Margaritar nga Jahja ibën Muadh (2/4)
15. Ai që e përkujton vdekjen, nuk vdes para kohës por do t’i fitojë tri cilësi të mira:
1. Nxitimi në pendim.
2. Mjaftueshmëria me pak furnizim.
3. Zelli në adhurim.
Ndërsa ai që lakmon në dynja, nuk fiton ma shumë se i është shkruar, por do t’i fitojë tri cilësi të këqija:
1. Ai asnjëherë nuk është falënderues ndaj mirësive që ia dhuron Allahu.
2. Nuk kënaqet me asgjë që fiton.
3. Punon dhe rraskapitet duke e kërkuar atë që Allahu nuk ia ka caktuar, ndërsa i lë anash çështjet fetare.
16. Mos shoqëroni vetëm atë i cili i ka këto tri cilësi:
a) ai i cili të paralajmëron nga rreziku i mëkateve.
b) ai i cili të njofton me mangësitë tuaja
c) dhe ai i cili ec me ty drejt Allahut, njohësit të fshehtësive.
17. Fitimi i ahiretit arrihet me tri gjëra: me rrespektim, bamirësi dhe kundërshtim. Rrespektim ndaj Allahut, bamirësi ndaj prindërve dhe kundërshtim ndaj shejtanit.
18. I gjorë është biri i Ademit, sikur t’i frikësohej zjarrit siç i frikësohet varfërisë, do të hynte në xhennet.
19. Ajo që ka penguar njerëzit nga pendimi është shpresa e gjatë për jetë, ndërsa shenjat e të penduarit janë:
– rrjedhja e lotit
– dëshira për t’u vetmuar
– llogaritja e vetëvetës në çdo synim.
20. Mëkati nga i cili kthehem te Zoti është më i dashur për mua se adhurimi me të cilin mburrem para Tij.
21. Le të ketë hise besimtari tek ti në tri gjëra:
– nëse nuk i bën mirë, mos i bëj keq.
– nëse nuk e gëzon, mos e mërzit.
– nëse nuk e lavdëron, mos e kritiko.
22. Njeriu në prag të vdekjes do të goditet me dy fatkeqësi në raport me pasurinë e tij. E pyetën, cilat janë ato? tha:
I mirret e gjitha dhe pyetet për të gjithën!
23. Shërimi i zemrës është në pesë gjëra:
1. Leximi i Kur’anit me meditim.
2. Mos ngopja me ushqim
3. Namazi i natës
4. Lutja me përulësi para agimit.
5. Shoqërimi i njerëzve të mirë.
Xheladin LEKA
Mekë, Arabi Saudite.