Përfundoni si musliman!
Mirësisë së Islamit nuk i afrohet asnjë mirësi tjetër. E dimë që të mirat e Allahut janë të shumta e të mëdha e nuk guxojmë t’i nënvlerësojmë e t’i përulim, por përkundrazi, duhet t’i përmendim dhe ta falënderojmë Atë për të mirat që na ka dhënë, mirëpo mirësia që Islami mbart është mirësia më e madhe. Ky Islam, të cilin Allahu na e mësoi përmes të Dërguarit të Tij, Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe vetë dërgimi i tij, janë prej mirësive më të mëdha, sepse ai na e sqaroi, na e mësoi dhe na ftoi në këtë fe.
Allahu thotë në Kuran:
لَقَدْ مَنَّ اللَّهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِنْ أَنْفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِنْ كَانُوا مِنْ قَبْلُ لَفِي ضَلَالٍ مُبِينٍ
“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të Dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexoi shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” Kurani, 3:164.
Mirëpo ka gjëra të cilat njeriu mund t’i veprojë dhe ta nxjerrin atë nga Islami (nëse është musliman) ose i dobësojnë besimin apo e largojnë nga udhëzimi dhe pranimi i së vërtetës, nëse nuk është musliman.
Në jetën e njeriut sprovat janë të shumta, ndaj është obligim që të jemi syhapur dhe të kujdesshëm. Po ashtu, e kemi obligim që të njohim rrugëdaljen nga ato sprova, nëse do të sprovoheshim.
Sahabi Hudhejfe ibnul-Jemani, radija Allahu anhu, thoshte: “Njerëzit e pyetnin të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, për gjërat e mira, ndërsa unë e pyesja për gjërat e këqija nga frika që të mos bija në to”.
Njohja e Islamit më argumente duke mësuar gjykimet e sheriatit në mënyrë thelbësore, është obligim për çdo individ, siç është obligim edhe njohja e gjërave që të nxjerrin nga Islami, se çfarë detyrash ke ndaj tij dhe çfarë e dobëson Islamin në zemrën tënde. Njohja e gjërave që i bëjnë mirë apo dëm zemrës shërben për të vepruar atë që duhet dhe për t’u larguar nga veprimet që e dëmtojnë atë. Njeriu që nuk mëson gjërat që e dëmtojnë dhe e bëjnë të lajthitë nga rruga e drejtë, ka mundësi që të shkatërrohet prej tyre dhe të mos e dijë fare këtë.
Allahu i lartësuar jo rastësisht na ka urdhëruar të jemi praktikues të fesë deri në vdekje, kur thotë:
وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونَ
“… dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” Kurani, 3:102.
Nuk ka asnjë dyshim se vazhdueshmëria për të qenë brenda Islamit deri në vdekje është në dorën e Allahut, jo në dorën tonë. Por kuptimi i kësaj është se ne veprojmë shkaqet të cilat na bëjnë të mbetemi në Islam deri në vdekje. Këto janë shkaqe të mundshme. E nëse e bëjmë këtë, Allahu i Madhëruar me mëshirën e Tij na dhuron të mira dhe na mundëson të vdesim duke qenë muslimanë, sepse kemi vepruar shkaqet nëpërmjet së cilave kemi kërkuar shpëtimin. Allahu është i Butë dhe Dhënës.
Nëse e sheh që robi i Tij është i kujdesshëm dhe ka dëshirë të veprojë punë të mira dhe e urren të keqen e ruhet që të mos bjerë në të, atëherë Allahu e ruan dhe e mbron atë, e udhëzon në Islam dhe i dhuron të mirat e Tij.
E nëse Ai sheh tek robi i Tij ngurrim ndaj së vërtetës, mungesë dëshire për të punuar vepra të mira e mungesë urrejtjeje ndaj së keqes, atëherë Allahu i jep atë që e meriton. Kjo do të jetë për të dënim i drejtë nga Ai.
Allahu i Lartësuar thotë:
وَمَنْ يُشَاقِقِ الرَّسُولَ مِنْ بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُ الْهُدَىٰ وَيَتَّبِعْ غَيْرَ سَبِيلِ الْمُؤْمِنِينَ نُوَلِّهِ مَا تَوَلَّىٰ وَنُصْلِهِ جَهَنَّمَ ۖ وَسَاءَتْ مَصِيرًا
“Këdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e xhehenemit…” Kurani, 4:115.
Pra, shkaktar i dënimit është vetë njeriu, sepse kundërshton të Dërguarin e Allahut dhe pason rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve.
Burimi:
Referenca: “El-fikhu fid-din ‘ismetun minel-fiten”, Shejkh Salih bin Feuzan el-Feuzan, f. 11-14.
burimijete.info