HYTBEJA E IBLISIT DITËN E KIAMETIT
Hytbeja e cila do të ligjërohet nga Iblisi Ditën e Kiametit në Xhehenem Allahu i Madhëruar e cek në suren Ibrahim ku thotë: “Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një denim të dhembshëm”. Ibrahim 22.
Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “Iblisi Ditën e Kiametit do të ligjëron në Xhehenem mbi minber nga zjarri dhe do ta dëgjojnë të gjitha krijesat e Xhehenemit. Sipas një burimi tjetër ceket se Iblisi këtë hytbe do ta mban pasi që banorët e Xhehenemit do ta akuzojnë dhe ofendojnë se ai i ka mashtruar derisa hynë në Xhehenem.
Iblisi akuzave të tyre do t’iu përgjigjet me fjalët: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë”, dmth. Allahu ju premtoi premtim të vërtet se do ta shpërblen atë që do t’i nënshtrohet urdhërave të Tij dhe do ta dënon atë që nuk do t’i respekton ligjet e Tij dhe me të vërtetë e mbajti premtimin e Tij.
“Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova”. Ju premtova se nuk ka ditë llogarie dhe se nuk ka shpërblim dhe dënim. Unë ju gënjeva dhe ju mashtrova.
“Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju”. Unë nuk kam pasur as fuqi dhe as pushtet mbi ju.
“Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjet”. Unë ju thirra dhe ju mashtrova me vesvese dhe zbukurim të gjërave dhe ju thjesht mu përgjigjët me vetë dëshirë, pa dhunë.
“Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten!”. Sot mos më akuzoni mua dhe mos më qortoni por akuzoni dhe qortoni veten e juaj. Gjynahu është i juaji jo i imi.
“Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi”. Unë sot nuk jam shpëtimtari i juaj e as ju nuk mundeni mua të më shpëtoni nga dënimi i Allahut.
“Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim)”. Unë sot e mohoj se jam ortak i Allahut në adhurim dhe dëshmoj se jam krijesë e Tij.
“Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm”. Me të vërtetë se ata që i përshkruajnë ortak Allahut do të kenë dënim të rëndë dhe do të jenë banorë në Xhehenem përgjithmonë.
Kështu Iblisi e zbulon armiqësinë që e ka ndaj birit të Ademit dhe e pranon se si e mashtron atë me qëllim që t’i shtohet edhe më tepër pikëllimi dhe pendimi Ditën e Kiametit.
A ka kush logjikon dhe mendon.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
Burimi: Albislam.com