BallinaARTIKUJTema dhe ArtikujNjë ditë në meken e nderuar - Dr. Shefqet Krasniqi

Një ditë në meken e nderuar – Dr. Shefqet Krasniqi

 

Një ditë në meken e nderuar – Dr. Shefqet Krasniqi

 

Gjendem në Mekën e shenjtë, në Qabenë e bekuar, ku janë duke u mbajtur edhe garat e Kur’anit për të tridhjetetretën herë me radhë. Këto gara janë të nivelit ndërkombëtar, me 146 garues nga 53 shtete të botës, e në mesin e të cilave edhe Kosova me përfaqësues Jasir Krasniqin, tim bir.


Garat janë të organizuara nga Mbretëria e Arabisë Saudite ndërsa unë marrë pjesë si vëzhgues. Në fakt, derisa po vëzhgoja garat meditoja po kështu në madhështinë e kësaj feje dhe këtij libri, Kur’anit. Njerëz të racave të ndryshme dhe me gjuhë, tradita dhe zakone të ndryshme, por që të gjithë e ndienin njëri tjetrin për vëlla. E kush i vëllazëron e bashkon njerëzit më shumë e më mirë sesa ky Islam, zaten për këtë edhe ka zbritur.


Ky Kur’an i cili nga dita që zbriti vazhdon të jetë i shëndoshë dhe i pandryshuar për as edhe një shkronjë të vetme, dhe kështu do të vazhdoj deri në amshim. Faktikisht, Kur’ani është libri i vetëm qiellor i mbetur ashtu si ka zbritur, pa pësuar asnjë ndryshim. Ky Kur’an vazhdon të jetë libri më i lexuar dhe më i popullarizuar në mbarë botën, e njëkohësisht më së shumti çmohet, studiohet, ruhet e mësohet përmendsh. Madje kjo e fundit është karakteristikë e vetëm Kur’anit. Tash e katërmbëdhjetë shekuj vazhdon të lexohet e të mësohet për njëzetekatër orë rresht në të gjitha vendet e botës, nga të gjithë popujt, si ata që e dinë gjuhën arabe dhe e kuptojnë, si nga të tjerët që nuk e kuptojnë fare por e lexojnë atë sepse është libër i Zotit të tyre, është fjalë e Zotit të tyre. Është shumë interesant se si mund të zihet përmendësh tërë ai libër nga dikush që nuk kupton asnjë fjali, siç është rasti me djalin tim dhe shumë të tjerë që po marrin pjesë në këto gara, ku aq mirë e rrjedhshëm e lexojnë këtë libër saqë është vështirë t’i mbash lotët. Djem të moshave të reja deri në dhjetë vjet, bile diku – diku ka edhe më të vegjël që e kanë mësuar tërë këtë libër përmendësh. Po të nderuar ky është një argument në vete se Kur’ani nuk është punë e njeriut, por i të madhit Zot i Cili ua lehtëson zënien përmendësh atyre që ia mësyjnë. Thotë Allahu: “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, (për zënie përmendësh), po a ka ndokush që merr mësim?” (Kur’an, el-Kamer: 17).


Këto gara kanë dhe një veçori tjetër. Po mbahen në Mekë, dhe atë mu në Qabe, në një skaj të saj, aty ku edhe ishte fillimi i zbritjes së tij para 1440 viteve, me të cilin Allahu e nxori Mekën dhe banorët e saj nga ajo errësirë që i kishte kapluar, në dritë, dhe edhe sot e kësaj dite vazhdon ta luaj të njëjtin rol. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh” (Kur’an, el-Isra: 9). Ka udhëzuar në rrugën më të mirë deri më tani dhe do të vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë me emër të Allahut xh.sh. pa u mposhtur dhe sfiduar nga askush. E si të sfidohet kur ky Kur’an vet i thërret njerëzit që t’i qasen, ta studiojnë, ta krahasojnë atë me kë të donë, e rrjedhimisht të binden se libër i kujt është ai. Allahu i Madhëruar ka thënë: “A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin ( a nuk e studiojnë atë)? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie” (Kur’an, en-Nisa: 82).


Kur’ani nuk vuan nga kundërthëniet dhe ata që mundohen të gjejnë diç të tillë në të vetëm do ta humbasin kohën kot. Kur’ani madje nuk bie ndesh as me shkencën, për tët hënë se i paraprin asaj në shumë drejtime. Në vazhdimësi po zbulohen gjëra nga shkenca, e që më pas po kuptohet se ato veç paskan qenë të cekura në Kur’an, e për këtë shih se çka thotë Allahu: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte( në qiej e në tokë, në pemë e perime, në male, kodra e dete…)dhe në veten e tyre deri sa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Kur’an, Fusilet: 53). A nuk ju mjafton atyre ta kuptojnë se Zoti qëndron pas çdo gjëje që ju e shihni, se çdo gjë ka urtësinë e vet pse është krijuar ashtu e jo kështu?!


Kur’an është i bukur për ta lexuar, i lehtë për ta mësuar, i ëmbël për ta dëgjuar, në të ka informata për të kaluarën, njoftime e lajme për të ardhmen…Ai është rruga e vërtetë, nuk ngopen me të dijetarët, nuk lodhën e as nuk ndiejnë monotoni prej tij lexuesit e dëgjuesit. Çudirat e tij nuk përfundojnë. Ai që flet me të gjithherë ia qëllon, ai që gjykon me te kurrë nuk gabon. Ah mjeri unë për popullin tim që e kanë hedh pas shpine këtë libër, ah mjeri unë për ta sikur ta kishin lexuar, mësuar e studiuar, sikur mesazhin e tij ta kishin kuptuar, pastaj edhe ëmbëlsinë e tij do ta kishin shijuar, e rrugën e tij me siguri do ta kishin pasuar. ]Po të nderuar ky është Kur’ani që ne si popull ende shumë pak dimë për të, shumë pak merremi me të, shumë pak i kushtojmë rëndësi. Allahu na drejtoftë neve të gjithëve, na bëftë që ta duam Kur’anin, ta lexojmë e ta mësojmë, ta analizojmë e ta studiojmë dhe me të të punojmë, në mënyrë që të lumtur e krenarë të jetojmë, po edhe të mirat e Xhenetit nesër në botën tjetër t’i shijojmë, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër! Selam alejkum nga Meka e Nderuar.


www.IslamiFejaeVertete.com


Must Read