A është e lejuar marrja e abdestit nëse i ke flokët e lyera me xhel?
Pyetja:
Es selamu alejkum ue rahmetullah!
Kisha një pyetje rreth marrjes së abdestit.
A është e lejuar marrja e abdestit nëse i ke flokët e lyera me xhel, llak apo preparate të tjera për stilimin e flokëve tek meshkujt. Allahu ju shpërbleftë!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Marrja e abdestit, pasi të lyhen flokët me xhel, llak ose preparate të tjera të cilat përdoren nga femrat dhe nga meshkujt është një problematikë e cila shtrohet shpesh nga muslimanët, pastaj edhe shohim përgjigje të ndryshme nga hoxhallarët të cilët janë pyetur, gjë që krijon paqartësi te të interesuarit që të dinë se cila është më e qëlluara nga këto. Prandaj, do të mundohemi të japim përgjigje duke i pasur parasysh pikënisjet dhe komentet e ulemave bashkëkohor të cilët kanë folur në lidhje me këtë çështje.
Së pari:
Duhet të dimë se gjatë abdestit, disa nga pjesët lahen duke u hedhur ujë, lagur tërësisht dhe fërkuar (sikurse duart, fytyra, goja, etj), ndërsa disa pjesë vetëm fërkohen (u jepet mes`h) me dorë të lagur dhe këto pjesë nuk është e obliguar që të lagen tërësisht (sikurse koka dhe këmbët, nëse i kemi mbathur mestet).
Së dyti:
Pjesët të cilat detyrimisht lagen duhet të kemi kujdes që gjatë abdestit, të mënjanojmë të gjitha pengesat të cilat ndalojnë arritjen e ujit tek ato pjesë. Prandaj femrat të cilat i lyejnë gishtat me llak apo bëjnë makijazh duhet të kenë kujdes që kur të marrin abdest, t`i largojnë këto gjëra nga pjesët të cilat pastrohen gjatë abdestit. Përndryshe, nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë abdesti i tyre nuk është i saktë. Gjithashtu, nga këto pjesë duhet të largohen edhe llojet e kremrave që pengojnë arritjen e ujit të abdestit tek ato.
Së treti:
Dispozita e mëparshme kishte të bënte me ato pjesë që pastrohen duke u lagur gjatë abdestit, ndërsa te pjesët që vetëm fërkohen me dorë të lagur, më konkretisht koka e cila vetëm fërkohet gjatë abdestit, a është kusht që të largohen ato pengesa (sikurse llaku dhe xheli) që nuk lejojnë të arrijë uji apo nuk është kusht kjo?
– Dijetarët të cilët kanë folur në lidhje me këtë problematikë kanë thënë se preparati me të cilin lyhen flokët nëse është i hollë dhe nuk krijon shtresë mbi flokun që pengon arritjen e ujit, atëherë lejohet të marrim abdest pasi ta kemi përdorur këtë preparat. Si shembull i këtyre preparateve janë llojet e ndryshme të vajrave që përdoren për të rregulluar dhe mirëmbajtur flokët.
– Por nëse preparati është më i trashë (si geli) dhe krijon shtresë mbi flokët që pengon arritjen e ujit, atëherë shumica e ulemave të nderuar anojnë se abdesti nuk është i saktë. Prandaj ata theksojnë se patjetër duhet që kjo të largohet nga flokët, pastaj të merret abdesti. Ata gjithashtu theksojnë se këto preparate, nëse përdoren pasi të kemi marrë abdest, nuk prish punë, qëllimi është që gjatë abdestit, kur ta fërkojmë kokën, të arrijë uji tek flokët..
Ky sqarim që është bërë më lart është mendimi i shumicës së ulemave bashkëkohorë, të cilët janë pyetur në lidhje me këtë problematikë. Pikënisja e tyre mbështet në thënien e Allahut të Lartësuar: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja (jepni mes`h), e këmbët lani deri në dy zogjtë.” (Maide, 6)
Kurtubiu thekson se përdorimi i pjesëzës “bi” te vendi ” ” وَامْسَحُوا بِرُؤُوسِكُمْ – ” fërkoni kokat tuaja (jepni mes`h)”, nënkupton që me kokë të fërkohet uji. Prandaj çdo gjë që e pengon kontaktin e ujit me flokët gjatë abdestit duhet të mënjanohet.
– Kurse një grup dijetarësh bashkëkohorë, të cilët kanë dhenë mendim rreth kësaj çështjeje, nuk janë shumë rigorozë në këtë. Ata thonë se koka fërkohet gjatë abdestit dhe nuk është e kërkuar të laget me ujë si pjesët e tjera. Prandaj edhe nëse kemi në kokë imame (çallmë ose kapuç) dhe është vështirë të hiqet, ose gruaja e ka shaminë e shtrënguar, lejohet që gjatë abdestit t`i japë mes`h. Pastaj gjithashtu edhe nëse flokët lyhen me vaj, këna dhe me ngjyrë nuk pengon marrjen e abdestit.
Por argumentimi i tyre më i qartë në të cilin ata mbështeten është se transmetohet nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, gjatë haxhit kishte lyer flokët me mjaltë që t’i drejtonte dhe ashtu i mbajti derisa i rroi (shënon Ebu Davudi, Hakimi dhe Bejhikiu). Dihet shumë qartë se mjalti është i trashë dhe nëse vihet në flokë, krijon shtresë dhe pa dyshim i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, gjatë asaj kohe ka marrë abdest dhe i ka dhënë mes`h kokës. Prandaj çështja e depërtimit të ujit gjatë abdestit nuk është e njëjtë si te duart, fytyra ose pjesët e tjera të cilat lahen dhe te fërkimi i kokës.
Kjo ishte ajo që arritëm të përmbledhim në lidhje me këtë mesele dhe mendojmë se qasja e fundit është shumë e arsyeshme dhe do të ishte më e qëlluar të bëjmë dallim mes fërkimit të kokës dhe pjesëve të tjera, pasi për këtë kemi edhe argument nga praktika e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Kështu që dhënia mes`h kokës duke pasur në flokë preparate të këtilla gjatë abdestit është e pranuar. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
28.12.2008
Burimi: klubikulturor.com