ISHTE I SINQERTË ME ALLAHUN DHE JA SE SI VDIQ!
Dynjaja ishte e mbushur me idhujtarë; njëri adhuronte ndonjë put, tjetri lutej tek ndonjë varr, i treti adhuronte ndonjë njeri, i katërti madhëronte ndonjë guri… Në mesin e atyre njerëzve të humbur ishte edhe Amr b. Xhumuh, i cili kishte një idhull emri i të cilit ishte Menaf. E adhuronte atë, përkulej para tij, në fatkeqësi strehohej tek ai, kur kishte nevojë e luste atë…
Ishte idhull prej druri por më i dashur për Amrin se sa tërë pasuria dhe familja e tij. Shpenzonte shumë për madhërimin, stolisjen, zbukurimin dhe veshjen e tij. Kështu vazhdoi Amrin prej lindjes e deri mbushi të 60-tat. Kur Allahu e dërgoi Muhammedin, alejhi’s selam si pejgamber në Mekke dhe ky e dërgoi Mus’ab b. Umejrin në Medinë si mësues dhe predikues, Islamin e pranuan tre djemtë e Amrit. Ata shkuan te babai, e informuan për këtë predikues dhe ia lexuan ca pjesë të Kur’anit. O babai jonë, shumë njerëz po e pranojnë predikimin e tij, çfarë mendon ti për këtë?- e pyetën djemtë. Nuk do të ndërmarr asgjë derisa të mos konsultohem me Menafin- u përgjigj. U ngrit Amri dhe shkoi te Menafi. Kur dëshironin t’i flisnin putit, e merrnin një plakë te shtyre ne moshe dhe e vendosnin pas putit që t’iu përgjigjej pyetjeve të tyre ngase, sipas tyre, puti e inspironte atë për përgjigje. Amri u nis të shkonte tek Menafi duke u mbështetur në mbajtëset e tij meqë kishte njërën këmbë më të shkurtër. Shkoi tek puti dhe qëndroi në këmbë, në këmbën e shëndoshë, si respekt për putin. Pas falënderimit dhe lëvdimit që ia bëri, e pyeti: O Menaf, nuk ka dyshim se ti e di ardhjen e këtij njeriu në Medine, i cili askënd përveç teje nuk e shqetëson. Ai na ndalon që të adhurojmë ty andaj me udhëzo çka të bëj? Menafi nuk iu përgjigj. E pyeti disa here por Menfai asnjëherë përgjigje nuk i dha. Ndoshta je hidhëruar prej meje kështu që unë për disa ditë, derisa të kaloje hidhërimi yt, do të lë të qetë. Doli Amri prej dhomës së Menafit dhe hyri në shtëpi. Në mbrëmje, bijtë e tij shkuan tek Menafi dhe e morën dhe e hodhën në një humnerë mbeturinash dhe cofëtinash. Në mëngjes Amri hyri në dhomë të Menafit që ta përshëndeste por nuk e gjeti. Mjerë për ju, kush ka sulmuar mbrëmë zotin tonë- bërtiti me zë te lartë Amri. Heshtën familja ndërsa ai doli i frikësuar ta kërkonte putin e vet. E kërkoi gjithandej dhe në fund e gjeti tëe përmbysur në një gropë mbeturinash. E mori, e pastroi dhe e ktheu në vendin e vet. “O Menaf, sikur ta dija se kush ta ka punuar këtë, do ta bëja të dëshpërohej- tha Amri i mllefosur.
Natën e dyte bijtë e tij vepruan sikur herën e parë. E morën dhe e hodhën në një gropë të ndyrë. Kur u zgjua Amri dhe pa se puti nuk ishte kërcënoi ata që po e bëjnë këtë dhe doli ta kërkonte. Prapë e gjeti në atë humnerë, e mori dhe e pastroi. Të bijtë filluan t’ia punon këtë çdo natë ndërsa ai çdo mëngjes e merrte, e pastronte dhe e kthente në vendin e tij. Kur çështja e rëndoi shumë, Amri shkoi te Manfi në mbrëmje para se të flinte dhe i tha: Mjere për ty o Menaf, cjapi e mbron veten ndërsa ti…Ia lidhi një shpatë tek koka dhe i tha: Mbroje veten!
Në mbrëmje bijtë e tij e morën, ia lidhin një qen të ngordhur dhe e hodhën në një pus të grumbullimit të ndyrësirave. Kur u zgjua plaku dhe e pa në këtë gjendje Menafin, tha: Një zot që në kokën e tij urinojnë dhelprat nuk ka gjë prej tij ngase i humbur është ai që urinohet prej dhelprave. Pas këtij rasti Amri pranoi Islamin dhe vazhdoi madje t’i garonte njerëzit e mirë në vepra të mira, dhe kur muslimanët u bënë gati për Luftën e Bedrit, djemtë e tij e penguan që të shkojë në luftë. Ai kishte ngulur këmbë por pas këshillave të Pejgamberit, alejhi’s selam, ai mbeti në Medine.
Kur ndodhi Beteja e Uhudit të bijtë prapë e ndaluan që të marrë pjesë në betejë. Ai shkoi tek Muhammedi, alejhi’s selam dhe i tha: O i dërguari i Allahut, bijtë e mi më pengojnë që të vij në luftë me ty? Allahu të arsyeton ty për mospjesëmarrje- ia ktheu Muhammedi, alejhi’s selam. O i dërguari i Allahut, pasha Allahun unë shpresoj që me këtë këmbë të çalë të eci në Xhennet- tha Amri. Muhammedi, alejhi’s selam i dha leje të merrte pjesë në betejë. Mori armën e tij dhe tha: O Zot, më begato me shehidllëk (rënie dëshmor) dhe mos më kthe prapë në familjen time! Kur arritën në fushëbetejë dhe u takuan të dy grupet, Amri luftonte me trimëri të rrallë derisa një pabesimtar erdhi dhe me shpatë e mbyti Amrin për ta realizuar dëshirën e tij për rënie dëshmor.
Pas 46 vitesh, në kohen e Muaviut, Allahu qoftë i kënaqur me të, në varrezat e shehidëve të Uhudit ndodhi një vërshim nga shirat kështu që muslimanët nxituan t’i bartnin kufomat e dëshmorëve. Kur e hapen varrin e Amrit panë se trupi i tij ishte pothuaj sikur i një njeriu të gjallë që flenë; ishte i butë dhe aspak nuk ishte prishur.
Shiko vëlla se si Allahu përfundoi jetën e këtij njeriu që u pendua, dhe jo vetëm kaq, Ai shfaqi edhe nderimin që ia ka bërë në dynja para nderimit qe do t’ia bëjë në ahiret…
Mësimet e përfituara nga ky tregim:
► Pa realizim të dëshmisë La ilahe il-la Allah nuk ka shpëtim as në dynja dhe as në ahiret.
► Predikuesi duhet të stoliset me durim dhe duhet të praktikojë metoda adekuate për ata që i thërret në fe.
► Duhet ta edukojmë veten tonë për pranimin e së vërtetës dhe të mos refuzojmë për shkak të mendjemadhësisë, zakonit, tekeve, etj.
► Xhihadi është rrugë e shpejtë për në Xhennet.
► Dëshmorët kanë pozita dhe nderime në këtë dhe botën tjetër.
► Sinqeriteti me Allahun është çelës i sukseseve.
Burimi: http://www.denana.com/articles.php?ID=3827
Përshtati në shqip: Sedat G. ISLAMI