BallinaPraktikaHaxhiUdhërrëfyes ditor i haxhiut

Udhërrëfyes ditor i haxhiut

 

Udhërrëfyes ditor i haxhiut

 

Përshkrim i shkurtuar i punëve të cilat duhet t’i bëjë haxhiu gjatë ditëve të Haxhit, secili sipas llojit të haxhit që e ka përzgjedhur.


DITA:

Çka bën haxhiu para ditës së tetë të Dhul Hixh-xhes

 

      Ai që haxhin e ka Ifrad (bën nijet vetëm Haxhin)

     (1) Ihrami prej Mikatit[1] dhe bën telbije duke thënë: Lebbejke Haxh-xhen (Të përgjigjem o Zot me haxh)

     (2) Banorët e Mekës dhe ata që janë në të nuk duhet të dalin në mikat për ta bërë nijet por, haxhin e bëjnë nijet nga shtëpitë e tyre.

     (3) Tavafi i Kudumit (Për arritjen në Mekë)

     (4) Sa’ji (ecja mes Kodrës Safa dhe Merva): Nëse Mufridi[2] nuk e kryen sa’jin  pas tavafit apo shkon menjëherë në Mina ai duhet të kryejë sa’jin pas Tavaful Ifada (Tavafi i cili kryhet pas ditës së bajramit dhe përfundimit të shumicës së riteve të Haxhit) dhe mbetet në ihrama gjer në ditën e Bajramit.

     –  Ai që ndërthur mes Haxhit dhe Umres

    (1) E bën nijetin prej mikatit dhe e thotë telbijen: Leb-bejke umreten ve haxh-xhen (O Allah, i përgjigjem thirrjes Tënde për të kryer haxhin dhe umren)

    (2) E kryen tavafin e Kudumit.

    (3) Sa’ji: Dhe lejohet vonimi i tij gjer pas tavafit të Ifadas. (Haxhiu mbetet në ihramat e tij si dhe iu largohet gjërave të ndaluara për të gjer në ditën e Bajramit)

     – Ai që ndërthur mes haxhit dhe umres me një pushim në mes.

     (1) E bën nijet prej mikatit dhe thotë: Leb-bejke umreten  mutemet-tian ilal haxh-xhi (O Allah, i përgjigjem thirrjes Tënde për të kryer umren)

     (2) Tavafi i Kudumit (Umreja)

     (3) Sa’ji.

     (4) Rruajtja e flokëve apo shkurtimi i tyre.

     (5) Dalja nga ihramat dhe ka të drejtë të bëjë çdo gjë që i ndalohet me veshjen e ihramit gjer në ditën e tetë.

 

Dita  e tetë e DhulHixhes

    

   \Mufridi\ Shkon deri në Mina (I fal në të pesë namaze duke i shkurtuar por, pa e bashkuar drekën me ikindinë e as akshamin me jacinë dhe e fal namazin e Sabahut ditën e nesërme.

     \El Karin\ Shkon deri në Mina (I fal në të pesë namaze duke i shkurtuar por, pa e bashkuar drekën me ikindinë e as akshamin me jacinë dhe e fal namazin e Sabahut ditën e nesërme.

     \El Mutemeti’\ Shkon deri në Mina (I fal në të pesë namaze duke i shkurtuar por, pa e bashkuar drekën me ikindinë e as akshamin me jacinë dhe e fal namazin e Sabahut ditën e nesërme.

 

Dita e nëntë e Dhul Hixhes – Arafati

  

      (1) Nisja për në Arafat pas daljes së Diellit. E falë në të drekën dhe ikindinë në kohën e drekës me një ezan dhe dy ikamete si dhe i bashkon namazet dhe i shkurton. Haxhiu duhet ta dijë se është synet për të ta përmend shpesh Allahun, të lexoj Kuran dhe të bën dua ditën e Arafatit.  Synet është që gjatë duasë të kthehet drejt Kibles e jo drejt kodrës – Er Rrahmeh. Është synet gjithashtu t’i ngritë duart gjatë duasë  sikurse që ka vepruar Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Agjërimi është mekruh për haxhiun dhe Vadi Arene (Lugina Arene) nuk është prej Arafatit, prandaj nuk është i vlefshëm qëndrimi në të si dhe nuk lejohet hipja në kodrën e Arafatit.

     (2) Nisja drejt Muzdelifes pas perëndimit të diellit me qetësi dhe …

     (3) E falë akshamin dhe jacinë kur të arrin në Muzdelife duke i bashkuar dhe shkurtuar ( bashkim të mëvonshëm d.m.th. në kohë të jacisë) me një ezan dhe dy ikamete.

     (4) I mbledh shtatë guraleca për ta gjuajtur Xhemretul Akabe e lejohen të merren edhe nga Mina. Guralecët duhet të jenë mes kokrrës së humusit[3]  dhe kokrrës së lajthisë d.m.th sa një kokërr bathe (fasulje).

     (5) E kalon natën në Muzdelife dhe pastaj e fal namazin e sabahut në fillim të kohës së tij dhe e shton dhikrin dhe lutjet pas namazit. Preferohet qëndrimi pranë Mesharil Haram dhe shtimi i duasë gjersa të zbardhet horizonti d.m.th. zbardhja e ditës para se të dalë dielli. Atyre që janë të dobët iu lejohet të dalin nga Muzdelife pas gjysmës së natës (pas perëndimit të diellit).

 

Dita e dhjetë e Dhulhixhes

 

\el Mufrid\ Nisja drejt Minas – pas lindjes së Diellit

     (1) Gjuajtja e Xhemretul Akabes me shtatë guralecë duke marrë tekbir me gjuajtjen e çdo guraleci.

     (2) Rruajtja e flokëve apo shkurtimi i tyre dhe rruajtja e tyre është më mirë. Ndërsa gruaja i shkurton flokët e saj sa majët e gishtërinjve.

     (3) Dalja nga Ihramat dhe veshja e teshave. (Et Tehal-lul El Asgar – Lirimi i parë nga ihrami)

     (4) Tavaful Ifada (Et Tehal-lul El Ekber – lirimi i dytë nga ihrami) dhe ai është shtyllë e haxhit. Lejohet vonimi i tij deri në ditën e njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë apo bashkimi i tij me tavafin Lamtumirës.

      (5) Sa’ji pas tavaful Ifada nëse nuk e ka bërë Sajin pas tavaful Kudumit.

 

\El Karin\ Nisja drejt Minasë pas lindjes së Diellit

 

     (1) Gjuajtja e Xhemretul Akabes me shtatë guralecë duke marrë tekbir me gjuajtjen e çdo guraleci.

     (2) Prerja e Kurbanit dhe përjashtohen nga kjo rregull banorët e Haremit sepse ata nuk obligohen me kurban.

     (3) Rruajtja e flokëve apo shkurtimi i tyre. Ndërsa gruaja i shkurton flokët e saj sa maja e gishtit.

     (4) Dalja nga Ihramat dhe veshja e teshave. (Et Tehal-lul El Asgar – Lirimi i parë nga ihrami)

     (5) Tavaful Ifada (Et Tehal-lul El Ekber – lirimi i dytë nga ihrami) dhe ai është shtyllë e haxhit. Lejohet vonimi i tij deri në ditën e njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë apo bashkimi i tij me tavafin lamtumirës.

     (6) Sa’ji pas tavaful Ifada nëse nuk e ka bërë Sajin pas tavaful Kudumit.

 

\el Mutemeti\ Nisja drejt Minasë – para daljes së Diellit.

 

     (1) Gjuajtja e Xhemretul Akabes me shtatë guralecë duke marrë tekbir me gjuajtjen e çdo guraleci.

     (2) Prerja e Kurbanit dhe kjo vazhdon gjer në perëndimin e diellit të ditës së trembëdhjetë dhe përjashtohen nga kjo banorët e haremit.

     (3) Rruajtja e flokëve apo shkurtimi i tyre dhe rruajtja është më mirë.

     (4) Dalja nga Ihrami dhe veshja e rrobave.

     (5) Tavaful Ifada (Et Tehal-lul El Ekber – lirimi i dytë nga ihrami) dhe ai është shtyllë e haxhit. Lejohet vonimi i tij sikur që u përmend te El Mufrid dhe El Karin.

     (6) Sa’ji – dhe është shtyllë në këtë lloj të haxhit. Lejohet vonimi i tij deri të nesërmen apo ditën që vjen pas saj apo edhe kryerja e tij pas tavafit Lamtumirës.

 

Dita e njëmbëdhjetë e Dhul Hixhes

 

     (1) Bujtja në Mina natën e njëmbëdhjetë (obligim).

     (2) Gjuajtja e Xhemerateve pas largimit të diellit nga zeniti duke filluar nga e vogla, pastaj e mesmja dhe  e madhja. ( gjuhen shtatë guralecë për çdo xhemre). Merr tekbir gjatë gjuajtjes së çdo guraleci dhe lutet pas gjuajtjes së Xhemres së vogël dhe të mesme vetëm.

 

Dita e dymbëdhjetë e Dhulhixhes

    

     (1) Bujtja në Mina natën e dymbëdhjetë (obligim).

     (2) Gjuajtja e Xhemerateve pas largimit të diellit nga zeniti duke filluar nga e vogla, pastaj e mesmja dhe  e madhja. ( gjuhen shtatë guralecë për çdo xhemre). Merr tekbir gjatë gjuajtjes së çdo guraleci dhe lutet pas gjuajtjes së Xhemres së vogël dhe të mesme dhe i lejohet atij shpejtimi ashtu që ecën nga Mina gjer në Meke para se të perëndon dielli dhe më pas bën tavafin e Lamtumirës.

 

Dita e trembëdhjetë e Dhulhixhes

 

     (1) Gjuajtja e Xhemerateve pas largimit të diellit nga zeniti duke filluar nga e vogla, pastaj e mesmja dhe  përfundon me të madhen. (Gjuhen shtatë guralecë për çdo xhemre). Merr tekbir gjatë gjuajtjes së çdo guraleci dhe lutet pas gjuajtjes së xhemres së vogël dhe të mesme.

     (2) Largimi prej Minas drejt Mekës dhe kryerja e tavafit të Lamtumirës i cili është obligim, pastaj largohet nga Mekja. Ai që e lë atë duhet të prej kurban si shpagim por, kjo nuk vlen për gratë lehone apo ato që kanë menstruacione.

 

     Vërejtje:

     Pas daljes së parë nga ihrami (Et Tehal-lul El Asgar) i lejohet haxhiu çdo gjë përveç marrëdhënieve intime. Ndërsa pas tavafit Ifada (Et tehal-lul El Ekber – daljes së dytë nga Ihrami) i lejohet çdo gjë, e edhe marrëdhëniet intime dhe kjo nëse ka parapri Saji në llojet e haxhit Ifrad apo Kiran. Ndërsa El Mutemet-ti  patjetër duhet ta kryejë Sajin para se të del përfundimisht nga Ihrami (Et Tehal-lul El Ekber).

 

     Përkujtim:

     Ditët e Haxhit janë ditë të lutjes, përmendjes së Allahut, leximit të Kuranit dhe thirrjes në rrugë të Allahut. Kështu që shfrytëzoje kohën tënde në atë që ke dobi dhe ke kujdes të merresh me atë që nuk të sjell dobi. Allahu i lartësuar thotë:

Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. Çka punoni nga e mira, All-llahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time. (El Bekare: 197)

 

 

Shtyllat (Ruknet) e Haxhit

 

     1- Ihrami (Nijeti): D.m.th. bërja nijet për të hyrë në adhurimin e haxhit.

     2- Qëndrimi në Arafat.

     3- Tavafi i Ifadas.

     4- Sa’ji (ecja) mes Safasë dhe Merves.[4]

 

Obligimet e Haxhit

 

     1- Ihrami prej Mikatit.

     2- Qëndrimi në Arafat gjer në perëndimin e Diellit.

     3- Bujtja në Muzdelife natën e Bajramit.

     4- Bujtja në Mina ditëve të Teshrikut. ( Ditën e 11, 12  dhe 13)

     5- Gjuajtja e guralecëve.

     6- Rruajtja e flokëve apo shkurtimi i tyre.

     7- Tavafi i Lamtumirës.[5]

 

Synetet e Haxhit

 

     1- Larja para se ta bëj nijetin (ihramin).

     2- Veshja e Ihramit të përbërë prej izarit (pjesës së poshtme) dhe ridait (pjesës së epërme), me ngjyrë të bardhë për burrat.

     3- Thënia e Telbijes dhe ngritja e zërit me të.

     4- Bujtja në Mina natën e Arafatit.

     5- Puthja e Haxherul Esvedit (Gurit të Zi).

     6- El Idtiba (vendosja e ridasë nën sqetullën e djathtë ashtu që të shpaloset supi dhe krahu i djathtë gjatë tavafit të Kudumit apo të Umres).

     7- Err Rreml (Shpejtimi në tre rrathët e para të tavafit të Kudumit dhe të Umres).

     8- Tavafi i Kudumit për atë që ka përzgjedhur haxhin Kiran apo Ifrad.

 

Ndalesat gjatë kohës kur njeriu është në Ihram

 

     1-  Rruajtja  e flokëve ose shkurtimi i tyre.

     2-  Shkurtimi i thonjve.

     3-  Mbulimi i kokës me kapelë ose të ngjashme që ngjitet për kokë – për meshkujt.

     4-  Veshja e rrobave të qepura – për meshkujt.

     5-  Përdorimi i parfumit.

     6-  Veshja e dorëzave – për gratë.

     7-  Veshja e Nikabit – për gratë.

     Ai që i vepron ndonjërën nga këto shtatë ndalesa me padije apo nga harresa nuk obligohet me diçka, ndërsa ai që i vepron qëllimisht, atëherë obligohet me shpagim me të drejtë të zgjedh mes: “Agjërimit të tre ditëve, ushqimit të gjashtë të varfërve apo prerjes së një deleje.”

     8-  Gjuetia e kafshëve tokësore apo ndihma në këtë apo edhe frikësimi i tij, dhe në vrasjen e tij qëllimisht obligohet shpagimi me një kafshë të njëjtë.

     9-  Lozja me gruan nga epshi – përveç marrëdhënieve intime sikurse prekja, puthja e të ngjashme. Edhe nëse ejakulon nuk e prish haxhin e tij por, duhet të prej kurban një deve.

    10- Lidhja e kontratës martesore për veten apo dikë tjetër – por, nuk ka shpagim për këtë.

    11-  Marrëdhëniet intime: Nëse ndodhin para daljes së parë nga Ihrami (Et Tehal-lul El Ev-vel) haxhi i tij prishet por, megjithatë ai duhet ta plotëson atë deri në fund. Ndërsa vitin tjetër e ka obligim ta kompenson atë. E nëse ndodh pas daljes së parë nga Ihrami, atëherë haxhi i tij është i saktë por, ai duhet të prej një dele.

 

Kurbani

 

     1- Vendi i prerjes: Është Mina dhe lejohet në Meke dhe pjesën tjetër të Haremit.

     2- Koha e prerjes: Ditën e Bajramit dhe tri ditë pas saj.

     3- Lloji i tij: Devetë apo lopët apo delet (qofshin dele apo dhi).

     4- Vitet e mjaftueshme:  Deleja: Kur t’i mbush gjashtë muaj. Dhia: Kur t’i mbush një vjet. Lopa: Kur t’i mbush dy vjet. Deveja: kur t’i mbush pesë vjet. Një dele apo dhi mjafton për t’u prerë kurban për një person. Ndërsa një deve apo lopë mjafton për shtatë persona.

     Ai që nuk gjen kurban apo nuk ka mundësi ta blen, atëherë agjëron tre ditë gjatë haxhit dhe shtatë kur të kthehet te familja e tij. lejohet agjërimi i tyre radhazi apo në ditë të ndara para Bajramit dhe pas tij.

     5- Çka nuk lejohet për Kurban: Kurbani nuk duhet të jetë me një sy, nuk duhet të çalon, nuk duhet të jetë i sëmurë dhe nuk duhet të jetë i dobët dhe i pafuqishëm. Si dhe të mos ketë kafshim apo prerje në brirët dhe veshët e tij d.m.th. të mos i ketë humbur shumica  e tyre.

 
Dar El-Kasim
Përktheu: Driton Lekaj – Burimi: IslamHouse.com Shqip
 


[1]Vende të caktuara ku ai që dëshiron të kryejë Haxhin dhe Umren duhet ta deklaron nijetin e tij dhe të vesh ihramat para se t’i kalon ato.

[2]  Haxhiu që e ka bërë nijetin e haxhit vetëm – Ifrad.

[3] Bimë e njohur në vendet e Shamit ku kokrrat e saj hahen të thata dhe të pjekura.

[4] Ai që i lë këto shtylla apo ndonjërën prej tyre haxhi i tij nuk plotësohet gjersa të mos e kryejë atë.

[5]  Ai që e lë ndonjërën nga këto obligime (vaxhibe) atëherë e shpaguan me prerjen e një kurbani në Mekë dhe iu shpërndahet të varfërve në të. Ai nuk hanë prej këtij kurbani asgjë dhe pasi që ta vepron këtë haxhi i tij është i saktë.

Must Read