Pyetje: Jobesimtari që e pranon islamin, a i falen mëkatet atij që i ka bërë gjatë kohës kur ka qenë në kufër dhe nuk është penduar prej tyre në Islam?
Përgjigje: Në lidhje me këtë ka dy mendime:
Mendimi i parë: Atij i falen të gjitha mëkatet. Kjo bazohet në hadithin e pejgamberit salallahu alejhi ue selem: “Islami i asgjëson të gjitha punët e mëparshme.” Kurse në një transmetim tjetër: “… i mund të gjitha punët e mëparshme.” Këtë fjalë pejgamberi salallahu alejhi ue selem ia ka thënë Amr ibn Asit, kur ai e pranoi Islamin dhe kërkoi që t’i falen mëkatet që i ka bërë para Islamit, ndërsa Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i tha: “O Amr, a nuk e di se Islami i asgjëson (mëkatet) e mëparshme?” Ibid, f. 67.
Mendimi i dytë: Është se ai nuk e meriton që t’i falen mëkatet me pranimin e Islamit, përpos atyre mëkateve nga të cilat është penduar. Nëse ndodh që pasi të bëhet musliman vazhdon në mëkate të mëdha por jo në kufër, atëherë për të vlen ajo që vlen për personin që bën mëkate të mëdha. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi se Hakim ibn Hizami ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, a do të na merren parasysh veprat që i kemi bërë në xhahilijet (periudha paraislame)? Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ai prej jush që bën vepra të mira duke qenë në Islam, nuk i merret për të madhe për punët që i ka bërë në xhahilijet. E ai që bën punë të këqija; duke qenë në Islam, atëherë i merren parasysh mëkatet e para edhe të fundit.” Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith argumenton se Allahu nuk i shkruan mëkatet për shkak të punëve të mira që i ka bërë njeriu gjatë xhahilijetit e jo me punët që i bën tani kur është në Islam. E nëse nuk vepron mirë në Islam, atëherë i shkruhen edhe mëkatet e para edhe të fundit, e nëse nuk pendohet, kjo do të thotë se ai nuk ka bërë mirë. Ndërsa ajeti: “Thuaju atyre që nuk besuan, nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara”, El Enfal, 38, mund të argumentojë se ai që heq dorë nga kufri i falen veprat e kaluara dhe se pendimi i shlyen mëkatet e mëparshme, po ashtu edhe hixhreti (emigrimi për hir të Allahut) i shlyen mëkatet e mëparshme.
Burimi:
Ibn Tejmie në “Virtytet e larta morale”, f. 128, 129.
Burimi i Jetës