BallinaAKIDEAkide të ndryshmeIslami ngrihet mbi pesë shtylla

Islami ngrihet mbi pesë shtylla

Abdullah ibn Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla:

1. Mbi dëshminë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi (sal-lallahu alejhi ue selem) është i Dërguari i Allahut,
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit,
4. Kryerjen e haxhillëkut dhe
5. Agjërimin e Ramazanit.”

(E shënojnë Buhariu, numër 8 dhe Muslimi, numër 16)

Komenti:

Në këtë hadith, i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) na sqaroi se ekzistojnë pesë gjëra që janë më të rëndësishmet; janë gjërat më obligative në fenë islame, të cilat quhen shtyllat e Islamit.

Shtylla e parë: Dëshmia: La ilahe il-lallah Muhamed resulullah – Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Kjo shtyllë është më madhështorja. Andaj, ai që thotë me gjuhën e tij: Dëshmoj se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut dhe e beson me zemrën e tij, hyn në fenë islame.

Shtylla e dytë: Falja e namazit, se namazi është shtylla më madhështore e Islamit, pas dy dëshmive. Mu për këtë i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) e përmendi menjëherë pas dy dëshmive.

Shtylla e tretë: Zekati, që është sasi e pasurisë që e ka caktuar ligji islam, të cilin muslimani e ka obligim t’ua japë të varfërve, nevojtarëve dhe të tjerëve që e meritojnë.

Shtylla e katërt: Haxhillëku në shtëpinë e shenjtë të Allahut (në Qabe). Ai është obligim një herë në jetën e njeriut, për atë që ka mundësi të shkojë.

Shtylla e pestë: Agjërimi i (muajit të) Ramazanit. Muslimani e ka obligim ta agjërojë të plotë muajin Ramazan, përveç nëse është nga personat që janë të arsyetuar (për mosagjërim).

Këto janë shtyllat mbi të cilat është ngritur feja islame. Dispozita dhe normat hollësishme janë të përmendura në librat e besimit dhe jurisprudencës islame.

Burimi:
Libri: Dyzet hadithë për fëmijë
Autor: Muhamed ibn Sulejman el Muhema

Must Read