Kthimi te Kurani

Kthimi te Kurani

Kurani fisnik është mjeti i parë i qëndrueshmërisë. Ai është litari i fortë dhe nuri i qartë i Allahut. Allahu do ta mbrojë atë që kapet pas tij, do ta shpëtojë atë që e ndjek Kuranin dhe do ta udhëzojë në rrugë të drejtë atë që i fton njerëzit tek ai.

Allahu tregoi qartazi se qëllimi i zbritjes së Kuranit pjesë-pjesë qe forcimi, ndaj, kur iu kundërpërgjigj jobesimtarëve lidhur me dyshimet e tyre, tha:

“Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu. Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.”[1]

Pse Kurani është burim përforcimi?

1. Si ndikoi në shpirtin e të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, thënia e Allahut të Lartësuar: “Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o Muhamed)!”[2] kur idhujtarët thanë: “Muhamedin e la…”?![3]

2. Si ndikoi thënia e Allahut: “Ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe.”[4] kur jobesimtarët pretenduan se Muhamedin e mësuakësh një njeri, kinse e marrkësh Kuranin nga një zdrukthëtar romak, i cili ishte në Mekë?!

3. Si ndikoi thënia e Allahut: “Ja, ata ranë pikërisht në sprovë.”[5] në zemrat e besimtarëve kur një munafik tha: “Më liro, e mos më vër në sprovë?!”

A nuk ishin këto përforcime të njëpasnjëshme?! A nuk ishin forcim për zemrat besimtare, kundërpërgjigje kundrejt dyshimeve dhe stepje për jobesimtarët?!

Po, për Zotin!

Është interesante çështja kur besimtarët ishin duke u kthyer nga Hudejbija, ndërkohë Allahu u pat premtuar atyre se do të merrnin një plaçkë të madhe lufte (atë të Hajberit), gjë të cilën do ta gëzonin së shpejti vetëm ata (që ishin në Hudejbijë). Allahu i lajmëroi gjithashtu se munafikët do të kërkojnë të shkojnë pas tyre dhe se muslimanët do t’u thonë: ‘Kurrsesi nuk do të vini pas nesh’, kurse ata do të këmbëngulin dhe do të donin t’i ndërronin fjalët e Allahut e do t’u thonë besimtarëve: ‘Ju na e keni zili.’ Ndërkaq, Allahu u përgjigjet atyre duke thënë: “Jo, por ata nuk kuptojnë, përveçse pak.”[6]

Më pas e tërë kjo bëhet realitet para syve të besimtarëve, fjalë për fjalë e hap pas hapi.

Nga kjo mund ta kuptojmë dallimin mes atyre që jetën e vet e lidhën me Kuranin dhe iu kthyen atij me lexim, mësim përmendsh, shpjegim e përsiatje, të cilët e kanë pikënisje e pikarritje dhe mes atyre që brengë kryesore i bënë fjalët e njerëzve, me të cilat merren pandërprerë.

Ah sikur ata që kërkojnë dituri t’ia kushtonin pjesën më të madhe të kohës mësimit dhe shpjegimit të Kuranit!

“Mjetet e qëndrueshmërisë në fenë e Allahut”

Burimi:
Muhamed Salih El-Munexhid
burimijetes.info

07.04.2017

[1]Surja El-Furkan, 32-33.

[2]Surja Ed-Duha, 3.

[3]Shih Sahih Muslim, komenti i Neveviut, 12/156.

[4]Surja En-Nahl, 103.

[5]Surja Et-Teube, 49.

[6]Autori ka për qëllim ajetin vijues: “Ata që ngelën pas jush, do t’ju thonë, kur të niseni për të marrë plaçkën e luftës: “Na lejoni edhe ne që të vijmë pas jush!” Ata do të donin t’i ndërronin fjalët e Allahut. Thuaju: “Ju kurrsesi nuk do të vini pas nesh, këtë e ka thënë Allahu qysh më parë!” E ata do të thonë: “Nuk është ashtu, por ju na keni zili.” Ah, sa pak që kuptojnë!” Surja El-Fet’h, 15 (Sh.p)

Must Read