BallinaAKTUALEOpinioneÇka ju nevojitet "muslimanëve të sotëm" dhe çka ofron Islami?

Çka ju nevojitet “muslimanëve të sotëm” dhe çka ofron Islami?

Çka ju nevojitet “muslimanëve të sotëm” dhe çka ofron Islami?

Es-selamu alejkum vëllezër dhe motra!
Sot, ne në të vërtetë jemi duke e festuar Islamin tonë, duke qenë anëtarë të fesë më të madhe e cila ndonjëherë i është shpallur njerëzimit, duke qenë besimtarë të shpalljes më të bukur dhe më gjithëpërfshirëse, e cila ndonjëherë ka zbritur prej qiellit në tokë, duke qenë pasues të njeriut më të madh i cili ndonjëherë ka ecur nëpër sipërfaqen e botës, duke qenë besimtarë në All-llahun, Njërin dhe të Vetmin. Po të mos kishim qenë muslimanë, ne nuk do të kishim qenë sot këtu. Ne nuk do ta kishim njohur Ramazanin, nuk do ta kishim përjetuar ëmbëlsinë e agjërimit, nuk do ta kishim shijuar bukurinë e namazit dhe nuk do ta kishim ditur se sot është Bajram.
Sot jemi duke e kremtuar, para së gjithash, atë që jemi muslimanë. Ne jemi duke e kremtuar bekimin më të madh të jetave tona – Islamin tonë. Islami është feja e cila na definon se kush jemi, e definon identitetin tonë. Islami është religjioni të cilin All-llahu e ka zgjedhur për ne, e ka përsosur për ne dhe na ka dhënë atë të cilën Kur’ani aq rrjedhëshëm e ka shprehur “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova dhuntinë Time ndaj jush, zgjodha për ju islamin fe” (5:3).
Islami është nder. Islami është privilegj. Islami është dhuratë prej Allahut. Islami nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për Islamin. E tëra që duhet ta bëjmë është që të jemi mirënjohës për një shpërblim madhështor të tillë dhe të themi: “ Falënderojmë All-llahun që na udhëzoi për këtë, pse sikur të mos na drejtonte All-llahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi” (7:43).
Por çka është ajo që ne besojmë se Islami është një dhuratë kaq jashtëzakonisht e madhe prej All-llahut?
Pasi që nuk ka asgjë sikur Islami në botë:
Islami është ai që i ka mësuar qeniet njerëzore se Perëndia, Zoti i tyre është Një dhe i Vetmi, se Ai nuk ka shoqërues, nuk ka grua dhe nuk ka djalë dhe se nuk mund të ketë kompromis në njëshmërinë e Zotit.
Islami është ai që i ka mësuar qeniet njerëzore se të gjithë ata janë të barabartë dhe se arabi nuk është superior ndaj joarabit, e as joarabi nuk është superior ndaj arabit dhe se më i mirë prej nesh është ai që është më i devotshëm.
Islami është ai që i ka mësuar qeniet njerëzore se të gjithë ata janë vëllezër dhe motra të krijuar prej një çifti të mashkullit dhe femrës. Prandaj, Islami, në dallim prej Hinduizmit, as nuk e pranon e as nuk e len pas dore idenë e sistemit klasor. Islami është luftë kundër të gjitha sistemeve klasore, aristokracisë dhe grupeve tjera të ndryshme shoqërore të cilat bazohen në trashëgimi.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin për vlerën e intelektit, rëndësinë e të menduarit, dhe rolin e mendjes në plotësimin e besimit. Të krishterët mësojnë se askush nuk mund të bëhet besimtarë deri atëherë kur Shpirti i Shenjtë në mënyrë të mistershme të mos e kaplojë zemrën e dikujt. Islami na mëson se besimi është frut i të menduarit dhe se me anë të të menduarit të thellë dhe të vazhdueshëm mbi çudirat e krijuara, besimi mund të fitohet, mirëmbahet dhe ushqehet.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se njerëzit e të gjitha racave, të gjitha ngjyrave dhe të gjitha përkatësive etnike janë plotësisht të aftë të sigurojnë besimin në Njërin dhe të Vetmin Zot. Hindusët besojnë se hinduizmi është vetëm për ata të privilegjuarit që lindin në atë fe dhe për këtë shkak ata nuk i ftojnë “më pak të privilegjuarit” për ta përqafuar fenë e tyre. Jehuditë besojnë se ata janë raca e zgjedhur. Madje edhe atëherë kur të tjerët e pranojnë judeizmin, ata mbeten gjithmonë më të ulët në rang prej atyre të cilët kanë lindur si jehudi. Islami e hedhë poshtë tërë këtë dhe thërret të gjithë njerëzit prej të gjitha gjendjeve që t’i nënshtrohen Krijuesit të tyre. Pasi që ta bëjnë këtë, ata automatikisht bëhen anwtarë të shoqërisë Islame me të drejta dhe me obligimet të njëjta sikur edhe çdo musliman tjetër. Islami nuk është, dhe asnjëherë nuk mund të jetë, monopol i një race ose i një grupi të caktuar linguistik.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se Zoti është absolutisht i Drejtë dhe i Mëshirshëm dhe se Ai asnjëherë nuk do të dënojë ndonjë person për mëkatet e tjetërkujt. Krishterizmi mëson se Ademi dhe Hava ua kanë bartur mëkatin e tyre tërë pasardhësve të tyre dhe prandaj të gjithë njerëzit janë të lindur me këtë “mëkat të parë” dhe prandaj Isau, Mesihu (Jezu Krishti) u desht të sakrifikohet në kryq për të shpëtuar njerëzimin prej “mëkatit të parë” të tyre. Islami thotë: “Jo, njerëzit nuk janë të lindur me mëkat”. Asnjë person nuk do të jetë përgjegjës për gabimet e tjetërkujt. Çdo shpirt do të paguajë vetëm për veprat e tija. Drejtësia hyjnore është absolute.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se veprat e mira janë të pashmangshme për shpëtim. Besimi është esencial, por jo edhe i mjaftueshëm. Njerëzit do të pranohen në parajsë sipas besimit të tyre dhe veprave të mira. Ato duhet të shkojnë bashkërisht, dorë për dore. Shumë prej denominacioneve krishtere mësojnë se besimi në Jezuin (Isaun) mjafton për shpëtim. Nëse e pranon sakrificën e Jezuit në kryq, atëherë ti je i shpëtuar pa marrë parasysh se çka mund të bësh mandej, ngase Jezui më veç ka paguar për të gjitha mëkatet tuaja. Islami aspak nuk pajtohet me këtë. Askush nuk mund të paguajë për mëkatet tuaja. Besimi, duke bërë vepra të mira, duke ju shmangur të keqes, dhe pendimi i vazhdueshëm janë mënyrat e vetme për shpëtim. Islami nuk pranon, e as nuk e harron ndikimin korruptues ndaj individit dhe shoqërisë që mund të shkaktohet nga ideja e shpëtimit të “garantuar”.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin si të vendojë baraspeshë në nevojat e kësaj jete dhe jetës së ardhme. Islami nuk e pranon idenë se heqja dorë nga kjo botë është mënyra më e mirë për të fituar shpëtimin në të ardhmen. Katolicizmi dhe budizmi mësojnë se duke jetuar një jetë të tërhequr dhe të izoluar, njeriu mund të arrijë një natyrë shpirtërore më të lartë. Budizmi madje edhe ka mësuar se i vetmuari duhet të sigurojë për jetën e tij duke kërkuar lëmoshë. Islami refuzon tërë idenë e mirësisë së supozuar në mohimin e kësaj bote. Islami mëson se mënyra më e mirë për përparim në jetën e ardhme është duke marrë pjesë në çështjet e kësaj bote, duke urdhëruar në të mirë dhe duke ndaluar nga e keqja, duke ndihmuar njëri-tjetrin në drejtësi dhe devotshmëri, duke bërë Xhihad, duke luftuar kundër të gjitha formave të së keqes, padrejtësisë, tiranisë, jotolerancës… Islami nuk nxit mohimin e botës, por ai mëson pjesëmarrje dhe përpjekje për ndërrimin e saj.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se mirësia ndaj prindërve, ndaj familjes, ndaj fqinjëve dhe të gjithë njerëzve është pjesë esenciale e besimit dhe e drejtësisë. Krishterizmi kumton se Isau (Jezusi) ka mësuar se njeriu nuk mund t’i afrohet Zotit, pos nëse ai e urren babain, nënën, gruan, dhe fëmijët e tij… (Luka 14:26). Por, Islami na e mëson të kundërtën. Një njeri nuk mund të afrohet ndaj Zotit nëse ai nuk vepron me shumë mirësi ndaj nënës së tij, babait, familjes, fqinjëve, etj.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se Zoti është shumë afër tyre dhe se Ai është me ata kudo që janë ata dhe se Ai i dëgjon lutjet e tyre dhe u përgjigjet atyre. Islami mëson se Zoti është aq afër, saqë Atij nuk i duhen ndërmjetësues për të ndërmjetësuar mes Tij dhe shërbëtorëve të Tij. Islami nuk e pranon konceptin e priftërisë dhe klerit që veprojnë si ndërmjetësues mes Zotit dhe njerëzve. Islami mëson se njeriu nuk ka nevojë të rrëfehet për mëkatet e tija te ndonjë prift me qëllim që të kërkojë falje. Njeriu mund lirisht t’ia rrëfejë mëkatet e tija Zotit pa asnjë intervenim njerëzor, të kërkojë falje dhe Zoti do t’ia jep atë. Shumë prej jehudive sot ende besojnë se lutjet nuk mund të arrijnë te Zoti dhe të ketë përgjigje prej Tij përveç nëse lutja bëhet në Murin e Vajtimit në Jerusalem (Kudus). Disa madje lutjet e tyre i dërgojnë me faks ose me anë të internetit në Jerusalem ashtu që dikush prej aty të mund t’i dërgojë dhe t’i vëndojë në Murin e Vajtimit për të arritur te Zoti. Islami na mëson se kudo që gjindet dikush, ai mundet t’i lutet Zotit, t’i rrëfehet Zotit, të kërkojë ndihmën e Zotit dhe faljen e Tij dhe Zoti me siguri do t’i përgjigjet. Kurfarrë intervenimi prej njerëzve nuk nevojitet dhe asfarë vendi ose kohe e veçantë nuk është e domosdoshme. Zoti gjithmonë është shumë afër.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin të pranojnë dhe të respektojnë natyrën njerëzore. Islami i vlerëson aspektet e fuqishme, dobësitë dhe nevojat e njerëzve. Islami asnjëherë nuk kërkon që njerëzit të sillen sikur engjuj (melaike) ose t’i injorojnë nevojat e tyre fizike dhe emocionale. Krishterizmi nuk lejon shkurorëzim, kurse Islami e pranon këtë si një realitet njerëzor. Katolicizmi e konsideron beqarinë si një gjë ideale, ndërsa Islami nuk e pranon këtë. Kisha Anglikane tërbohet me martesat e dyta. Princi Çarls për t’u bërë mbret i Britanisë duhet të sillet si një praktikues i mirë anglikan. Prandaj, ai mund të kryejë kurorëshkelje (zina) të hapur me dashnoren e tij të njohur por nuk mund të martohet me të se përndryshe do ta humbë fronin e tij si pasojë e thyerjes së rregullave të Kishës Anglikane. Islami asnjëherë nuk angazhohet në gjëra të tilla joracionale dhe me kontradikta morale.
Nuk ka asgjë sikur islami në botë. Nuk ka asnjë besim, asnjë religjion, asnjë ideologji dhe asnjë sistem i besimit i cili mund t’i konkurojë Islamit në qartësinë dhe në thjeshtësinë e tij, në nënshtrimin e tij ndaj Zotit, Njërit dhe të Vetmit, në raconalizmin dhe thellësinë intelektuale të tij, në egalitarizmin dhe barazinë e tij, në natyrën shpirtërore të tij, në kodin dhe në etikën e tij dhe në baraspeshën e pakrahasueshme të tij në mes nevojave të kësaj jete dhe të kërkesave të jetës së amshueshme. Islami e ka ngritur shpirtin e njeriut, trupin dhe mendjen e tij në lartësi të cilat asnjëherë më parë nuk janë arritur prej ndonjë besimi apo tradite të mëparme. Islami është religjioni i vetëm i cili me të vërtetë i ka aftësuar qeniet njerëzore që ta përmbushin njerëzoren (humanen).
Islami është një punim i përsosur artistik mbi të cilin syri i njeriut mund të shikojë dhe ta shqyrtojë me ditë, javë dhe vite me radhë e të mos mund t’i gjejë gabime, thjesht është pa defekte dhe pa kondtradikta. E vetmja gjë të cilën syri i njeriut mund ta bëjë është të vazhdojë të mahnitet me bukurinë e jashtëzakonshme dhe koherencën e këtij besimi. Leopold Vais (Leopold Weiss), hebreu austriak i cili e përqafoi Islamin në vitin 1926 dhe u bë njëri prej intelektualëve më të mëdhenj musimanë të shekullit njëzet ka shprehur nivelin e njëjtë të mahnitjes ndaj bukurisë së thellë dhe koherencës së Islamit. “Më kanë pyetur, herë pas here: ‘Pse e ke përqafuar Islamin? Çka ishte ajo që në veçanti të tërhoqi ndaj tij?’, andaj më duhet të rrëfehem: ‘Nuk di asnjë përgjigje të mjaftueshme. Nuk ishte ndonjë mësim i veçantë i cili më tërhoqi, por e tërë struktura mahnitëse dhe koherente e mësimeve morale dhe programi praktik jetësor. Nuk mund të them, madje edhe tani, se cili aspekt i tij më pëlqen më tepër se ndonjë tjetër. Islamin e shoh si një punim të përsosur arqitektonik. Të gjitha pjesët e tij janë në mënyrë harmonike të shpikura që të përmbushin dhe mbështesin njëra-tjetrën: asgjë nuk është e tepruar dhe asgjë nuk mungon, thjesht funksionojnë me një rezultat të baraspeshës absolute dhe të një thurjeje të fuqishme. Me siguri kjo ndjenjë, se çdo gjë në mësimet dhe postulatet e islamit është në vendin e vet të duhur, ka krijuar impresionin më të fuqishëm në mua’.”.
Me pak fjalë, Islami është e vërteta e tërë dhe asgjë pos së vërtetës.
Është me rëndësi të merret parasysh se Islami nuk është vetëm një komplet i idealeve, por ai është një forcë e jashtëzakonshme e aftë të transformojë dhe të regjenerojë individë dhe shoqëri dhe popuj të tërë. Ndikimi i Islamit mbi shoqërinë e parë e cila e përqafoi atë në siujdhesën arabe nuk ishte asgjë më pak se një revolucion. Islami e ka revolucionizuar Arabinë në të gjitha aspektet e jetës: politike, ekonomike, sociale dhe mbi të gjitha morale.
Islami ishte ai që i transformoi arabët e frikshëm dhe mendjelirë të cilët nuk njihnin asnjë qeveri, asnjë autoritet dhe nuk pranonin asnjë shtet me një komb me qeveri, kryeqytet dhe me autoritete që respektoheshin.
Islami ishte ai që i mësoi arabët anarkik si të zgjedhin udhëheqës të shtetit prej mesit të tyre dhe si të udhëheqin me qeverinë e tyre me anë të parimeve të konsultimit të përbashkët.
Islami ishte ai që i mësoi arabët, të cilët asnjëherë nuk dakordoheshin në asnjë formë të ligjit, të ndërtojnë një komb të themeluar në rregullat e një ligji të shenjtë, të drejtë, dhe të mëshirshëm. Islami po ashtu i mësoi ata se ata të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush madje as vajza e të Dërguarit (sal-lall-llahu aleji ue sel-lem) nuk ishte mbi ligjin.
Islami ishte ai që i transofmoi arabët e ashpër dhe militantë prej një grupi të fiseve që tërë kohën masakronin njëri-tjetrin, deri në atë shkallë kur duhej të dakordoheshin në katër muaj paqe çdo vjet për të ndalur shuarjen e racës së tyre si pasojë e luftërave të pandërprera, në një komb me ushtri të bashkuara fisnore të afta që të konfrontohen dhe të mundin ushtritë e superfuqive fqinje: bizantinët dhe sasanidët (persianët).
Islami ishte ai që e shfuqëzoi fajden prej Arabisë dhe i mësoi arabët si të kryejnë transaksione biznesi në mënyrë të drejtë dhe të paanshme pa eksploatim ose keqpërdorim.
Islami ishte ai që e shfuqëzoi traditën e tmerrshme të vrasjeve të foshnjeve nga Arabia.
Islami ishte ai që i mësoi arabët se gratë janë qenie njerëzore të plota, e jo thjesht pasuri e tundëshme dhe se ato ishin motrat e tyre në njerëzi dhe besim. Ishte Islami ai i cili ju garantoi grave arabe të drejtën e tyre për trashëgimi, pronë, shkurorëzim, dhe personalitet të pavarur juridik.
Islami ishte ai që e shfarosi alkoholin nga Arabia, së bashku me të gjitha të këqijat e tij.
Islami ishte ai që ndali të gjitha format e prostitucionit, bixhozit, dhe pijeve tjera dehëse nga shoqëria arabe. Dhe, Islami ishte ai që i hapi të gjitha dyert për lirimin e robërve.
Islami ishte ai që tërësisht e çrrënjosi racizmin nga mendja arabe deri në atë shkallë ku arabët që ishin thellë racist dhe arrogant, do të pranonin të jenë ushtarë në ushtri udhëheqësit e të cilave ishin afrikanë të zi.
Dhe mbi të gjitha, Islami ishte ai i cili i transformoi arabët idhujtarë dhe bestyt në besimtarë të Njërit dhe të Vetmit Zot. Ishte Islami ai që i transformoi ata prej adhuruesve të idhujve, në një popull që qëndron së bashku në një rresht gjatë faljes dhe bie në sexhde përmbys me kokat e tyre në tokë ndaj të Gjithëfuqishmit.
Arabia para Islamit ishte një shoqëri e lidhur me traditën dhe me të kaluarën. Çkado që ishte e zakonshme ishte e drejtë dhe e përshtatshme. Çdado që kishin bërë stërgjyshërit, meritonte të imitohet. Islami e hodhi poshtë këtë besim të verbër në traditë. Islami sfidoi të gjitha zakonet e shoqërisë dhe mori në pyetje të gjitha doket e pakontestueshme dhe sjelljet e arabëve. Islami i njoftoi ata me standarded e moralit dhe bazamentet e të drejtës dhe të gabuarës. Islami i mësoi si të mendojnë në mënyrë kritike për çdo gjë që i rrethon dhe si të refuzojnë zakonet dhe traditat e këqia dhe t’i mbajnë ato të mira. Islami ju tregoi rrugën e drejtë kah paqja dhe lumturia në këtë jetë dhe jetën e ardhmen. Kjo ishte esenca e revolucionit që solli Islami.
Pyetja e cila në mënyrë të parezistueshme i parashtrohet mendjes është kjo: ajo është e kaluar, por çka tani? A mund Islami të revolucionarizojë botën sot ashtu si ka bërë me Arabinë e “shekullit të shtatë”? A është Islami relevant sot? A mund Islami t’i ofrojë diçka botës së sotme? Po, madje shumë.
Për ne muslimanët që jetojmë në perëndim (po edhe ne në këto vise afër perëndimit[1]), do të ishte e kuptueshme që të fokusohemi në atë se çka mund t’i ofrojë Islami shoqërisë sonë perëndimore në prag të këtij “mileniumi të ri”. Perëndimi sikur edhe Arabia e shekullit të shtatë dhe sikur çdo shoqëri tjetër për këtë shkak, i ka virtytet e veta dhe veset e këqija. Islami mund të përmirësojë dhe të lartësojë të gjitha virtytet derisa t’i eliminojë, ose, së paku, t’i minimizojë (veset e këqija).
Në një shoqëri ku alkooli është shkaku numër një i vdekjeve kriminale dhe lëndimeve, ku alkooli kushton miliona dollarë çdo vit në harxhime mjekësore dhe në dëme të pronës, ku konsumimi i alkoolit shkakton vdekjen e qindra dhe mijëra njerëzve çdo vit, ku alkooli është shkaku kryesor i dhunimeve dhe dhunës shtëpiake, a ka ndonjë besim më të aftë se
Islami që t’i ndalojë të gjitha këto dëme të alkoolit?
Në një shoqëri ende përvuajtur nga grindjet racore, ku kishat e “zeza” janë vazhdimisht të djegura dhe të bombarduara nga fanatikë të llojeve të ndryshme, ku një person rrallëherë sheh person të zi në një kishë të “bardhë”, Islami ka aq shumë të ofrojë, ngase Islami nuk e toleron idenë e xhamisë së “zezë” ose të xhamisë së “bardhë”. Islami i obligon besimtarët të qëndrojnë së bashku në një rresht, krah për krahu dhe shputë për shpute, dhe të shtrijnë përtokë ballin e tyre ndaj Zotit ashtu që të mësojnë se të gjithë ata janë shërbëtorë të përulur të të Plotëfuqishmit.
Në një shoqëri ku dhuna ndaj grave është ngritur në përmasa alarmante, ku ecja e grave të vetmuara në errësirë nuk është e sigurtë, ku madje edhe institutet e edukimit sipëror duhet të sigurojnë “shërbim për përcjellje deri në shtëpi” për të mbrojtur gratë në rrethin universitar gjatë natës, Islami ka shumë më tepër të kontribuojë sesa vetëm të bëjë shërbime për përcjellje ose mësime të karatesë. Islami mbjellë modesti dhe sens të mirësjelljes në mendjet e besimtarëve. Ai e çrrënjos vullgaritetin dhe i eliminon të gjitha mundësitë që meshkujt t’i shohin gratë si objekte të seksit.
Në një shoqëri të dhunshme siç janë Shtetet e Bashkuara ku pothuajse 25.000 jeta zhduken vetëm nga armët e zjarrit, ku 5% të popullatës botërore konsumojnë 50% të narkotikëve ilegal botëror edhe krahas burgimit të rreth 700.000 shpërndarësve të drogës çdo vit, ku në disa sekonda vidhet nga një veturë ose ku në disa sekonda dhunohet nga një grua, Islami ka të ofrojë shumë më tepër sesa vetëm të vëndon ca policë në rrugë. Islami mëson se parandalimi është më i mirë sesa shërimi dhe se krimineli më së miri mund të rehabilitohet duke u kujdesur për familjen, komunitetin, dhe fqinjët e tij. Islami ngjall nder dhe respekt të madh ndaj rolit të nënës, ngase edhe ajo kujdeset mirë ndaj fëmijëve të saj, nga e cila përfiton tërë shoqëria. Islami i përkujton prindërit për obligimet e tyre, i nxit fqinjët që të kujdesen për nevojat e njëri-tjetrit, që të përforcon lidhjet e komunitetit, të udhëzon duke urdhëruar në atë që është e mirë dhe duke ndaluar atë që është e gabuar në vend të apatisë dhe individualizmit. Islami gjithmonë i eliminon problemet prej rrënjës së tyre.
Në një shoqëri të goditur me individualizëm të zjarrtë, materializëm të tepruar, konsumerizëm të egër dhe me një senzualizëm të patrembur, Islami e ka fuqinë e nevojshme intelektuale dhe shpirtërore për të korrigjuar të gjitha teprimet në shoqëri, ngase Islami mëson përmbajtjen dhe baraspeshën në të gjitha çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Ndikimi i Islamit nuk është i përkufizuar vetëm në fushat sociale dhe morale, por ai shtrihet dhe në fushat politike, ekonomike, ligjore, kulturore dhe edukative. Dy shembuj do të duhej të mjaftonin për këtë:
1. Në politikë: natyra egalitare e Islamit kërkon reforma të mëdha në mënyrën se si demokracia praktikohet sot në shoqëri. Ashtu si qëndron, demokracia ekzistuese është elitiste dhe e shtrembëruar në favor të të pasurve, të fuqishmëve dhe interesave të caktuara. Personi mesatar pothuajse nuk ka asfarë thënie të kuptimtë në atë se si udhëhiqen gjërat nga elita. Kjo gjendje mbetet tejet prapa nga ideali i konsultimit të përbashkët në të gjitha çështjet e përkrahura nga Islami.
2. Në ekonomi: kapitalizmi i lënë pa rregullim ka tendencën që të bën të pasurit ende më të pasur, ndërsa të varfërit ende më të varfër. Në një periudhë prej vetëm dhjetë viteve (1978-1987) një e pesta më e varfër e popullatës amerikane u bënë 8% më të varfër derisa një e pesta më e pasur u bënë 13% më të pasur. Kjo është natyra e kapitalizmit: pasuria shton më tepër pasuri, ndonjëherë madje edhe pa asfarë mundi ose kreativiteti. Islami i obligon të gjithë njerëzit e pasur që t’u paguajnë një pjesë të pasurisë së tyre të varfërve një herë në vit, ashtu që pasuria të ridistribuohet në shoqëri me qëllim që të mbron të varfërit prej varfërisë së përjetshme dhe t’u jepet një mundësi e barabartë që të garohen në një botë të dominuar nga tirania e kapitalit.
Ka aq shumë në Islam që me të vërtetë mund ta shëndrrojë Perëndimin dhe tërë botën në një vend më të sigurtë, më të mirë dhe më të denjë për të jetuar. Islami është një forcë mbresëlënëse me një potencial mjaft të madh që ta revolucionarizojw botën dhe në mënyrë radikale ta ndërrojë rrjedhën e historisë ashtu siç ka bërë njëherë rreth 1400 vjet më parë.
Problemi është se ne kemi teorinë, por nuk i kemi praktikuesit. Ne e kemi revolucionin por nuk i kemi revolucionerët. Ashtu sikur nuk mund të ketë demokraci pa demokratë, socializëm pa socialistë, poashtu nuk mund të ketë Islam pa muslimanë. Islami është një mesazh që është në nevojë të vazhdueshme për lajmëtarë që duhet ta shpjejnë anembanë në botë. Po, Libri i Zotit është aty, udhëzimi i të Dërguarit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është aty, dëshmia e historisë është aty, por ku janë muslimanët? Ku janë lajmëtarët? Ku janë revolucionerët? Në fakt ata nuk ekzistojnë.
Ajo që ekziston në botë, sot janë një lloj i muslimanëve “të deislamizuar”, njerëz të cilët e quajnë veten muslimanë, por Islamin të cilin ata e praktikojnë është një hije e zbehtë e Islamit pa shpirt, një Islam pa mesazh ndaj njerëzimit, një Islam pa një mision, një Islam pa ambicije…, një Islam pa identitet.
Islami asnjëherë nuk do ta revolucionarziojë botën, siç ka e bërë njëherë, derisa nuk ka muslimanë të vërtetë, siç kanë ekzistuar njëherë, muslimanë prej brenda e jashtë, muslimanë në mendime dhe në vepra, muslimanë në teori dhe në praktikë, muslimanë në vetmi dhe në publik, muslimanë në shpirt, në intelekt dhe në emocione.
Rruga për të prodhuar muslimanë të tillë është e gjatë dhe e vështirë. Ndoshta është më e drejtë të fokusohet në vetëm një hap të mirë të parë. Ky hap i parë, besoj se, do të ishte të ngrisë një gjeneratë të re muslimane të cilët kanë krenari të madhe me besimin e tyre madhështor Islam, një gjeneratë të muslimanëve të rinj, identiteti i të cilëve është pastër Islam, një gjeneratë e muslimanëve për të cilët Islami është gjëja e parë ndërsa çdo gjë tjetër (identiteti kombëtar, etnik, racor, linguistik) të vjen, në rastin më të mirë, në vend të dytë të largët, një gjeneratë e cila totalisht beson në atë që halifeja i madh Omeri r.a. ka thënë: “Është vetëm shkak Islami që ne përfituam ‘izzah’ (nder, dinjitet dhe krenari) dhe nëse ne kërkojmë ‘izzah’ jashtë Islamit, All-llahu do të na poshtërojë”.
Para një kohe kisha një bisedë me një vëlla që e kishte pranuar Islamin para disa vitesh. E pyeta për gjërat të cilat ai më së tepërmi i pëlqente dhe nuk i pëlqente për Islamin dhe muslimanët. Përgjigjja e tij ishte: “Çdo gjë në lidhje me Islamin është e bukur, por ka vetëm një gjë që nuk e pëlqej te muslimanët… Atyre ju mungon ndjenja e madhe e dinjitetit në Islam…”.
Pika që e ceku vëllau është pikërisht ajo të cilën ne duhet ta mbjellim në mendjen e gjeneratës sonë të re: ndjenjën e krenarisë se i takojmë Islamit. Një dinjitet mjaft i fuqishëm që të mund t’i deklarojnë tërë botës haptazi dhe me zë të lartë: “Ne jemi muslimanë dhe jemi krenar që jemi të tillë”.

[1] Fjalë e përkthyesit
Kjo është një hutbe e njohur e mbajtur për Fitër Bajram e nga Dr. Sherif Abdel Adhiim Muhammed në Kingston – Ontario, Kanada në fillim të vitit 1997. Artikulli është mjaft oratorik ashtu siç edhe ka qenë i përpiluar për masën e përgjithshme në xhami. Ky na tregon njërin prej shkaqeve kryesore pse muslimanët janë duke vuajtur sot. Artikujt e Dr. Sherif Muhammedit (përfshijnë edhe libra të botuar) kanë thellësi intelektuale dhe analizë të fokusuar, por përsëri kanë rrjedhë letrare gjë që bën leximin e tyre të këndshëm dhe freskues. Dr. Sherif Muhammedi është mendimtar/shkrimtar i dalluar i Islamit, si dhe historian. Ai është akademik i cili e ligjeron inxhinierinë.,

Burimi:
albislam.com

Must Read