LUTJA NË QABE U BË SHKAK SHËRIMI
Dr. Muhamed Hasani rrëfen dhe thotë:
Para se të filloja ligjëratën time në Mekë, mu afrua një njeri dhe më tha:
Shejh Muhamed Hasan, të betohem në Allahun, mos e thuaj asnjë fjalë para se të më dëgjosh!
Urdhëro, o prindi im! Ulu afër meje!, i thashë.
Ai u ul pranë meje. Në pamje dukej një njeri i thjeshtë, tregtar. Allahu ia kishte hapur dyert e furnizimit dhe tregtisë, mirëpo ankohej nga një sëmundje e rëndë: ishte paralizuar plotësisht.
Kam udhëtuar në Londër për t’u kuruar, mirëpo nuk ishte caktimi i Allahut që të shërohem atje. Po ashtu, kam qenë edhe në Francë dhe në Amerikë, por nuk u shërova dot, më thoshte ai. Një ditë prej ditësh, i ulur para televizorit e pashë transmetimin e drejtpërdrejtë të namazit nga Qabeja dhe fillova të qaj. Pastaj, u thashë fëmijëve të mi që dëshiroj të udhëtoj te Sunduesi i shtëpisë së Tij. Ndërsa ato se kishin të qartë se te sunduesi i cilës shtëpi doja të udhëtoja. Unë u thashë që doja të udhëtoj te Mbreti i Sundimtarëve dhe se isha i bindur që Ai nuk do të më kthente të zhgënjyer. U thashë që doja të shkoj në Umre, kurse ato më thanë se nuk mund të lëviz. Prandaj, u thashë që ta marrin me qira një aeroplan privat. Vazhdon njeriu të rrëfejë. Kryesorja, ma plotësuan dëshirën dhe erdha në Meke. Kur erdha këtu, u thashë që të ma afrojnë karrigen time afër Qabesë dhe të më lënë të vetëm. Pastaj, fillova ta lus Allahun me disa fjalë, që i përsërita një orë të plotë, pa shtuar diçka tjetër. Gjatë lutjes time thosha: “O Zoti im, unë nuk do të dal nga Shtëpia Jote vetëm se duke ecur apo duke më përcjellë për në varr! Kështu, bërtita një orë të plotë. Në fund, u lodha dhe më zuri gjumi. Duke fjetur, më erdhi një zë që më thoshte: Ngrihu dhe ec! Ngrihu dhe ec! Ngrihu dhe ec! dhe më doli gjumi. Pasi u zgjova, përsëri më erdhi një zë që thoshte të ngrihem. Kështu, unë u ngrita dhe eca. Pasi i bëra disa hapa, mu kujtua se unë isha i paralizuar dhe, nga gëzimi i madh, bërtita e thashë:” O Zot, o Sundues, pasha Ty, nuk u zhgënjeva nga mbështetja në Ty dhe që çështjen time ta lash të ma zgjidhësh vetëm Ti.”
Nga arabishtja: Irfan JAHIU