MOS FUT URREJTJE ME PYETJET E TUA
1. E pyeti njëra nga gratë shoqen e saj kur e lindi fëmijën: Çfarë të dhuroi burri me lindjen e fëmijës?!
-I tha: Nuk më dhuroi gjë.
-Sa është kjo logjike? Ti a nuk ke vlerë te burri yt? – ia kthehu ajo grua.
Me ato fjalë ajo e hodhi një bombë dhe u largua.
Burri i saj u kthye nga puna në mesditë dhe e gjeti gruan të zemëruar dhe u zënë mes vete dhe u fjalosën derisa erdhi çështja te divorci.
Prej nga erdhi problemi?! – Nga ajo fjalë që e tha ajo grua.
—————————————-
2. -E pyeti njëri shokun dhe i tha: E si po jetoni në këtë shtëpi, po çuditem me ju?! A është e mjaftueshme dhe e gjerë për ju?!
-Kjo shtëpi për ne është e mjaftueshme dhe e gjerë, dhe ty kjo çështje nuk të intereson – ia ktheu shoku.
Ky njeri do që të futë përçarje në shtëpi dhe ti nxisë anëtarët e saj të zihen mes vete. Kjo është e ligë.
—————————————-
3. U takua me një djalosh të ri dhe të mrekullueshëm dhe i tha: Ku punon?!
-Në shitoren e filanit – ia ktheu.
-E sa të paguan?!
-Më paguan kaq (dhe e përmendi shumën).
-Vetëm aq – ia kthen njeriu i habitur!! Ti si jeton me ato të holla?! Pronari i shitores e meriton mundin dhe djersën tënde.
Djaloshi filloi ta urrejë punën dhe shkoi të kërkojë nga pronari rritjen e rrogës u refuzua dhe e braktisi punën!
Ishte shumë mirë duke punuar kurse tani mbeti pa punë.
—————————————-
4. E vërejti prindin se ishte i qetë e i lumtur dhe i tha: Pse nuk po të viziton i biri shpesh?!
-Ka obligime brenda ditës dhe punon shumë – ia ktheu prindi.
-E si po beson se nuk po ka kohë për ty që të të vizitojë?!
Kjo fjali e ndryshoi zemrën e prindit, filloi të ndiejë urrejtje pasi zemra e tij ndiente lumturi dhe kënaqësi.
—————————————-
– Ne shpesh në përditshmërinë tonë i parashtrojmë disa pyetje (Pse nuk e ke blerë këtë?! Pse nuk e posedon këtë?! Si po e duron këtë person?! E si po e lejon një gjë të tillë?! etj.) dhe fare nuk mendojmë se si do të ndikojë ajo pyetje te tjetri dhe si do ta kuptojë ai, dhe nuk e dimë se çfarë përçojnë këtë pyetje në shpirtin e atij që i dëgjon?!
Ndoshta qëllimi ynë nuk është i keq apo atë e bëjmë nga padituria, mirëpo ajo më vonë bëhet sebep që të shkatërrohen jetë, familje dhe pasuri e shumë gjëra të tjera. Prandaj ki kujdes, mos fut urrejtje në zemrat e njerëzve me pyetjet e tua!
Nga arabishtja: Irfan JAHIU