SHQIPTOI SHEHADETIN DUKE QENË E VDEKUR
Doktor Halid el Xhubejri, Allahu e ruajttë!, i cili është një ndër kardiokirurgët më të mirë në Arabinë Saudite dhe njëkohësisht edhe thirrës në fenë e Allahut, na rrëfen dhe thotë:
Në ora 18.45 më lajmëruan nga emergjenca se e kanë pranuar një grua e cila ishte goditur nga infarkti dhe më thanë se iu duhem urgjentisht.
Shkova dhe kur arrita te dera e emergjencës, zemra e saj u ndal. Fillova t’ia fërkoj zemrën dhe vetëm pas një apo dy minutave, për çudi, ajo u ngrit dhe e drejtoi shikimin e saj kah qielli sikurse i drejtohet e i flet ndokujt dhe pastaj e ngriti dorën e saj dhe tha: Esh-hedu en la ilahe il-lallah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah (Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij).
Unë u ndala dhe ajo u ndal dhe fillova prapë t’ia fërkoj zemrën, edhe atë dy apo tre minuta. Ajo prapë u zgjua, shikoi kah qielli, e ngriti dorën e saj dhe përsëri tha: Esh-hedu en la ilahe il-lallah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah (Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij).
Herën e tretë e vërejta një gjë të çuditshme, e pashë fuqinë e Allahut të Madhëruar! Deri sa isha duke ia fërkuar zemrën e saj dhe ajo e shqiptonte shehadetin, me sytë e mi e pashë në aparatin i cili ishte i lidhur me zemrën e saj se zemra e saj nuk kishte qenë në funksion kur gjuha e saj shqiptonte shehadetin. Pasha Allahun, gjuhën e saj e bëri të lëvizë Allahu i Plotfuqishëm, Mëshiruesi, Pendimpranuesi, që të jetë argument për mua dhe për tjetrin. Edhe pse e vdekur ia mundësoi ta shqiptojë shehadetin. Ajo duke qenë gjallë e njihte dhe adhuronte Zotin e saj, që Ai ta ruajë dhe t’i ndihmojë kur ajo më së shumti ka nevojë.
Shkova ta takoj burrin e saj dhe ta ngushëlloj për vdekjen e gruas së tij. Pasi që e ngushëllova, ia tregova rastin që e pashë dhe i thashë:
Çka ka vepruar gruaja juaj që të jetë përfundimi i saj kështu?
M’u përgjigj:
Doktor, unë nuk çuditem. Ajo nga dita kur e martova, para 35 vjetëve, asnjë natë nuk e la namazin e natës, përveç se kur kishte ndonjë arsye që e arsyeton feja e Allahut.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU