BallinaPraktikaRamazaniAGJËRUESI LIDH KONTRATËN

AGJËRUESI LIDH KONTRATËN

Lavdia i takon Allahut.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të).
Vëllezër dhe motra!
Era e këndshme e Ramazanit arriti, prandaj lidheni kontratën për ripërtëritjen e imanit, duke pranuar edhe këto porosi e mesazhe:

Porosia e parë: Largohuni nga bisedat dhe polemikat e panevojshme në shtëpi. Krijoni atmosferë qetësie në shtëpinë tuaj duke kryer veprime me të cilat Allahu i Lartësuar është i kënaqur.
Ndër begatitë që Ai i ka dhuruar robit të Tij është edhe shtëpia ku banon dhe mbrohet me atë nga e cila ka dobi. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Allahu ua ka bërë shtëpitë tuaja vendbanim.” (En-Nahël: 80)

Porosia e dytë: Ringjalleni shpirtin, mendjen dhe trupin me agjërim. Agjëroni me të gjitha pjesët; shpirtin duke e këshilluar për jetën e shkurtër, mendjen duke e larguar nga epshet dhe trupin duke e përmbajtur dhe kontrolluar nga ushqimet dhe pijet.

Porosia e tretë: Mbylleni gojën dhe përmbajeni veten nga fjalët e tepërta, mendoni për atë që thoni. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ka fjalë që ai (njeriu) të nxjerrë nga goja, veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).”(Kaf, 18).
Allahu i Lartësuar ju dhuroi dy sy dhe dy veshë dhe vetëm një gjuhë, prandaj është nevoja të flisni më pak.

Porosia e katërt: Ripërtërini ndjenjën e kujdesit ndaj prindërve dhe farefisit. Tregoni respekt dhe mirësi ndaj prindërve, pasi e keni për obligim kujdesin ndaj tyre. Allahu i Lartësuar na porosit: “Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet.” (Ahkaf, 15). “Dhe druajuni Allahut, me emrin e të cilit, ju i kërkoni njëri-tjetrit diçka dhe i ruani lidhjet farefisnore.” (En Nisa, 1).

Porosia e pestë: Largohuni nga gjynahet. Mos lejoni të bini pre e mëkateve, largohuni nga çdo rrugë e rrugicë që mund t’ju shpjerë në të keqe. Shpejtoni drejt pendimit të sinqertë duke mos i kundërshtuar dhe tejkaluar kufijtë e Allahut të Lartësuar. “Këta janë kufijtë e urdhëruar nga Allahu, kështu që mos i kaloni ata. Dhe kushdo që i kalon kufijtë e urdhëruar nga Allahu, atëherë këta janë zullumqarë (keqbërës).” (Bekare, 229).
Pranojini këto porosi, që ta përjetoni Ramazanin me kënaqësi dhe me mirësitë e Allahut drejt xheneteve të larta. “Ata nuk do ta dëgjojnë as zërin më të lehtë të tij (xhehenemit) dhe do të banojnë ku ata të dëshirojnë. As tmerri më i egër e më i madh (në Ditën e Kiametit) nuk do t’i shqetësojë ata dhe melekët do t’i takojnë ata (me përshëndetjen): “Kjo është Dita juaj, e cila ju qe premtuar.” (Enbija, 102- 103).
Allahu im! Më zgjo nga gjumi dhe plogështia, nga harresa dhe mërzia!
Allahu im! Më ndihmo që ta shfrytëzoj kohën në atmosferë qetësie, ringjalljeje shpirti, përmendje të Krijuesit, respekt ndaj prindërve dhe largim nga mëkatet!

Libri: PANORAMA E RAMAZANIT
Përmblodhi: Ulvi Fejzullahu
Redaktoi: Arian Koçi

Must Read