Mediat dhe lufta kundër terrorizmit të fantazuar islam në Kosovë
Viti që lamë pas, përveç tjerash, do të mbahet mend edhe për një betejë të ashpër të mediave kundër Islamit, dhe këtë, jo vetëm në nivel vendor, por edhe ndërkombëtar. Megjithëse në perëndim, për shkak të efekteve pozitive, mediat kanë frenuar veten paksa. Lufta e drejtuar kundër muslimanëve ka rezultuar me fitore për këta të fundit, ngase ka hapur para perëndimorëve derën e njoftimit me këtë fe, të cilën shumë prej tyre e pranuan dhe vazhdojnë ta pranojnë atë. Perëndimorët janë bindur se lufta kundër Islamit në esencë ka qenë e pavend dhe e panevojshme dhe atë pasi që janë bërë kureshtar për ta njohur këtë Islam më afër, e për ta kuptuar se:
A thua vërtetë ai Islam është kaq i vrazhdë e kaq i dhunshëm siç po paraqitet nëpër media?! A thua ky Islam kaq shumë e bënë të lirë e të pavlefshëm jetën e njeriut, në veçanti atij jomysliman?! Kjo dhe arsyeje tjera i kanë shtyrë shumë intelektual perëndimor që t’i qasen seriozisht Kur’anit e ta lexojnë, për t’i gjetur përgjigjet e pyetjeve të lartpërmendura dhe shumë pyetjeve tjera të ngjashme.
E ai i cili e lexon Kur’anin a thua çka gjen në të?!
Ku ka në Kur’an dhunë, agresivitet, terror, vrasje civilësh, njerëzish të pafajshëm, gra e pleq…?! Ne askund nuk gjetëm diç të tillë, e sigurisht se edhe ata që e kanë lexuar këtë Kur’an nga jomyslimanët nuk kanë gjetur diç të tillë, përkundrazi, kanë gjetur krejt diç të kundërt, kanë gjetur se Islami që nga emërtimi i tij paralajmëron dhe sinjalizon në paqe e në siguri, duke filluar nga emërtimi i tij Islam, e që një ndër kuptimet e tij është edhe paqe, siguri, qetësi, stabilitet etj. E më pas edhe vet përshëndetja e Islamit “selam alejkum” është paqe, siguri, shpëtim etj. Ashtu siç kanë gjetur se Kur’ani i lë njerëzit e lirë në besim: “E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë” (Kur’an, el-Kehf: 29)
Kanë gjetur se Islami nuk ua imponon njerëzve hyrjen në Islam, por vetëm ua paraqet atë si mesazh qiellor i cili ua siguron lumturinë në këtë dhe botën tjetër: “Nuk ka dhunë në fe” (Kur’an, el-Bekare: 256)
Se ky Islam ndalon vrasjen e civilëve edhe në luftë e lëre më në paqe. Këtë e vërteton edhe tradita e Pejgamberit, Muhammed, alejhis selam, i cili kur dërgonte ndonjë ekspeditë luftarake urdhëronte mes tjerash që mos të mbytën gratë, fëmijët, pleqtë, murgët etj([1]). Të njëjtën gjë e vepronin pasardhësit e tij si Ebu Bekri, Omeri, Osmani etj. Ebu Bekri kur e dërgoi Usamen për në luftë kundër romakëve mes tjerash i tha atij dhe ushtarëve të tij: “ ….mos masakroni, mos mbytni fëmijë, e as plak, as grua. Mos i shkatërroni pemët, mos i digjni ju atu, po edhe mos i thyeni degët e tyre pa nevojë. Mos therni e mos mbytni lopë e as dele, vetëm nëse detyroheni ta bëni një gjë të tillë për ta ngrënë. Ju do të kaloni pran faltoreve të ndryshme në të cilat do gjeni njerëz (murg) të cilët janë mbyllur për ta adhuruar Zotin. Leni ju ata e mos i ngucni…”([2])
Pa pikë dyshimi Islami është më i madh sesa që mendojnë disa njerëz, ai përpos që na ndalon tua imponojmë njerëzve hyrjen në këtë fe, ai na urdhëron që të sillemi sa ma mirë me ta në drejtime të ndryshme. Allahu thotë: “Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë” (Kur’an, el-Maideh: 2) Ky ajet nuk flet vetëm për besimtarët mes veti, por pa tjetër se përfshin edhe bashkëpunimin dhe ndihmesën me të tjerët përderisa është në interes të njerëzimit, apo në të mirë të tyre. Për atë arsye gjejmë Pejgamberin a.s. sesi shiste dhe blinte edhe nga jahuditë dhe të tjerët si dhe bashkëpunonte me ta për interesin e përgjithshëm të njerëzve. Pastaj iu dhuronte jomuslimanëve ndihma kur kishin nevojë, i vizitonte kur sëmureshin, e kështu me radhë. Pastaj tradhtia, mashtrimi, rrena dhe shumë dukuri tjera negative. Apo mirësia, drejtësia, mbajta e lidhjes farefisnore, respekti, mbajtja e fjalës, çuarja e amanetit në vend dhe shumë veçori tjera të mira, nuk janë vetëm për mysliman mes veti, por edhe me jomusliman. Në Islam ka përparësi e vërteta dhe e drejta qoftë edhe kundër vetes sate, shiko çka thotë Allahu në lidhje me këtë: “ O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni”( Kur’an, el-Maideh: 8) Pra dëshmojeni dhe fliteni të drejtën qoftë edhe në favor të armikut tuaj, ngase kjo është devotshmëri, është sinqeritet. Ky është Islami, fe e përkryer.
Natyrisht se argumentet për këtë temë janë të shumta, po edhe shembujt në praktikë nga prijësit e sinqertë janë edhe më të shumtë. Historia e ka dëshmuar një gjë të tillë, ndërsa edhe jomuslimanët kanë vërtetuar atë. Muslimanët kurrë nuk kanë bërë masakra, kurrë nuk kanë dalë jashtë dispozitave të lejuara me Islam që u cekën më lartë, gjithmonë kanë qenë shembull për tolerancë, për respekt të bindjeve të njerëzve, të lirive fetare. Këto dhe shumë e shumë të tjera i kanë parë ata që e lexuan Kur’anin dhe shfletuan diç nga historia e ndritshme e Islamit, për çka nuk hezituan dhe pranuam se tërë ato akuza për terrorizëm adresuar Islamit qenkan të pavenda dhe se realiteti qenka ndryshe nga si iu është përshkruar atyre. Efekti i kësaj propagande të paskrupullt mediave kundër Islamit, siç thamë, përpos sheshit të fakteve dhe zbardhjes së tyre për të vërtetën islame, ka bërë që shumë njerëz t’i bashkohen radhëve të muslimanëve.
Propagandat e forta perëndimore antiislame ma kujtuan fushatën kundër Islamit që nga ditët e para të paraqitjes së tij në Mekë nga familja e Muhamedit a.s. dhe fisi i tij i gjerë, të cilët nuk lanë metodë pa e përdorur për t’i bindur njerëzit se –kinse- kjo çka po pretendon Muhamedi a.s. është e kotë dhe se duhet kundërshtuar, por a thua ia arritën?! Kjo, po kështu, ma kujton edhe rastin e një femohuesi të madh, një njeriu i cili kishte një famë shumë të madhe në Mekë dhe më gjerë, një njeri poet dhe bajagi i mençur, i quajtur Velid Bin Mugire, një pasanik shumë i madh, i cili u mundua që të flasë keq për Kur’anin, por kur dëgjoi disa ajete –citate- nga ai, gati sa i ra të fikët, u shokua, nuk dinte çka të thotë pos se: Ky Kur’an na qenka i ëmbël, i bukur, nuk paska gjë që ia mund këtij libri([3]). Velidi nuk e besoi Muhammedin a.s,. si Pejgamber sepse e penguan të tjerët, por besoi se Kur’ani qenka madhështi dhe se nuk mposhtet ky libër sado që propaganda kundër tij të jetë e ashpër.
Përkundër mediave të perëndimit të cilat veç e kanë minimizuar fushatën antiislame, gjejmë mediat tona vendore, mendoj këto kosovare të cilat për çdo ditë e më shumë e shtojnë fushatën e tyre kundër Islamit. Gjatë vitit të kaluar ta zëmë kanë qenë shumë në aksion të madh, shumë shpesh kanë shënuar kinse për një “rrezik radikalizmi” apo “ekstremizmi” në Kosovë, duke mos kursyer edhe atë se “Kosova është mbushur me talibanë”. Mezi nuk kanë pritur që të ndodh ndonjë gjest i ligë prej muslimanëve kudo nëpër botë, e më pas ta lidhin menjëherë me “terrorizmin Islam” dhe rrezikun e mundshëm nga “ekstremistët shqiptarë”. P.sh sulmi terrorist famëkeq i cili ndodhi në Norvegji, menjëherë ende pa e konfirmuar qarqet Norvegjeze se kush qëndron pas tij, njëra nga mediat më me nam të madh në Kosovë doli dhe tha në lajmet kryesore “dyshohet se pas këtij sulmi qëndrojnë myslimanët”, bile pati të atillë të cilët thanë se atë sulm e kanë bërë nxënësit e disa hoxhollarëve kosovarë duke e emëruar edhe hoxhën me emër. E të nesërmen doli në shesh se sulmi nuk ishte as nga myslimanët e as nga kosovarët, por ishte nga të krishterët kundër myslimanëve shqiptar. Para atij sulmi pati ndodhë edhe një sulm në Frankfurt të Gjermanisë kundër marinsave amerikanë, e që mjerisht kryerësi i asaj vepre ishte shqiptar kosovar, por i rritur e i shkolluar në Gjermani, e disa media mezi nuk pritën që atë rast ta lidhin me “radikalizmin” në Kosovë. A në fund doli se ai atë vepër e ka bërë krye në veti pa ndikimin e askujt. Më pas ndodhi edhe sulmi në Sarajevë nga një i ri nga Sanxhaku i cili në sy tanë, aq sa e pamë nëpër media më shumë i ngjante një njeriu “rebel” që donte të shes mend, apo një të sëmuri mentalisht, sesa një myslimani të devotshëm. Menjëherë u quan mediat tona për ta lidhur me Islamin në Kosovë. Dhe para pak ditësh ndodhi edhe kapja e një të riu në Amerikë i cili u akuzua për blerje armesh, i cili edhe ai, aq sa e pamë nëpër televizione më shumë i ngjante një “kauboji” të rebeluar sesa një myslimani të edukuar.
Nuk po e mohojmë faktin se sjelljet e vrazhda dhe të pamatura të disa të rinjve, të cilat më shumë vijnë si rezultat i injorancës dhe mosnjohjes së realitetit të Islamit, siç është rasti i atyre që u cekën më lartë dhe të tjerëve, i kanë dhënë një imazh të keq shqiptarëve, pastaj i kanë dhënë shkas edhe mediave për të folur, por ato raste duhet të mbesin të veçanta, duhet të izolohen, e jo t’i mveshën Islamit e më pas të hapet luftë kundër Islamit dhe çdo të riu e të reje e cila e praktikon Islamin. Sepse, së pari, veç cekëm më herët se dhuna kurrë nuk ka qenë e as nuk guxon të jetë pjesë e moralit dhe etikës së besimtarit të sinqertë as në paç e as në luftë, dhe, së dyti, nuk mendoj që ka kosovar që nuk i ka gjykuar ato vepra dhe ato sjellje të atyre individëve, shqiptarë e joshqiptarë. Tek e fundit, populli thotë “nuk ka grurë pa kokolë” dhe “nuk ka mal pa ujq”. Edhe rasti i fundit në Amerikë jam i bindur thellë se i ka prekur të gjithë shqiptarët në përgjithësi, e kosovarët në veçanti, bile edhe muslimanët tjerë joshqiptarë, por gjithsesi themi me bindje të plotë se ai dhe personat e ngjashëm me të asnjëherë nuk e përfaqësojnë madhështinë e kësaj feje, tolerancën, mëshirën dhe zemërgjerësinë e saj. Ata kurrë nuk do të arrijnë ta ndytin ujët e kthjellët të oqeanit të pafund të mirësive dhe madhështisë së fesë së Zotit. Andaj kërkoj nga mediat kosovare që të jenë më të matura, më objektive e më të kujdesshme për atë që shënojnë në veçanti kur ka të bëjë me Islamin.
Allahu na çoftë në hair e na ruajt nga çdo e ligë. Amin deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.
Burimi: krenaria.com
me rrespekt
Shefqet Krasniqi