BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiRëndësia e përmirësimit të gjendjes sonë të tanishme nga Hoxhë Enis Rama

Rëndësia e përmirësimit të gjendjes sonë të tanishme nga Hoxhë Enis Rama

Duhet të bëjmë një ndërlidhje të fuqishme, të pa shkëputur mes gjërave, një lidhje shkak- pasojë, çka edhe është ligj i Allahut . Në qoftë se si rezultat i këtij Ramazani përmirësojmë vetët tona, atëherë shkak i këtij përmirësimi do të jetë kualiteti i Ramazanit. Sa më kualitativ që të jetë Ramazani, aq më e lartë do të jetë shkalla e përmirësimit. Merre këtë fakt seriozisht: nuk ka përmirësim të gjendjes, në qoftë se kualiteti mbetet në shkallën e vitit të kaluar.
Kur them nuk ka përmirësim të gjendjes, kjo nuk nënkupton ngeljen në shkallën e tanishme, sepse shansi i pashfrytëzuar të zbret më poshtë nga ku ke qenë deri tani. Kjo ngase, sipas ligjit të Allahut , nuk e kemi luksin e qëndrimit në të njëjtën shkallë; në qoftë se nuk ecim përpara, së paku do të mbetemi aty ku kemi qenë, gjë që nënkupton humbje. Prandaj, për ta bërë këtë Ramazan sa më kualitativ, duhet të kuptosh se ky synim është i ndërlidhur me përmirësimin që ti e vajton pas çdo Ramazani. Erdhi shansi që në këtë Ramazan t’ia dëshmojmë Allahut se vajtimi jonë i vitit të kaluar dhe keqardhja për gjendjen tonë ishte i sinqertë. Ne duhet të investojmë ende që t’i japim fund udhëheqjes së epshit e udhëheqjes së shejtanit në jetët tona, në mënyrë që zemrat tona, me të vërtetë, të rimarrin udhëheqjen e vetëve tona. Që zemra të marrë këtë udhëheqje, duhet të përmirësohet, ngase në gjendjen që është nuk ka mundësi për të udhëhequr.
Padrejtësia që ia bëjmë vetëve tona duke bërë gjynahe duhet të marrë fund. Në vend të saj, duhet të instalojmë një sistem që nuk na çon në padrejtësi.
Por, nuk do të mund ta kryejmë luftimin e padrejtësisë ndaj vetëve tona dhe as të instalojmë sistemin e drejtësisë në vetët tona, në qoftë se nuk përmirësohemi.
Krejt kjo kërkon që të jesh i aftë, kurse ne ende nuk e kemi aftësinë e duhur për t’i udhëhequr vetët tona atje ku duhet. Për shembull, a ke mundësi të krenohesh për një adhurim nafile që ti e kryen në vazhdimësi prej kohësh? Apo e fillojmë, pastaj rrëzohemi; shkojmë deri diku, pastaj ndalemi. Krejt kjo ndodh për shkak se nuk udhëheqim me vetët tona. Sa e sa herë ke dëgjuar se sa mirë është ta bësh këtë apo atë punë dhe ke vendosur ta bësh, mirëpo nuk ka shkuar java dhe e ke ndërprerë, apo ndoshta edhe nuk e ke filluar fare.
Nëse analizojmë gjendjen tonë, shohim se nuk udhëheqim me vetët tona. Prandaj, është mirë të reflektojmë për gjendjen tonë dhe të vetëdijesohemi për atë se kush po na udhëheq dhe ta përmirësojmë këtë gjendje duke e luftuar padrejtësinë, me qëllim që ta rimarrim pushtetin e vetëve tona. Ibn Kajimi erdhi në përfundim se “… njeriut ia ka marrë pushtetin nefsi”. Nefsi është gjenerali i rebeluar i zemrës. Zemra është udhëheqësi dhe e ka ushtrinë e vet, por nefsi është ushtari më i rebeluar i zemrës, i cili pret edhe shfaqjen e dobësisë më të vogël për ta zëvendësuar me pushtetin e tij. Sa e sa dobësi ka që nefsi i sheh në zemrat tona dhe i shfrytëzon ato për të na udhëhequr aty ku nuk duhet.
Por, ja që është duke ardhur Ramazani për t’ia rikthyer pushtetin kësaj zemre duke e përmirësuar atë.
Andaj, në qoftë se lidhim fuqimisht shkakun dhe pasojën, shkaku është adhurimi, pasoja është përmirësimi ynë me kuptimet të cilat u përmendën, do të kemi një Ramazan më ndryshe. Sa më i zbehtë dhe i paqartë të jetë shkaku, aq do të jetë e paqartë edhe pasoja. Sa më e dobët të jetë nevoja e brendshme për përmirësim, aq më i dobët do të jetë kualiteti i përmirësimit. Pra, lidhini këto dyja.

Vazhdon…

Autor: Enis Rama
Titulli:  Një Ramazan më ndryshe
Formati: 5.9 x 5.9
Faqe: 18
Botues: QSNI

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read