BallinaARTIKUJTema dhe ArtikujKush mund të bëhet mbartës i dijes?

Kush mund të bëhet mbartës i dijes?

 

Kush mund të bëhet mbartës i dijes?

 

Dija për të cilën Allahu dhe i Dërguari i Tij na flasin shpesh, është dija për të cilën njeriu ka nevojë më tepër, dije që të mëson se nga ke ardhur, pse jeton dhe ku do të shkosh. Dija që i jep kuptim jetës së njeriut, dija që rregullon marrëdhëniet në mes Zotit e krijesës dhe në mes krijesës e krijesës. Dija e epërme, për të cilën ka nevojë çdo njeri, ajo që në gjuhën fetare quhet fardul-ajn (detyrim individual), status që asnjë dije tjetër nuk e ka. E cila dije mund të jetë kjo veç dijes së fesë?! Mbivlerësimin kjo dije e merr edhe për një shkak tjetër dhe ai është burimi i saj. Nëse dijet e tjera burimin e tyre kryesisht e kanë te përpjekja njerëzore, pra, te qenia e mangët dhe e gabueshme njeri, dija fetare burimin e saj e ka tek e vërteta hyjnore, e ka nga vetë i Larti, i Përsosuri dhe i Gjithëdituri Zot. Dhe lartësia e kësaj dije ndaj të tjerave dallon si distanca në mes këtyre dy burimeve.

Po kush mund ta marrë dhe ta përvetësojë këtë dije, dhe si? Në rreshtat në vazhdim do të mundohemi t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, si dhe disa prej problemeve më thelbësore që kërkon mbartja e kësaj dijeje. Mbartja e dijes mbështetet mbi dy shtylla kryesore: E para, që është edhe më parësore për nga rëndësia, kuptimi dhe perceptimi i njohurisë. E dyta, memorizimi, të mësuarit përmendësh apo të mbajturit mend i teksteve që mbartin dijen. Le t’i shpjegojmë me radhë.

Fikhu, të kuptuarit

Të kuptuarit, për të cilin po flasim, ngërthen në vetvete dy gjëra: perceptimin sipërfaqësor të përmbajtjes së fjalëve, si dhe perceptimin e thelbit, domethënies së asaj çka dashur të thotë dhe të përçojë autori i fjalëve.[1] E para në gjuhën arabe quhet fehm, ndërsa e dyta fikh. Si fehm-i edhe fikh-u janë tepër të rëndësishëm në marrjen e dijes, madje ato lehtësojnë edhe procesin e dytë të saj, memorizimin. Fehm-i është niveli minimal i të kuptuarit të gjërave, të cilin duhet ta ketë çdo nxënës që kërkon të mësojë diçka. Përgjithësisht njerëzit me nivel mesatar zgjuarsie e kanë një aftësi të tillë. Ndërsa fikh-u është diçka më e lartë, më e vështirë dhe jo të gjithë njerëzit e zotërojnë një aftësi të tillë, madje kjo aftësi dallon nga një njeri te tjetri. Që të quhesh një njeri i ditur dhe dijetar duhet doemos ta zotërosh në shkallë të lartë këtë aftësi. Po çfarë është fikh-u? Ragib El-Isfahani thotë: “Fikhu është arritja te dija e padukshme me anë të dijes së dukshme, ndaj ajo është më e veçantë sesa thjeshtë dija.”[2] Po ashtu thuhet se fikh-u është: “të qëlluarit apo arritja te kuptimi i padukshëm me të cilin lidhet gjykimi. Fikh-u është dije e nxjerrë me anë të mendimit dhe përpjekjes dhe që ka nevojë për diskutim dhe meditim.”[3] Nga këtu kuptojmë pse dija që ka të bëjë me ligjet e Zotit për njerëzit, Sheriati, quhet fikh. Pra fikh-u është veprim energjik, është përpjekje njerëzore për të rrokur me forcën e mendjes kuptimin e fesë, kuptimin e shpalljes hyjnore. Fikh-u nuk është pritje, nuk është veprim pasiv, ku kuptimet dhe domethëniet e gjërave vijnë nga dikush tjetër, ndaj dhe për këtë arsye një njeri nuk mund të quhet fakih apo dijetar pse ai thjesht mëson dijen që e kanë nxjerrë të tjerët para tij, përderisa ai vetë të kalojë nëpër atë shteg nga i cili kanë kaluar dijetarët. Prej këtu dalim në një konkluzion mjaft të rëndësishëm, se dija më së shumti arrihet nëpërmjet aktivizimit dhe përpjekjes individuale të nxënësit për të kuptuar, sesa përpjekjes së mësuesit për të shpjeguar. Do ta mbyllja këtë pikë duke cituar dy hadithe, të cilët evidentojnë këtë fikh në radhën e sahabeve. Të parin na e përcjell Abdullah ibën Abasi(radijallahu anhu), i cili në atë kohë ishte akoma fëmijë. Ai thotë: “Një herë Profeti (alejhi salatu ue selam) shkoi për të kryer nevojat personale dhe unë solla për të një enë me ujë, për abdes. Ai pyeti:Kush e ka sjellë këtë?- Dhe atij i thanë se kush e kish vënë. Atëherë ai tha: O Zot bëje atë ta kuptojë fenë.”[4]

Hadithin e dytë e përcjell Ubej ibën Kabi (radijallahu anhu), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut më tha:O Ebu Mundhir! A e di se cili ajet, nga ato që ti di, është më i madhi, në librin e Allahut?– Dhe unë i thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë.- Dhe ai përsëri më tha: O Ebu Mundhir! A e di se cili ajet, nga ato që ti di, është më i madhi në librin e Allahut?– Dhe unë i thashë: Allahu la ilahe ila huel hajul kajum.- Ai më ra në gjoks dhe më tha: Le të bëhet për ty e thjeshtë dija, o Ebu Mundhir!”[5]

Memorizimi (hifdh-i)

Thamë se dija mbartet edhe nëpërmjet memorizmit. Nëse të kuptuarit e dijes është një veprim logjik, të memorizuarit e saj është një veprim kryesisht mekanik. Ndonëse kjo gjë për nga rëndësia vjen e dyta, ajo nuk mund të ndahet nga e para. Asnjë njeri nuk mund të quhet i ditur, nëse ai nuk ruan në memorien e tij tekstet e dijes, dhe në rastin tonë nuk mund të quhet ai që nuk memorizon ajetet e Kuranit, hadithet e Profetit (alejhi salatu ue selam), si dhe rregulla e tekste të tjera plotësuese. Memorizimi bën që dija të ruhet, siç edhe ndihmon në kuptimin e saj. E para, sepse njohuritë e një njeriu të dijshëm rezervohen në mendjen e tij dhe jo nëpër rreshtat e librave. Nëse dikujt i duhet të pohojë diçka të cilën ai duhet ta argumentojë, atij i duhet patjetër të citojë tekstet përkatëse, ajete apo hadithe. Dhe së dyti, ashtu siç dija ruhet në mendjen e njeriut ashtu dhe ajo kultivohet po aty. Mendja është ajo tokë e begatë, ku fara e dijes mbin dhe rritet. Lidhja, krahasimi dhe zbërthimi i dijes ndodh pikërisht në atë vend ku ndodh edhe procesi i arsyetimit dhe i të kuptuarit. Për këtë arsye kafshët apo edhe kompjuteri nuk mund të jenë dijetarë, sepse atyre u mungon kjo aftësi. Edhe pse njëri prej tyre mund të konsiderohet si një magazinë e madhe e dijes, ai nuk ngelet gjë tjetër veçse një libër i stërmadh, i indeksuar mirë dhe njëkohësisht i thjeshtë për t’u lexuar, por që në fund të fundit ka nevojë për një qenie inteligjente për ta bërë efikas. Të mbajturit mend përmendësh, në dallim me ç’mendojnë shumica e njerëzve sot, është forma kryesore me të cilën është mbartur dija për shekuj me radhë, nga njëri brez te tjetri. Kjo është edhe forma kryesore se si është ruajtur Kurani dhe Hadithi. Për këtë dhe Allahu e lehtësoi mësimin e Kuranit përmendësh, Ai thotë: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtua…”[6] Në një hadith kudsij Ai thotë: “…dhe të kam zbritur ty një Libër që nuk e shpëlan uji. E këndon atë në gjumë dhe kur je zgjuar.”[7] Pra, nuk e fshin bojën e tij uji, sepse ai mësohet përmendësh dhe po kështu e ke të ruajtur me vete në çdo lloj situate, qoftë në gjumë apo kur je zgjuar. Për këtë arsye edhe të parët e këtij umeti krahas kuptimit të dijes, i jepnin shumë rëndësi të mësuarit përmendësh dhe më pak shkrimit.

Nëse të dyja këto shtylla, mbi të cilat qëndron dija, do t’i shikonim në realitetin e sotëm, do të thoshim se ato kanë pësuar një deficit të jashtëzakonshëm. Për shumë njerëz dija merret thjesht me lexim dhe për të tjerë me lexim dhe mësim përmendësh. Të dyja këto gjëra falë zhdukjes së analfabetizmit dhe shpërndarjes së gjithanshme të librave, tashmë i janë mundësuar shumëkujt. Për këtë arsye dhe është bërë e vështirë të dallosh një dijetar të vërtetë nga një jo i tillë. Me sa duket jetojmë në kohën, kur njerëzit kërkojnë të bëhen prijës dhe të kenë sa më shumë ithtarë dhe ndjekës, kohë të cilën Muadh ibën Xhebeli e përshkruante, si koha kur Kurani do të shpaloset për t’u lexuar nga gruaja, fëmija dhe burri.[8] Apo koha, që Abdullah ibën Mesudi e cilësonte si: “Koha kur do të shtohen hatibët (ligjëruesit), do të pakësohen fakihët, të kuptuarit nuk do t’i kushtohet më fesë dhe kur me punët e Ahiretit do të kërkohet kënaqësia e kësaj bote.”[9]

Sigurisht që të kuptuarit e fesë rezulton edhe më deficitarja në këtë kohë, gjëja për të cilën kemi edhe më shumë nevojë.

Dija është dhunti dhe përkushtim

Në fjalët e mësipërme nuk dua të them se botimi i librave të shumtë dhe leximi i tyre apo edhe mësimi përmendësh nga shumë njerëz është diçka negative. Por negativja qëndron tek perceptimi i shumë prej njerëzve, kur modelojnë në mendjen e tyre, se cili quhet një njeri i ditur apo edhe sa lehtë që është sot për t’u bërë i tillë! Dija është dhunti, sepse ajo është një dhuratë e Allahut, që nuk i jepet çdo kujt që e dëshiron, apo edhe mund të përpiqet për ta marrë atë. Dija është urtësi dhe Allahu nuk ia jep atë çdokujt “Ai ia jep urtësinë (të kuptuarit e Kuranit) kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetër kush, përveç njerëzve të mençur.”[10] I Dërguari i Allahut në një hadith të tij thotë: “Njerëzit janë si mineralet, më të mirët e tyre në xhahilijet (në injorancë, jashtë Islamit) janë edhe më të mirët në Islam, nëse feja për ta bëhet e kuptueshme.”[11] Ky hadith na tregon se nëse një njeri i mençur dhe inteligjent, një njeri që vlerësohet për intelektualizmin dhe dijen e tij, një njeri me prejardhje fisnike apo fisnikëri të fituar, do ta ruajë këtë status edhe në Islam, kur ai të njoh dhe kuptojë ashtu siç duhet këtë fe. Islami nuk ua humb vlerat këtyre njerëzve, përkundrazi ai i ngre lart ata më shumë se të tjerët, edhe nëse kanë më pak vite në fe, por sigurisht me kushtin e domosdoshëm, të cilin e përmendëm më lart. Kujtoni Omer ibën Hatabin (radijallahu anhu) dhe Ebu Xhehlin! A nuk i lutej Profeti (alejhi salatu ue selam) Allahut që ta forconte Islamin me njërin prej këtyre dy njerëzve?! E cila mund të ishte arsyeja më madhore për këtë gjë veçse inteligjenca, mençuria dhe autoriteti i tyre në këtë drejtim?! Omeri u bë musliman rreth gjashtë vjet pas shpalljes, por ai do të ishte njeriu i dytë i këtij umeti pas Ebu Bekrit, për të gjithë historinë islame. Njeriu të cilin me të drejtë Majkëll Hart do ta vendoste, në librin e tij, në radhën e njëqind personaliteteve më me ndikim në historinë botërore.

Nevojën për të tillë njerëz Islami asnjëherë nuk e konsideron si të tepërt, përkundrazi ne kemi nevojë sot më shumë se kurrë për të tillë njerëz, sesa për dhjetëra dhe qindra të diplomuar në fe, që zotërojnë një nivel mesatar inteligjence apo edhe nën mesataren. Por dija, veç kësaj është edhe përkushtim. Dija nuk merret me rehati, për të duhen orë të gjata pune dhe studimi, net pa gjumë dhe vite të tëra lodhje dhe përpjekje. Dhe njerëz që të sfiliten pas dijes dhe të bëjnë të tilla sakrifica janë gjithmonë të paktë, në çdo kohë. Shumica e dijetarëve në tërë historinë e njerëzimit janë konsideruar si të tillë vetëm pasi qenë plakur dhe kryet e tyre qenë mbuluar nga thinjat!

“Dija fitohet me të mësuar dhe maturia me vetëpërmbajtje.”[12]- thotë i Dërguari i Allahut, çka do të thotë se dija merret me durim të madh dhe në luftë me vetveten.

Dija është devotshmëri dhe sinqeritet

Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, dija e fesë ruhet dhe kultivohet më shumë nga njerëzit e devotshëm. Nga ata të cilët e kërkojnë dijen për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin në botën tjetër. Nga ata të cilët punojnë dhe veprojnë me atë çka dinë, vetë në radhë të parë e pastaj ua mësojnë edhe të tjerëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët.”[13]

Një njeri i ditur që i frikësohet shumë pak Zotit, begatinë e dijes e ka të pakët. Ajo nuk mund të ngjitet në qiell nga një pellg i ndyrë dhe pastaj të zbresë mbi njerëzit si një shi i pastër. Ajo do të ngelet aty, në tokë, vetëm për ata që do t’i afrohen asaj. Kjo është edhe arsyeja pse emrat e shumë dijetarëve dhe dija e tyre rrojnë edhe sot e kësaj dite, e ndërsa e shumë të tjerëve jo. Kur imam Malikut i thanë, pse po e shkruante librin e tij të hadithit, kur si ai libër kishte edhe shumë të tjerë, ai u përgjigj: “Ajo që bëhet për hir të Allahut mbetet.” Dhe me të vërtetë shumë libra të ngjashëm me të u harruan, por libri i tij mbeti! Devotshmëria ndihmon në nxënien e dijes, dhe Allahu për këtë thotë: “…prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju; Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.”[14] Të parët tanë të mirë thoshin: “Ai që vepron me dijen që ka, Allahu i mëson atij atë që ai nuk e di.” Ndërsa imam Shafiu në disa vargje të tij për këtë do të shprehej:

Ju ankova Uekiut[15] për memorien e dobët
Dhe më tha: lëri gjynahet
Sepse dija është dritë
Dhe drita e Allahut nuk i jepet mëkatarit!

Ndryshe nga dijet e tjera, dija fetare kërkon sinqeritet, sepse kështu fitohet begatia e botës tjetër. Profeti i Zotit thotë: “Ai që mëson një dije, me të cilën kërkohet hirësia e Allahut, dhe e mëson vetëm për të fituar me të një dobi të përkohshme të kësaj bote, ai nuk do ta ndjejë erën e Xhenetit Ditën e Kiametit.”[16]

Kështu pra duke ardhur në fund të këtij ligjërimi do të citoj një hadith të Profetit (alejhi salatu ue selam), që njerëzit karshi kësaj dije i ndan në tre kategori, duke i krahasuar ata me tokën pjellore, atë argjilore dhe me atë të shterpët. Ai thotë: “Shembulli i dijes dhe udhëzimit, me të cilin Allahu më ka dërguar, i shëmbëllen shiut të shumtë që bie mbi tokë. Një pjesë e saj është pjellore, që e pranoi ujin, dhe me të mbin kullota dhe bari i shumtë. Një pjesë e saj është argjilore që e ruan ujin, me të cilin Allahu bëri të përfitojnë njerëzit, të pinë prej tij, të vadisin dhe të mbjellin. Ndërsa një pjesë tjetër është e shterpët, as nuk e mban ujin dhe as nuk mbin në të bar. Ky është shembulli i atij që i është bërë e kuptueshme feja e Allahut dhe i bëri dobi ajo me të cilën më dërgoi Allahu, mësoi vetë dhe ua mësoi edhe të tjerëve, si dhe i atij që nuk e ngriti kokën me të. Dhe e atij që nuk e pranoi udhëzimin e Allahut me të cilin u dërgova.”[17]

Të nderuar muslimanë “Atij që Allahu ia do të mirën ia mëson fenë.”[18]

O Zot na mëso atë që nuk dimë, na bëj dobi me atë që dimë dhe na shto diturinë!


Përgatiti: Justinian Topulli, Tiranë

Burimi: Albislam.com

www.IslamiFejaeVertete.com


——————————————————————————–
[1] El-kulijat El-kefeui…
[2] El-mufredat Er-ragib kap. Fikh.
[3] Meusuatu Nedretu En-neim 8/3137.
[4] Buhariu nr. 143 dhe Muslimi nr.2477.
[5] Muslimi nr.810.
[6] El-kamer: 17, 22, 32, 40.
[7] Muslimi bashkë me komentin e Neveviut.
[8] Sunen Ed-darimi nr.199.
[9] El-mustedrek nr.8570.
[10] El-bekare: 269.
[11] Sipas përkthimit tjetër të mundshëm “e kuptojnë fenë”. Trs. Buhari nr. 3496 dhe Muslimi. nr. 2526.
[12] Shih Sahihul xhamiu nr.2328.
[13] El-fatir:28.
[14] El-bekare:282.
[15] Uekij ibën Xherah (v.196 h.) dijetar i shquar i shekullit të dytë dhe mësuesi i Imam Shafiut, Ahmedit dhe të tjerë.
[16] Ebu Davudi nr.3664, Tirmidhiu nr.2655.
[17] Buhari nr. 79, Muslimi nr.2282.
[18] Buhari nr.71.

Must Read