BallinaARTIKUJHadith dhe SunetDua të dëgjoj komentin tuaj në lidhje me hadithin në vijim

Dua të dëgjoj komentin tuaj në lidhje me hadithin në vijim

 

Dua të dëgjoj komentin tuaj në lidhje me hadithin në vijim

 

Pyetja:

Selam alejkum! Dua të dëgjoj komentin tuaj në lidhje me hadithin në vijim dhe a është në kundërshtim ky hadith me Kuranin Famëlartë.

Transmetohet nga Enesi r.a. se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u nis (për rrugë), kurse Muadhi i kishte hipur (devesë – kalit) pas shpinës së Pejgamberit, e ai i tha: “O Muadh!” (Muadhi) Tha: “Si urdhëron, o i Dërguari i Allahut (Lebbejke ve sa’dejke)!” (Pejgamberi) Tha: “O Muadh! “Tha: “Si urdhëron, o i Dërguari i Allahut” tri herë. (Pejgamberi) Tha: “Nuk ka asnjë njeri (rob) i cili dëshmon se nuk meriton askush të adhurohet, përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij me zemër të sinqertë, e që të mos ia ketë ndaluar Allahu atij xhehenemin.”(Muadhi) Tha: “O i Dërguari i Allahut, a t’ua kumtoj këtë njerëzve që të gëzohen?” Tha: “Atëherë, do t’i mbështeten.” Muadhi këtë e kumtoi pak para vdekjes së tij, nga frika se do të bëjë mëkat për fshehjen e një diturie.” (Muttefekun alejhi)

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në radhë të parë hadithi për të cilin ju bëni pyetje është i saktë, e shënojnë Buhariu dhe Muslimi në koleksionet e veta. Gjithashtu është e arsyeshme edhe paqartësia që keni në lidhje me kuptimin e këtij hadithi, pasi është i përgjithshëm dhe nuk është e mundur të kuptohet drejt nëse ndalemi vetëm në kontekstin e këtij hadithi. Në përgjithësi komentimi i citateve Kur’anore e i haditheve profetike dhe nxjerrja e dispozitave prej tyre nuk bëhet vetëm duke e marrë kontekstin e një ajeti, respektivisht të një hadithi të caktuar, pa shikuar edhe të dhënat e tjera që ekzistojnë në lidhje me atë çështje. Me fjalë të tjera, që të kuptohet domethënia e një citati sheriatik, krahas kuptimit që përmban ai citat në vete, duhet të shikohen edhe fakte dhe citate të tjera të cilat kanë ardhur në lidhje me atë çështje. Vetëm kështu mund të kuptohet si duhet Kurani e Hadithi dhe tek Ehli Suneti kjo metodologji e komentimit të ajeteve dhe haditheve është parim në të gjitha çështjet dhe problematikat.

Për këtë arsye për një numër sektesh dhe grupesh të devijuara islame shkak i devijimit të tyre ishte metodologjia e gabuar gjatë nxjerrjes së dispozitave nga citatet sheriatike. Ata kufizoheshin në disa citate në llogari të të tjerave dhe kështu i vinin vetes baza dhe përligjnin dispozita duke u mbështetur në disa ajete e hadithe të përgjithshme dhe anashkalonin e shpërfillnin citatet e tjera të cilat flisnin për ato problematika dhe kështu krijonin ide, koncepte dhe teori devijuese me të cilat largoheshin nga e vërteta.

Në një pyetje të mëhershme me titull “A e fal Allahu shirkun?” (pyetja numër 374), kemi bërë një sqarim duke ilustruar me shembuj rreth asaj se si duhet të komentohet Kurani. Ajo që është thënë aty për Kuranin vlen edhe për hadithin, prandaj nëse dëshironi të dini edhe shembujt në lidhje me këtë parim tek Ehli Sunetit mund të lexoni aty.

Ndërsa rreth komentimit të këtij hadithi themi se ekzistojnë një numër hadithesh të cilat janë të ngjashme me hadithin që përmendi ju. Dhe të gjitha këto hadithe janë të sakta dhe nuk janë në kundërshtim me Kuranin, por për t`u kuptuar drejt duhet të krahasohen dhe të shikohen të gjitha së bashku. 
Në hadithin që ju pyetni thuhet: “Nuk ka asnjë njeri (rob) i cili dëshmon se nuk meriton askush të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij me zemër të sinqertë, e që të mos ia ketë ndaluar Allahu atij xhehenemin”. Shohim nga ky hadith se si Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thekson se kjo dëshmi duhet të burojë nga zemra dhe të jetë me sinqeritet. Kushtëzimi që përmendet në këtë hadith na jep të kuptojmë se dëshmia “La Ilahe il Allah” nuk është vetëm një fjalë që thuhet dhe me të përfundon çdo gjë, por ajo në vetvete ka kushte dhe rregulla, disa nga të cilat u përmendën në këtë hadith (sikurse burimi nga zemra dhe sinqeriteti) dhe disa të tjera përmenden në citate të tjera kuranore dhe në hadithe. Prandaj ky hadith është i përgjithshëm dhe duhet të komentohet duke u mbështetur edhe në hadithe të tjera.

Për ta zbërthyer më mirë këtë që thamë më lart, do ta sjellim një hadith tjetër, në të cilin Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë:“Kush vdes duke e ditur se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut, do të hyjë në xhenet.” Shënon Muslimi. 
Në këtë hadith nuk u cek sinqeriteti (si në hadithin e mëparshëm), por u cek një kusht tjetër, ajo është dituria, që nënkuptojmë se për të qenë e vlefshme dëshmia “La Ilahe Il Allah”, kushtëzohet kuptimi i kësaj fjale dhe njohja se çfarë kërkon kjo fjalë nga ai person që e deklaron. 

Nëse ndalemi dhe mbështetemi vetëm në kontekstin e këtij hadithi duke mos e shikuar atë të mëparshmin, mund të thuhet se sinqeriteti nuk është i nevojshëm për njeriun që e deklaron këtë dëshmi, por mjafton vetëm njohja (ma`rife), ashtu si nxirret nga hadithi i fundit. Por kjo është gabim, prandaj të dy këto citate profetike duhet të bashkohen dhe të komentohen së bashku. Të themi se këto dy hadithe na dhanë të kuptojmë se dëshmia “La Ilahe Il-lAllah” kushtëzohet që të burojë nga zemra, të shqiptohet me sinqeritet, që deklaruesi ta kuptojë domethënien e kësaj fjale dhe ta dijë se çfarë aludon kjo fjalë. Gjithashtu, kuptimi i kësaj çështjeje nuk ndalet vetëm në këto dy hadithe, por duhet të hulumtojmë edhe citate të tjera të cilat e kompletojnë si duhet kuptimin e dëshmisë. 

Në një hadith tjetër, Ubade Ibën Samiti, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Kush dëshmon se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguar i Tij, pastaj beson se Isai (alejhi selam) është rob i Allahut, i Dërguar i Tij dhe është Fjalë e Tij, të cilin ia dërgoi Merjemes dhe shpirt (i krijuar) nga Ai, pastaj beson se xheneti është hak dhe zjarri është hak, do ta fusë Allahu në xhenet në bazë të veprave që ka bërë.” Shënon Ahmedi.

Ky hadith që u përmend është edhe më sqarues në lidhje me dëshminë “La Ilahe Il Allah”, pasi nga ky hadith kuptojmë se nëse njeriu deklaron këtë dëshmi, por beson edhe në ndonjë gjë që e kundërshton këtë teuhid, atëherë ajo dëshmi është e pavlefshme. Pra muslimani duhet që krahas dëshmisë “La Ilahe Il Allah” të besojë se Isai ishte vetëm i Dërguar dhe nuk i atribuon atij ndonjë cilësi të Zotit dhe vetëm atëherë dëshmia e tij është e vlefshme. Në të kundërtën, nëse e thotë dëshminë dhe beson në gjëra të cilat e kundërshtojnë këtë dëshmi (teuhidin), si për shembull të besojë se Isai është biri i Zotit apo i përshkruan atij ndonjë atribut mbinjerëzor, atëherë e ka zhvlerësuar atë që ka dëshmuar.

Pastaj fundi i këtij hadithi tregon se nuk është e mjaftueshme vetëm deklarimi, por patjetër duhet që dëshmisë t`i bashkëngjiten edhe veprat. Në fund të hadithit thuhet: “Do ta fusë Allahu në xhenet në bazë të veprave që ka bërë”. Për ta kuptuar si duhet çështjen e dëshmisë dhe hadithin e parë, patjetër duhet ta marrim parasysh edhe këtë hadith. 

Gjithashtu Buhariu dhe Muslimi përcjellin nga Ebu Dherri, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka ndonjë rob që thotë La ilahe il Allah, pastaj vdes në këtë e që Allahu mos ta fusë në xhenet.” Ebu Dherri e pyet: “Edhe nëse bën zina dhe vjedh?” Ai thotë: “Edhe nëse bën zina e vjedh.” Tri herë e pyet kështu dhe kur e pyet herën e katërt, i përgjigjet:“Edhe nëse bën zina dhe vjedh, përkundër Ebu Dherrit.” Domethënia e këtij hadithi është se nëse besimtari deklaron dëshminë e teuhidit dhe mundohet t`i përmbahet asaj dhe është besimtar, por bën mëkate, si zinaja (amoraliteti) a vjedhja, atëherë ato mëkate nuk e asgjësojnë besimin e tij dhe nuk e privojnë atë që përjetësisht të mos hyjë në xhenet.
Por në të njëjtën kohë nga hadithi nuk nënkuptohet se besimtari nuk dënohet fare për mëkatet dhe veprat e këqija që vepron. Pa dyshim se muslimani mëkatar i nënshtrohet përgjegjësisë dhe do t`i nënshtrohet dënimit për shkak të mëkateve që ka kryer.

Në këtë vend përmendëm vetëm disa hadithe të ngjashme, të cilat vërtetojnë domosdoshmërinë dhe vlerën e kësaj fjale. Por gjithmonë duke pasur parasysh se komentimi i këtyre haditheve nuk bëhet veçantë njëri nga tjetri, por duhet t`u jepet kuptimi i drejtë duke u mbështetur në të gjitha këto citate së bashku.
 

Prandaj hadithi për të cilin ju bëni pyetje nuk nënkupton se njeriu me shqiptimin e dëshmisë i shpëton zjarrit të xhehenemit dhe bëhet nga banorët e xhenetit. Kjo për faktin se dëshmia “La Ilahe Il Allah” në vetvete ka kushte dhe rregulla, ashtu siç i përmendëm disa më herët gjatë komentimit të haditheve të mëparshme, ndërsa në përgjithësi ato janë shtatë1. Prandaj edhe Ibën Haxheri gjatë komentimit të këtij hadithi, që ju krijoi paqartësi, në “Fet`hul Bari” thekson: “Është e njohur se kuptimi sipërfaqësor i këtij hadithi nuk është i dëshiruar (kjo duhet të kuptohet). Sikur të kishte thënë: “Kjo është e ndërlidhur me atë person që kryen edhe veprat e mira. Për arsye të fshehjes së kësaj nuk iu lejua Muadhit t`i përgëzonte muslimanët me këtë kumtim.2” Pra, Ibën Haxheri tregon se për shkak se hadithi është i përgjithshëm dhe se njerëzit mund ta keqkuptonin dhe do të neglizhonin praktikën e domosdoshme (kryerjen e urdhrave dhe largimin nga haramet), i Dërguari salallahu alejhi ue selem nuk e lejoi Muadhin t`ua kumtonte njerëzve.

Kjo ishte ajo që arritëm të përmbledhim në lidhje me komentimin e këtij hadithi të përgjithshëm dhe haditheve të tjera të ngjashme. Allahu e di më së miri!

 

Alaudin Abazi


18.7.2008

Burimi: klubikulturor.com

www.islamifejaevertete.com

 


1 Kushtet e fjalës “La ilahe ila Allah” janë: 1. Dija për domethënien e saj dhe atë që kërkohet prej saj. 2.   Bindja e plotë, e cila e largon dyshimin. 3.  Sinqeriteti, i cili largon njollat e shirkut. 4.  E vërteta që përmban kjo fjalë dhe që largon gënjeshtrën. 5. Dashuria ndaj kësaj fjale, atë që thërret ajo si dhe në atë të cilën udhëzon. 6.Nënshtrimi ndaj asaj që udhëzon kjo fjalë. 7.  Pranimi i asaj që të fton kjo fjalë me fjalë dhe me vepër. 
2 “Fet`hul Bari”, vëll.I, f. 285.

 

Must Read