BallinaARTIKUJGruaja dhe FamiljaMËNYRA E TË FTUARIT TË FËMIJËVE NË NAMAZ

MËNYRA E TË FTUARIT TË FËMIJËVE NË NAMAZ

Falënderimi i takon Allahut të vetëm, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi profetin pas të cilit s’ka më profet, mbi profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Së pari: Për sa u përket fëmijëve me moshë të vogël (fëmijët me zhvillim të hershëm e deri në moshën 9 vjeç)

Në këtë moshë çështja është e lehtë, disa fjalë të ëmbla e të buta për mirësitë e shumta që Allahu i madhëruar na ka dhënë, me një sërë shembujsh. Gjithashtu edhe dashurinë e Allahut për robërit e Tij. Bëhet fëmija vetvetiu të ketë dëshirë për të fituar kënaqësinë e Allahut subhanehu ue teala. Në këtë moshë duhet të interesohemi t’u flasim sa më shumë për Allahun e madhëruar, vetitë dhe emrat e Tij të bukur. Përbri këtyre duke i folur edhe për domosdoshmërinë e bindjes së urdhrave të Tij, bukurinë e bindjes ndaj Tij, lehtësimet në këto urdhra dhe thjeshtësinë e tyre.

Në të njëjtën kohë duhet që i vogli të shikojë shembull të mirë para syve të tij. Me shikimin e babait apo të nënës, të cilët janë të rregullt në faljen e tyre 5 herë në ditë pa u mërzitur e pa përtuar, ndikon pozitivisht në shikimin e fëmijës për bindjen ndaj këtij urdhri, e do atë sepse edhe shembulli i mirë i tij e do. Bëhet i rregullt në kryerjen e tij sikur çdo zakon i tij ditor.

Por, në mënyrë që mos shndërrohet namazi në zakon, të ketë gjithmonë vendin e adhurimit, duhet që ta shoqërojmë atë me disa mësime, sikur akidja, është shumë e përshtatshme këtu tregimi i historisë “Isra e Mi’raxh, obligimi i namazit” apo histori nga disa sahabe e lidhja e tyre me namazin…etj.

Të kihet kujdes:

T’i shmangemi krejtësisht dhunës, apo mënyrave të kërcënimit. Duhet që patjetër të shfrytëzojmë mënyrat pozitive; me një fjalë, nxitja e fëmijës për namaz derisa të bëhet namazi një pjesë e jetës së tij.

-Kujdesen për të pasur ujë të ngrohtë në dimër, sepse ka mundësi që fëmija t’i largohet namazit se nuk merr dot abdes me ujë të ftohtë.

Për sa i përket vajzave:

T’ua bëjmë të dashur namazin në këtë moshë, edhe pse mund të duket si e kotë falja e saj, por ndikimi që lë tek ajo nuk mund ta marrësh me mend. P.sh.:- blerja e një shamie të vogël të bukur me lule.

-Gjithashtu edhe një sixhade të vogël të veçantë për të.

Ndërsa djemtë:

– Nxitja e të voglit 9 vjeçar të shoqërojë babanë e tij për në xhami. Duke pasur parasysh që këpucët e tij të jenë të përshtatshme për këtë punë. Është mirë që të mos përdorë këpucë me lidhëse të cilat kërkojnë kohë e durim nga i vogli të lidhen, gjithashtu edhe faltorët (namazfalësit) nuk mund të presin derisa i vogli të lidhë këpucët e tij.

Së dyti: për sa u përket fëmijëve me zhvillim të vonuar dhe adoleshentët.

Mbas moshës 9 vjeçare vërejmë tek fëmijët në përgjithësi ndryshim kundrejt namazit, dhe mosrregullsinë e të falurit. Pra, nëse ndodh diçka e tillë dijeni se është normale. Vërejmë dembelizëm, largim, justifikime, me një fjalë kalim në një fazë tjetër të jetës: “fazë jete e mbushur me plot emocione, pakontrollueshmëri të mirë të vetes, vështirësi në drejtimin e personalitetit” e këtu duhet që patjetër të sillemi e të bashkëpunojmë me fëmijët plot zgjuarsi dhe mençuri.

-Largimi nga pyetjet direkte, si p.sh.: A e fale ikindinë?

Sepse djali apo vajza me këtë mënyrë mund të detyrohen të gënjejnë, e përgjigja jote do të jetë: ose të nevrikosesh për gënjeshtrën, ose mbyllja e çështjes edhe pse t’i e di “gënjeshtrën”. Është mirë që në këtë rast të përkujtohet djali apo vajza për namaz duke thënë “ikindia o rini” një herë dy, tre, derisa të çohen. Nëse nuk çohet me këtë mënyrë, të ulet pranë tij babai ose nëna duke i thënë: “Unë jam duke pritur diçka të domosdoshme, duhet patjetër të kryhet para se të ikë koha e tij”, në mënyrë të prerë, por jo me nerva e as në mënyrë kërcënuese.

-Nxitja për sa u përket vajzave mjafton thënia: “Unë do të falem hajde falemi bashkë”. Vajzat mënjanojnë nga namazi me xhemat se është më me pak mund dhe nxitës.

Ndërsa për sa u përket djemve mund t’i nxitësh për faljen në xhami, duke e supozuar këtë dalje e rehati nga studimi i gjatë që mund të ketë bërë, gjithashtu mund ta lidhim shkuarjen e tij për në xhami me kryerjen e ndonjë pune të vogël si: blerje të bukës, të pyesë për fqinjin… etj.

E në të dyja rastet, si tek vajza apo tek djali, mos harrojmë nxitjen dhe dhënien vullnet me mënyra jo kërcënuese. Ngulitjen në mendjet e tyre se falja e namazit me rregullsi është cilësia më e mirë që ne na pëlqen në personalitetin tuaj dhe se ajo është cilësi e cila i mbulon të gjitha mangësitë dhe gabimet e tjera.

Marrë nga Islamway.com
Përktheu F. Gurra
Burimijetes.info

Must Read