jetë me Allahun vazhdimisht, kur është i fortë dhe i dobët, i pasur dhe i varfër, i gëzuar dhe i hidhëruar, i ri dhe i vjetër.
Me Allahun në fluturimin e mendimeve,
Me Allahun në vështrimet e syrit.
Me Allahun në momentet e gjumit,
Me Allahun kur je edhe zgjuar.
Me Allahun kur zemra është hutuar,
Me Allahun kur shpirti ankon e rënkon.
Me Allahun në të sotmen e përfunduar,
Me Allahun në të nesërmen e pritur.
Me Allahun në çastet e fëmijërisë,
Me Allahun kur dobësohesh në pleqëri.
Me Allahun para dhe gjatë jetës,
Me Allahun pas saj në varr.
Me Allahun seriozisht në punët tona,
Me Allahun kur jemi në takimet e mbrëmjes.
Me Allahun kur i duam të devotshmit,
Me Allahun edhe kur i urrejmë të këqijtë.
Biseda për njerëzit e mëdhenj, imamët e historisë, të Islamit, të diturisë e kulturës vërtet është gjë e bukur. Por edhe më e bukur është kur bisedon dhe kujton siren, jetëshkrimin e Pejgamberëve të Allahut, sidomos për imamin e tyre, Muhamedin sal-lallahu alejhi ve selem.
Ndërsa ajo edhe më e bukura, më e mira dhe më e larta është kur njeh Allahun e Lartësuar. Muhamedi sal-lallahu alejhi ve selem ka thënë: “Njihe Allahun kur je mirë, që të të njohë në nevojë.” (Shënon Ahmedi)
Do ta njohësh Allahun e Lartësuar duke i lexuar dhe kuptuar emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta.
Njohja e Allahut do të thotë ngushëllim për të pikëlluarit, siguri për të frikësuarit, krenari për të shtypurit, fuqi për të dobëtit, pasuri për të varfrit.
Të gjithë njerëzit kanë nevojë për Allahun e Lartësuar, të mëdhenjtë, kryetarët, mbretërit, të pasurit, të gjithë kërkojnë prej Allahut.
Kur e godet fatkeqësia, e kap brenga, sprovohet me sëmundje e të tjera, i kthehet Allahut duke klithur “o Allah”.
Mos harro se edhe ata që nuk besojnë, që e kanë harruar Allahun apo e mohojnë Atë, kur sprovohen e ndiejnë pafuqinë njerëzore dhe bërtasin me apo pavetëdije “o Allah”.
Vëlla!
Kujto shefin e të pafeve, Faraonin, i cili tha: “Unë jam zoti juaj më i lartë!” (Naziat: 24)
“O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!” (Kasas: 38)
Ishte po ai që me këtë bindje në momentet vendimtare të jetës së tij, pra të fundosjes në det, tha:
“Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit dhe unë jam ndër muslimanët.” (Junus: 90)
Besoi Allahun e Lartësuar, iu lut dhe e thirri, por ishte vonë.
“Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?! Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” (Junus: 91-92)
Të nderuar!
Mendoni dhe parafytyroni përfundimin e njerëzve zullumqarë, tiranë e diktatorë, Hitlerin, Stalinin, Enverin, Millosheviçin, etj.
Allahu im! Të lutem mos na sprovo në këtë mënyrë!
Vallë, pse besimtari të mos jetë i dëgjueshëm, të jetë më afër Allahut? Kjo nuk të pengon të përjetosh kënaqësitë e lejuara të dynjasë; të mirat e kësaj bote më besim (iman) shtohen edhe më tepër.
Koha më e mirë dhe më e begatshme është kur robi është afër Zotit të tij duke e përkujtuar, falënderuar, adhuruar dhe përgjëruar.
Zoti yt është afër teje, kur ti mendon, kur zemra pulson, sepse nata dhe dita jote janë në dorën e Allahut të Lartësuar. Atij asgjë nuk i fshihet.
Allahu i Lartësuar i tha Musait alejhis-selam dhe Harunit alejhis-selam: “Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” (Taha: 46)
Ki kujdes dhe bindu se Allahun e ke më afër se ç’mendon:
“Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.” (Kaf: 16)
I nderuar!
Patjetër që duhesh ta njohësh Allahun e Lartësuar. Kjo arrihet duke u njohur me emrat dhe cilësitë e Allahut Fuqiplotë.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to” (Araf: 180)
I Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu i Lartësuari ka 99 emra, një më pak se njëqind. Vepro sipas tyre e do të hysh në xhenet. Allahu është vitër (tek) dhe e do vitrin.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi.)
Atëherë lexoje Librin e Allahut për ta njohur Allahun, emrat e Tij janë të shumtë, libri i Tij nuk ka të sosur, fjalët e Zotit nuk përfundojnë. Kuptimet e fjalëve të Tij janë detyra, oqeane të pafund. Lexo fjalën e Allahut:
“Thuaj: “Sikur deti të ishte bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim, sigurisht që ai do të shterej, para se të soseshin fjalët e Zotit tim, edhe sikur Ne të sillnim si ndihmë edhe një det tjetër si ai.” (Kehf: 109)
“Sikur të gjithë drurët, që gjenden në tokë të ishin pena e deti bojë shkrimi e t’i shtohen atij edhe shtatë dete të tjera, nuk do të shtereshin fjalët e Allahut. Pa dyshim, Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Lukman: 27)
Të nderuar!
Mësimi i emrave të Allahut është me rëndësi të madhe sepse përmes mësimit të emrave të Allahut ne e adhurojmë Atë. Emrat e Allahut, përveçse janë emra në vetvete, posedojnë edhe cilësi të plota. Emrat e Allahut i mësojmë në Kuran dhe Sunet.
Ti mësosh emrat e Allahut dhe cilësitë e Tij është një pasuri për besimtarin në këtë botë dhe në botën tjetër. Kush i mëson emrat e Allahut, ka një besim të paluhatshëm dhe u bën ballë sprovave dhe telasheve të kësaj bote.
Atëherë, le të njihemi me emrat e Allahut Fuqiplotë, t’i mësojmë dhe t’i përsërisim me bindje dhe besim e pa dyshim që do ta shijojmë ëmbëlsinë e njësimit të Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij.
Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
Burimi: http://www.islamifejaevertete.com/
——————————————– .
Referencat:
– “KURANI i madhërishëm”, Përktheu kuptimet e tij nga gjuha arabe: Prof. Hasan I. Nahi
– “ME ALLAH”, Dr. Selman bin Fehd el-Avde.
– “VE LILAHIL ESMAUL HUSNA FEDUHU BIHA”, Ihda Talibat el-Ilm.