Kthehu e falu, se ti nuk u fale!
Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm All-llahut, Zotit të botërave. Paqa dhe mëshira qofshin mbi Pejgamberin mëtë nderuar, Muhammedin, familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.
Vëlla i dashur; kemi një këshillë të sinqertë vetëm për hir të All-llahut subhanehu ve teala. Ti je prej atyre që i duam për hir të All-llahut subhanehu ve te’ala. Kujdesi yt që të falësh namazin me xhemat është shenjë e mirë dhe rrugë e përqëndrimit. Ajo është përgjigje e thirrjes së Krijuesit dhe Zotit tënd, prejtë cilit shpreson shpërblimin dhe ke dro dënimin.
Falënderoje All-llahun që nuk je prej atyre të cilët e lanë namazin dhe nuk kujdesen për të, ashtu që ekspozohen shkatërrimeve. Resulull-llahu sal-lall-llahualejhi ve sel-lem ka thënë: “Marrëveshja mes neve dhe atyre (pabesimtarëve) është namazi; kush e len atë bëhet pabesimtar.” (Transmeton Ahmedi dhe Ebu Davudi).
Ja edhe një sihariq, me hadithin i cili ta gëzon zemrën dhe ta shton punën, ku i Dërguari sal-lall-llahu alejhi we sel-lem thotë: “Shtatë grupe njerëzish do të jenë nën hijen e All-llahut atë ditë kur s’do të ketë hije tjetër pos hijes së Tij”, e në mesin e tyre e përmendi” dhe njeriu zemra e të cilit është e lidhur me xhaminë.” (Muttefekun alejhi).
Myzhde, o vëlla që falesh, për atë ti shkon në xhami para se të zbardhet dita, është drita e plotë ditën e Kijametit. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Përgëzoi këmbësorët që shkojnë në xhami duke qenë errët, me dritë të plotë në Ditën e Kijametit.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).
Ne gëzohemi kur i shohim ato fytyra të bukura duke garuar për në xhami. Prej tyre ka njerëz që i ka mundur pleqëria, të rinj të cilët ia kthyen shpinën të kotave dhe harameve dhe bashkë me ta është edhe shpresa e këtij populli: fëmija i cili ende pa i mbushur të dhjetat, ua kalon të gjithëve dhe shkon e falet në safin e parë. Falënderimi i takon vetëm All-lahut për këtë begati të madhe. Vëlla musliman, sot janë zvogëluar ata që shkojnë në xhami. Ne kemi vetëm disa vështrime lidhur me ta, e ato nuk janë tjetër pos këshillë e sinqertë dhe pëshpëritje e vogël për të dashurit tanë. Ne e kemi obligim ta analizojmë gjendjen e atyre që falen, ngase po shohim gjëra që po e keqtrajtojnë namazin, p.sh. joqetësimi në namaz dhe falja e tij me shpejtësi; luajtja me qilimin apo zallin si dhe ikimi në gravura dhe zbukurime tjera ; lëvizja në namaz dhe ngritja e shikimit përpjetë; harresa dhe jokoncentrimi në namaz, kështuqë njeriu nuk e din se sa rekate i ka falur; mendimet e shumta dhe përkujtimi i gjërave të kësaj bote në namaz; luajtja me orën e dorës, shikimi në të apo rregullimi i rrobave; rënia në ruku e sexhde para imamit, e të tjera.
Ka edhe një varg paraqitjesh tjera që tregojnë jokoncentrimin dhe joqetësimin në namaz. Këtë e ka nënçmuar All-llahu subhanehu ve teala në Librin e Tij të ndershëm dhe në sunetin e të Dërguarit të Tij. O vëlla që e falë namazin, nuk ke ardhur në xhami për tjetër pos që ta fitosh shpërblimin e All-llahut subhanehu ve teala dhe t’i përgjigjesh thirrjes së Tij. Pse po e humb këtë të mirë me lëvizjet e tua të shumta në namaz dhe me moskujdesin tënd për të? A nuk e din se koncentrimi është shpirti i namazit dhe gjëja që e bën namazin të gjallë. Ai është fryt i besimit të fortë. Ose, ndoshta e falë namazin por nuk fiton gjë prej tij, pos pak? Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:”Pasi ta falë njeriu namazin mund të fitojë prej shpërblimit të tij një të dhjetën, një të nëntën, një të tetën, një të shtatën, një të gjashtën apo gjysmën e tij.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Nesaiu).
Po ashtu është vërtetuar se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë : “Njeriu më i keq është ai që vjedh prej namazit. (Njerëzit) thanë : Si o Resulull-llah? (Ai) tha: Nuk i plotëson rukutë dhe sexhdet e tij.” (Transmeton Ahmedi).
Po ashtu ai ka thënë: “All-llahu nuk e shikon atë njeri i cili nuk e drejton kurrizin mes rukusë dhe sexhdes.” (Transmeton Ahmedi), si dhe se: “Namazi i munafikut është kur njeriu e pret Diellin derisa të arrijë mes dy brinjëve të shejtanit, e pastaj çohet dhe i falë katër rekate (iqindinë) me shpejtësi, e nuk e përmend All-llahun në to pos pak”, (Transmeton Muslimi).
Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra radijall-llahu anhu i cili thotë: “Hyri një njeri në xhami, e Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte ulur aty. Ky njeri u fal dhe erdhi e përshëndeti Resulull-llahun sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Ai ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu e falu, se ti nuk u fale”. Shkoi u falë dhe u kthye përsëri, e Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem prapë i tha: “Kthehu e falu, se ti nuk u fale”. E kur erdhi për të tretën here, pasiqë Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e urdhëroi që prapë ta përsërisë namazin, njeriu tha: “Pasha Atë i Cili të dërgoi me të vërtetën, nuk di më mirë se kjo, më mëso!”. “Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: Kur të fillosh namazin, thuaj ‘All-llahu ekber’, pastaj lexo ç’të duash prej Kur’anit, e kur të biesh në ruku, qetësohu mirë, pastaj ngritu derisa të të drejtohet kurrizi! Kur të biesh në sexhde, qetësohu mirë në atë pozitë, pastaj ulu mes dy sexhdeve dhe qetësohu mirë e kur të biesh prap në sexhde qetësohu mirë edhe në atë pozitë! Kështu le të jetë i tërë namazi yt!”.
Transmeton Buhariu nga Hudhejfe ibnul Jemani radijall-llahu anhu se ky i fundit e ka parë një njeri duke u falur, por nuk i ka plotësuar rukutë dhe sexhdet si duhet. Atëherë i tha : “Ti nuk u fale dhe ta dish se po të vdesish duke falur këso namazi, nuk do të vdesish si pjesëtar i fesë së Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem”.
Transmeton Imam Ahmedi rahimehull-llah nga Ebu Mes’udi radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu nuk e pranon namazin a atij i cili nuk e qetëson kurrizin duke qenë në ruku apo sexhde”. Në një transmetim tjetër thotë: “Përderisa nuk e drejton shpinën në ruku dhe sexhde”. Këto janë argumente nga Sunneti se ai i cili nuk e drejton shpinën pas rukusë dhe sexhdes (d.m.th. t’i kthehet çdo pjesë e trupit në vendin e vet) në namaz, namazi i tij është i kotë. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem po ashtu ka thënë: “Pesë namaze All-llahu i ka bërë obligim për robërit e Tij. Kush i falë ato, All-llahu do t’i japë të drejtë të hyjë në xhenet, e kush nuk i falë ato, ai s’do të ketë kurrfarë të drejte tek All-llahu. All-llahu nëse dëshiron e dënon e nëse dëshiron ia falë”
All-llahu thotë: “Kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët namazin e tyre e falin me frikërespekt” (Mu’minun 1-2) d.m.th. të përulur e të qetësuar, Frikërespekt është qetësimi, dinjiteti dhe modestia. Gjithë kjo është rezultat i frikës ndaj All-llahut dhe mbikqyrjes së Tij. Hushuja (frikërespekti) është edhe kur zemra të dalë para All-llahut s. v. t. në namaz të dalë me përulje dhe e gjorë.
Transmetohet nga Muxhahidi r. a. se ai e ka lexuar ajetin :
“. . . e ndaj All-llahut, të jeni respektues (në namaze)” (Bekare 238), e pastaj ka thënë: “Prej këtij respekti është rukuja e gjatë, leximi i shumtë duke qenë në kijam, frikërespekti, ulja e shikimit dhe modestia apo thjeshtësia për hir të All-llahut subhanehu ve te’ala. Frikërespektin e arrin ai i cili ia ka falur zemrën namazit dhe është i zënë vetëm me të. All-llahu subhanehu ve te’ala i ka përmendur këta njerëz me cilësitë e robërve të mirë, e për ta ka pregatitur falje dhe shpërblime të mëdha.
Gjendja e disa të devotshmëve:
Omer ibën Hattabi radijall-llahu anhu ka thënë: “Vërtetë njeriut mund t’i zbardhet mjekrra, e të mos e plotësojë asnjë namaz si duhet”. (Njerëzit) thanë: “Si ashtu?”.
(Ai) tha : “Nuk është i koncentruar, nuk është modest dhe nuk i drejtohet All-llahut si duhet”. Kjo fjalë e Omerit r. a. ka të bëjë me kohën e atëhershme. Ç’do të thonte vallë për ditën e sotit?!! Shumicën e njerëzve në namaz i marrin nëpër këmbë hallet e dunjasë. Është duke u falur, por me mendjen e tij shëtit në të gjitha tregjet, blen e shet, shton e pakëson. E gjithë kjo vjen vetëm prej pakujdesit të tij. Hasan el-Basriu ka thënë: “Amër ibën Abdulkajsi ka dëgjuar një grup njerëzish se si flasin për të habiturit në namaz dhe i pyeti: “A mund të ndodhë kjo?” (Ata) thanë: “Po”. (Ai) tha: “Vall-llahi, të më përzihen dhëmbët në zgavrën e gojës është më e dashur për mua, se sa kjo”.
Vëlla i dashur, ku jemi ne ndaj tyre?!! Abdull-llah ibën Zubejri kur binte në ruku, mund të pushonte shpendi mbi shpinën e tij, ndërsa në sexhde dukej si i vdekur. Ne çuditemi prej këtij lloj namazi, sepse diçka të tillë sot nuk po shohim. Ejani, ejani t’i vizitojmë pak njerëzit e devotshëm! Ebu Bekër ibën Ajashi thotë : “E kam parë një here Habab ibën Ebi Thabitin duke qenë në sexhde. Sikur mos ta kisha ditur se falet, do të thoja se është i vdekur (sepse ka qëndruar shumë në sexhde). Ibnu Vehbi ka thënë : “E kam parë Sufjan eth-Thevriun njëherë në xhami pas akshamit. U fal, pastaj ra në sexhde dhe nuk u ngrit derisa thirri ezani e Jacisë”.
Atyre nuk u ka interesuar tjetër në namaz përveç All-llahu, ashtu që mes tyre dhe All-llahut nuk ka pasur kurrfarë pengese. I tërë mendimi i tyre ka qenë në namaz dhe si të koncentrohen sa më tepër. Ebu Abdull-llah en-Nebaxhi njëherë ishte duke u falur, kur papritmas një grup njerëzish e thirrnin atë, e ai nuk e ndali namazin. Pasi e kreu namazin, ata i thanë: “Ti je i keq.” (Ai) tha: “Pse?” (Ata) thanë: “Kur të thërritëm pse nuk e ndale namazin?!” (Ai) tha: “Unë nuk mendoj se një njeri duke u falur mund të dëgjojë diçka tjetër përveç asaj që lexon ai vetë”.
Një natë imam Buhariu rahimehull-llah ishte duke u falur, e një grerëz e kafshoi 17 herë. Kur e kreu namazin tha: “Shikoni, më paska kafshuar diçka” Ibnu Hajjani ka thënë: “Nuk e kam parë asnjëherë Muslim ibën Jesarin në namaz të kthyer në anë tjetër pos Kibles. Njëherë u rrëzua një pjesë e xhamisë, e njerëzit u frikuan se do të mbytet, por ai mbeti në xhami duke u falur pa u kthyer aspak dhe nuk e goditi asgjë”. Hafs ibën Ejjubi njëherë u pyet: “Pse nuk e largon mizën kur të pengon gjatë namazit? (Ai) tha: “Nuk dua t’ia prish bukurinë namazit”. (Njerëzit) i thanë: “Po si duron atëherë?” (Ai) tha: “Kam dëgjuar se njerëzit e këqinj kur dënohen me rrahje, bëjnë durim, e pastaj lavdërohen dhe thonë se ata janë trima, ndërsa unë jam në namaz para All-llahut subhanehu ve te’ala. Andaj a më ka hije të lëvizë për një mizë?!! Njëherë Ebu Talha radijall-llahu anhu ishte duke u falur në kopshtin e tij, ku kishte një zog i cili erdhi e u ndal në një dru. Këtij i iku shikimi për një moment, kështu që kishte harruar se sa rekate i kishte falur. Shkoi te Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i tregoi për këtë që i ndodhi dhe i tha: “Kopshtin tim e lë për sadaka, jipja kujt të duash”.
Kasim ibën Muhammedi ka thënë: “Dola një ditë prej shtëpisë. Kur dilja e kisha zakon që të shkoj deri te Ajsheja radijall-llahu anha dhe ta përshëndes. Atë ditë kur shkova, e gjeta duke e falur namazin e Duhasë (Ky namaz është sunet të falet. Koha e tij është prej lindjes së Diellit e deri në zenit sh.p.), dhe lexonte këtë ajet: “All-llahu na dhuroi të mira dhe na mbrojti prej dënimit të rreptë”, dhe qante, lutej dhe e përsëriste këtë ajet. Prita shumë, por ajo nuk mundte më tepër të vazhdonte leximin (sepse qante shumë sh.p.). Mendova të dal në treg, t’i kryejë nevojat e mia e të kthehem prapë. Kështu edhe bëra. Kur u ktheva e gjeta Ajshen radijall-llahu anha në namaz duke qajtur, duke u lutur dhe duke e përsëritur të njëjtin ajet”.
Transmetohet nga Hatim el-Esami rahimehull-llah se është pyetur për namazin e tij, e ai ka thënë: “Kur të vjen koha e namazit marr abdest mirë, pastaj shkoj në vendin ku dëshiroj të falem dhe ulem aty derisa të qetësohem mirë. Kur të çohem për t’u falur, Ka’ben e paramendoj para syve, urën e Siratit nën këmbët e mia, xhenetin në të djathtë, zjarrin në të majtë, melekun e vdekjes pas meje dhe mendoj se ky është namazi im i fundit. Shpresoj shpërblimin dhe i frikohem dënimit, e pastaj e marr tekbirin fillestar. Në namaz lexoj ngadalë, kurse në ruku dhe në sexhde me modesti. Në rekatin e fundit ulem mbi këmbën e majtë, e gishtin e madh të këmbës së djathtë e drejtoj drejt Ka’bes. Gjithë këtë mundohem ta bëjë sa më me sinqeritet, dhe nuk e di se a më është i pranuar ky namaz apo jo”.
Ja si na këshillon Bekër el-Mizeni për kujdesin ndaj namazit dhe faljen e tij si duhet. Ai thotë: “Nëse dëshiron që të të bëjë dobi namazi yt, thuaj: “Me siguri s’do të kam rast të falem përsëri”. Edhe pse këta njerëz kujdesesh shumë për namazin shumë dhe e falnin si duhet, Othman ibën Ebi Dehrishi thotë:
“Çdoherë që fali namaz, kërkoj falje prej All-llahut, sepse nuk e di a ia kam dhënë hakun namazit”. Vëllezër, dijeni se ka pasur njerëz që i kanë praktikuar ato për të cilat All-llahu subhanehu ve te’ala i ka urdhëruar edhe janë larguar prej gjërave që ai i ka ndaluar. Kur kanë parë se sa mëkate kanë bërë u demoralizuan shumë (e ata bënin shumë pak mëkate sh.p.), ashtu që trokitën në derën e All-llahut subhanehu ve te’ala dhe Ai i arsyetoi. All-llahu subhanehu ve teala thotë: “Unë sot i shpërbleva ata, për atë që ishin të durueshëm, ata janë fitimtarët.” (Mu’minun 111) POR!! Si të arrihet hushuja (frikërespekti, devotshmëria) në namaz? Cilat janë gjërat që ndihmojnë për t’u arritur kjo?
Vëlla i dashur, ka disa shkaqe që nëse i vepron, ka shpresë se do ta arrishë hushunë në namaz.
Ato ndahen në dy pjesë: Së pari: shkaqe që nuk kanë të bëjnë me namazin, Ato janë:
1. Njëshmëria e All-llahut subhanehu ve teala;
2. Madhërimi i All-llahut subhanehu ve teala, sinqeriteti ndaj Tij dhe njohuria se All-llahu të shikon kudo që të jeshë:
3. Pasimi i përpiktë i Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem;
4. Veprimi i urdhërave të All-llahut dhe largimi prej ndalesave;
5. Të ushqyerit me hallall dhe largimi nga ushqimet e ndaluara të dyshimta, dhe
6. Lut All-llahut subhanehu ve teala që të të bëjë musliman të mirë.
Së dyti: shkaqe që kanë të bëjnë me namazin, ato janë:
1. Koncentrimi i fortë para se të fillosh namazin;
2. Paramendimi se para kujt do të dalësh tani;
3. Shpresa se do ta arrish shpërblimin e plotë prej All-llahut subhanehu ve teala;
4. Marrja mirë e abdestit dhe mosteprimi në derdhjen e ujit;
5. Qetësimi (lirimi) para fillimit të namazit. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Nuk ka namaz në prezencë të urisë dhe nevojës” (Transmeton Muslimi);
6. Kujdesi për faljen e namazit me xhemat dhe shkuarja në xhami para ezanit;
7. Moslënia e sunneteve, posaçërisht namazin e vitrit dhe sunetet e sabahut. Po ashtu duhet të falësh edhe namaz nate;
8. Të menduarit rreth ajeteve dhe duave të cilat i lexon në namaz;
9. Mosshpejtini gjatë faljes së namazit;
10. Edukata në namaz, duke mos lëvizur pa nevojë dhe duke mos luajtur me diçka;
11. Kujdesi për dispozitat e namazit dhe edukatën në të. Shiko vetëm në vendin e sexhdes. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Faluni ashtu sikur më shihni mua duke u falur”;
12. Përcjellja e imamit, ngase imami është caktuar për t’u përcjellë;
13. Largimi zemrës tënde prej dunjasë, ngase gjithë dunjaja me gjithë atë ç’ka në të nuk vlen tek All-llahu subhanehu ve teala asgjë;
14. Zgjedhja e vendit për namaz (ku nuk ka shumë zbukurime, fotografi apo zhurmë);
15. Falja e namazit sikur të jetë ky namaz i fundit;
O vëlla musliman, Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një musliman, nëse i falë namazet, merr abdest mirë, është i koncentruar dhe i plotëson rukutë, All-llahu ia falë të gjitha mëkatet, përveç të mëdhajave. . . “.
All-llahu na i përmirësoftë punët tona dhe na shpërbleftë më së miri e më së shtrenjti. O
Zot, kërkojmë mbrojtje prej zemrës e cila nuk të ka frikë, prej syrit i cili nuk loton për Ty dhe prej duasë e cila nuk pranohet. O Zot, na i falë mëkatet, neve, prindërve tanë dhe gjithë muslimanëve. Paqja dhe mëshira qoftë mbi Muhammedin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët e pasojnë atë në mënyrën më të mirë. AMIN
Burimi:
albislam.com
ABBULMELIK EL-KASIM Shqipëroi: Omer Berisha