DURIMI (SABRI)
Transmeton Ebu Seid S’ad ibën Malik ibën Sinan El Hudriu, radijall-llahu anhu, se disa njerëz prej Ensarëve kërkuan diçka prej Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e ai iu dha, ata përsëri kërkuan dhe ai përsëri iu dha derisa u harxhua gjithë ajo që pati, pastaj Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, iu tha: Të gjitha të mirat që i posedoj nuk do t’i magazinoj për t`ju privuar nga ato, mirëpo ai i cili përmbahet (nga lypja) Allahu e bën të përmbajtur, ai që i mjaftohet me atë që posedon, Allahu e pasuron, ai i cili duron, Allahu ia shton durimin dhe asnjërit nuk i është dhënë ndonjë gjë më e mirë se durimi.”
Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“O ju besimtarë, bëni durim; bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut.”
Po ashtu thotë:
”-..ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”
Er-Ragib thotë: Sabri etimologjikisht d.m.th. të përmbajturit në vështirësi kurse ne terminologji do të thotë: përmbyllja e vetes brenda vijave që i ka caktuar logjika dhe sheriati.
Ibën Haxheri gjatë definimit të sabrit thotë: Sabri është pengimi i vetes – fjalëve apo veprave – nga hakmarrja në raste dëmtimi. Ndonjëherë përdoret edhe me kuptimin “butësi” (hilm). Disa dijetarë kanë thënë: Durimi gjatë mundimeve është xhihad ndaj vetvetes. Allahu, subhanehti ve teala, e ka bërë natyrën e shpirtit (egos) që të ndiej dhimbje e ngashëri nëse dëmtohet me fjalë ose vepra; për këtë arsye Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e gjeti veten në gjendje shumë të rëndë kur ia mveshën atij padrejtësinë gjatë ndarjes së plaçkës së luftës, mirëpo ai u soll me butësi ndaj akuzuesit dhe bëri durim sepse e dinte shpërblimin e madh që fitojnë durimtarët dhe se Allahu, subhanehu ve teala, u jep të mira të panumërta. Durimtari ka shpërblim më të madh se ai që shpenzon pasurinë e tij në rrugë të Allahut, sepse shpërblimi i të dytit shumëfishohet deri në shtatëqind herë edhe pse e mira ne esencë shpërblehet me dhjetë të ngjashme përveç nëse Allahu dëshiron që ta shumëfishoj.
Në hadithin e sipërpërmendur vihet në pah vlera e madhe e sabrit si dhe nxitja në të. Sabri(durimi) është cilësi e lavdëruar, virtyt i dëshiruar, moral i rrallë, përfundimin e ka të lakmuar, rezultate të kënaqshme, është dobiprurës i madh, shans për të menduar në atë që të sjell dobi, të ngadalëson në marrjen e qëndrimeve derisa dobia të jetë e vërtetuar dhe rezultati i siguruar.
Sabri (durimi)është tre llojesh:
1. Durim ndaj vështirësive që i hasim gjatë kryerjes së obligimeve fetare.
2. Durim ndaj asaj që është e ndaluar në fenë e Allahut duke lënë pas shpine mëkatet, kënaqësitë e ndaluara, si dhe përpjekja që të mos iu afrohemi atyre, nënshtrimi i epshit dhe frenimi i tij për të mos rënë në amoralitete. Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, Xhenneti është vendi i tij.”
3. Durim në fatkeqësitë e dhimbshme, tragjeditë befasuese dhe në sprovimet e ndryshme pa marrë parasysh shkaqet.
Muslimani është i obliguar që të bëjë durim në kryerjen e obligimeve fetare dhe në të kapurit për fenë e Allahut, Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur:
“Se vërtetë All-llahu është me durimtarët.”, poashtu thotë:
“O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqendrohuni dhe përmendni çdo herë All-llahun që të arrini fitoren e dëshiruar.”
Durimi ndaj peripecive në rrugën e da’ves (thirrjes islame) është prej virtyteve të Pejgamberëve, alejhim selam, lidhur më këtë Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Ti (Muhamed) duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur”, sepse me sabër dhe bindje arrihet grada më e lartë në fe “prija” – imamllëku, siç thotë Allahu, subhanehu ve teala:
“Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojmë, pasi që ata (që i bëmë prijës) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur.” Këshillimi i njëri tjetrit për të bërë sabër është prej karakteristikave të shoqërisë islame, Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“E pastaj të bëhej prej atyre që besuan, që këshilluan njëri-tjetrin për durim dhe që këshilluan për mëshirë [për ndihmë).” Thënë në përgjithësi ai i cili bën sabër duke kërkuar me këtë Fytyrën e Allahut, subhanehu ve teala, përfundimi i tij është Xhenneti, Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam ata kanë dhënë fshehtas e haptas dhe me të mire e largojnë të keqen. Te tillët kanë përfundim më të mirë. (Përfundimi i mirë është) Xhennete të Adnit (vende të përjetshme) ku do të hyjnë ata; edhe prindërit,gratë dhe fëmijët e tyre të cilët kanë qenë vepërmirë ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë. U thonë, Selamun alejkum me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend.”
Dije se njerëzit që më së tepërmi sprovohen janë:
Pejgamberët, pastaj ata me ngjashmit e më të ngjashmit. Vazhdimisht njeriu do të sprovohet derisa të lirohet të ecë mbi tokë pa asnjë mëkat.”Çdonjëri sprovohet sipas të kapurit të tij për fenë, nëse në të kapurit e tij është i fortë, sprovimi është më i fortë, nëse në të kapurit e tij për fenë ka dobësi atëherë sprovohet sipas asaj dobësie.
Shembujt që flasin për sabrin e pejgamberëvë janë të shumtë. Ibrahimi dhe Ismaili, alejhima selam, pranuan urdhrin e Allahut me zemërgjerësi dhe sabër derisa Allahu ia lehtësoi Ismailit duke i dhënë një kurban. Nuhi, alejhi selam, përjetoi nga populli i tij shumë pengime dhe mospërfillje mirëpo duroi e Allahu, subhanehu ve teala, i fundosi në ujin e vërshuar të gjithë përveç atyre që besuan. Po ashtu Jakubi, Jusufi, Ejjubi, Musai, Zekerijjau, Jahja, Isai; alejhim selam, u sprovuan dhe duruan.
Vula i të gjithë njerëzve, Muhamed ibën Abdullahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, përjetoi vështirësi të mëdha nga populli i Taifit. Mendjelehtit, fëmijët dhe robërit e këtij populli e gjuajtën më gurë derisa ia përgjakosën këmbët, si dhe para kësaj dhe pas ai përjetoi mundime të shumta nga kurejshitët pabesimtarë, më pastaj në Medine bëri sabër dhe luftoi derisa vuri themelet e shtetit më të madh që njohi njerëzimi dhe themelet e shoqërisë më të mirë në tokë
Shejhul Islam Ibën Tejmije, rahimehull-llah, thotë: Allahu, subhanehu ve teala, ka përmendur në Kur’an braktisjen e bukur (hexhër), faljen e bukur të gabimeve dhe durimin e bukur dhe në lidhje me këto është thënë: Braktisje e bukur është ajo që bëhet pa cenim, falje e bukur kur ajo bëhet pa qortim kurse sabër i bukur kur nuk ka ankime te krijesat. Ahmed ibën Hanbelit duke qenë në shtrat të vdekjes i është lexuar se Tavusi ka urrejtur bërtitjet e vdekjes dhe ka thënë: “Të bërtasësh do të thotë të ankohesh te njerëzit”, pas kësaj ai (Ahmedi) nuk ka bërtitur deri sa ka vdekur. Sa i takon ankimeve te Krijuesi kjo gjë nuk e mohon sabrin e bukur siç tregon Allahu, -subhanehu ve teala-, fjalët e Jakubit, -alejhi selam-, në Kur’an:
“Ai (Jakubi) tha: “Jo, çështjen ua lehtësoi epshi juaj. (mua nuk më ka mbetur tjetër) Durim i mirë, është shpresë që All-llahu do të m’i sjellë të gjithë; Ai është më i dijshmi, më i urti!”, “Ai (Jakubi) tha:
“Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim, ia parashtroj All-llahut, e unë di për All-llahun atë që ju nuk dini”.
Abdulaziz ibën Revvad ka thënë: Tre gjëra janë prej thesarit të Xhennetit: ”Fshehja e fatkeqësisë, sëmundjes dhe lëmoshës”.
Abdullah ibën Muhamed el-Herevij ka thënë: ”Prej margaritarëve të mirësisë është fshehja e fatkeqësisë”.
Aun ibën Abdullahu ka thënë: Mirësia në të cilën nuk ka aspak të keqe është të falenderosh Allahun duke qenë rehat dhe të durosh gjatë fatkeqësisë.
Përgatiti: Fatmir Idrizi