EDHE GJUHA E BESIMTARIT AGJËRON
Lavdia i takon Allahut.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të).
Të nderuar agjërues!
Gjuha ka një agjërim të veçantë. Këtë formë agjërimi e dinë ata të cilët gjuhën e kanë të ruajtur. Ruajtja e saj nga përgojimi, shpifja, mashtrimet duhet të vazhdojë edhe jashtë Ramazanit. Ruajtësit e gjuhës hyjnë në radhët e të shpëtuarve.
“Vërtetë që tashmë kanë fituar besimtarët. Ata të cilët janë të nënshtruar në faljen e namazit. Edhe ata të cilët largohen nga Laghvu (fjalët e kota, të rreme e të liga, mashtrimet, përgojimet dhe gjithë çfarë ka ndaluar Allahu).” (Muminun, 1-3)
Dëmet e gjuhës janë të mëdha. Ebu Bekri e kapte gjuhën me dorë, e qante, dhe shprehej: “Kjo do të më humbë.” Ibni Abasi i drejtohej gjuhës me fjalët: “Flit vetëm të mirën, do të përfitosh ose hesht, do të shpëtosh.” “Dhe thuaju robërve të Mi se duhet të flasin vetëm fjalët më të mira, sepse vërtet shejtani mbjell mosmarrëveshje mes
tyre. Me të vërtetë që shejtani është për njeriun armik i hapur.” (Israë, 53)
“O ju që keni besuar! largohuni prej dyshimeve. Vërtet mjaft nga dyshimet përbëjnë gjynahe. Edhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave, as mos përgojoni njëri-tjetrin. A do të donte ndonjëri prej jush të hante mishin e vëllait të vet të vdekur? Vërtet që do ta urrenit një gjë të tillë. Dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Ai fal dhe e pranon pendimin, është Mëshirëplotë.” (Huxhurat, 12)
Të nderuar agjërues! Çdo fjalë është e ruajtur. Për çdo fjalë do të jepet llogari. “Nuk ka fjalë që ai (njeriu) të nxjerrë nga goja, veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)
Atëherë, si mund të agjërojë gjuha kur ajo përgojon dhe shpif?! Si mund të agjërojë kur ajo gënjen dhe mashtron?! Si mund të agjërojë kur fyen dhe dëshmon rrejshëm?!
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thotë: “Besimtar i mirë është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit muslimanët janë të ruajtur.” (Transmeton Buhariu)
Të kujtojmë edhe këtë: I Dërguari i Allahut thotë: “Njerëzit më të urryer tek Allahu janë polemizuesit e ashpër dhe ata që nuk lëshojnë pe në hasmëri.” (Buhariu dhe Muslimi)
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thotë: “I garantoj shtëpi në qoshet e xhenetit atij që le polemikën edhe nëse është në të drejtë, shtëpi në mes të xhenetit atij që le gënjeshtrën edhe në shaka dhe shtëpi në lartësi të xhenetit për atë që ka moral të mirë.” (Transmeton Ebu Davudi)
Atëherë, agjërim i vërtetë është kur gjuha është në përmendje të Allahut të Lartësuar. Dhikri më i mirë i këtij lloji është lavdërimi i Allahut me atë që e ka lavdëruar Allahu vetveten dhe me atë që e ka lavdëruar i Dërguari (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të). Ky lavdërim është në tri shkallë: hamd, thena dhe mexhd.
Kur të thuash Elhamdu lil-lah, kjo është lajmërim mbi Allahun me cilësi të plota, duke e dashur dhe duke qenë i kënaqur me Të, por nëse e përsërit këtë gjë herë pas here, bëhet thena, e nëse e lavdëron me cilësi të madhështisë dhe mbretërisë, atëherë bëhet mexhd.
Allahu i Lartësuar këto tre lloje i ka përmendur në fillimin e Fatihasë.
“Kur të thotë njeriu: “El-Hamdu lil-lah rabbil-alemin”, Allahu thotë:
“Më falënderoi robi Im.” Kur të thotë: “Errahman Errahim”, Allahu
thotë: “Më lavdëroi robi Im”, kurse kur të thotë: “Maliki jeumud-din”,
Allahu thotë: “Më madhëroi robi Im.”
Përmendja e Allahut është një dhunti e madhe, dhuratë bujare, me të afrojmë nimetet (dhuntitë) dhe largojmë nikmetet (dënimet), është ushqim i zemrës, kënaqësi e syrit, lumturi e shpirtit, shpirt i jetës dhe jetë e shpirtit.
Allahu im! Më mundëso që gjuha ime të thotë vetëm të vërtetën!
Allahu im! Ruaje gjuhën time nga çdo gjë që Ti nuk e do dhe nuk je i
kënaqur!
Autor: Panorama e Ramazanit
Titulli: Ulvi Fejzullahu
Redaktor: Arian Koçi
Formati: A5
Faqe: 66
Botues: Botues Privat
Vendi: Bujanoc