BallinaARTIKUJHadith dhe SunetNjerëz të mëdhenj rrallë lindin

Njerëz të mëdhenj rrallë lindin


Shkruan: Lulzim Susuri

Abdullah ibën Omeri, transmeton ta ketë dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë:

“Njerëzit i ngjajnë grumbullit të deveve ku në mesin e njëqind prej tyre vështir të gjesh një të cilën do ta shfrytëzoje për udhëtim”

Zinxhiri i hadithit:

Këtë hadith e transmeton Abdullah ibën Omeri kurse ë librat e tyre e shënojnë Buhariu nr. 6498 dhe Muslimi nr. 2547.

Komenti i hadithit:
Në këtë hadith Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, përmes këtij krahasimi tregon llojet e njerëzve të cilët në bartjen e përgjegjësive i ngjasojnë deveve. Devetë parimisht ndahen në dy lloje: aso që shërbejnë vetëm për bartje dhe transport mallrash dhe lloji i dytë ato që bartin edhe njerëz dhe shërbejnë për udhëtime të gjata mbi to të cilat njëherit edhe i nënshtrohen çdo njeriu duke i respektuar urdhrat e tij. 
Vështirësia e gjetjes së devesë e cila shërben për çdo lloj pune është e madhe bile trajnimi i tyre është edhe më i vështirë ku mu për këtë shkak njerëzit zakonisht i ikin trajnimit të tyre dhe mundohen që të gjejnë apo blejnë deve të ushtruara paraprakisht gjë të cilën e gjejnë me vështirësi. Vështirësi të tilla njerëzit kanë edhe në gjetjen e shokëve të tyre ku në mesin e njëqind njerëzve është zor të gjesh një të tillë të cilin do ta merrje për shok besnik dhe do të ishte ndihmës i shokut të vet në bartjen e përgjegjësive, udhëtimeve të gjata, telasheve të mëdha etj.

Në komentin e këtij hadithi nuk dua të lë pa përmendur fjalët e shejh Abdurrahman ibën Nasir Sadiut i cili gjatë komentit të tij thotë: “Ky hadith në vete përmbledhë një lajm të saktë nga njëra anë dhe një udhëzim të dobishëm nga ana tjetër. 
Sa i përket lajmit në të Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, tregon çartë se tek  shumica e njerëzve në botë mbretëron mangësia ndërsa njerëzit e plot[-apo ata që janë afër përsosmërisë personale- janë pak ashtu si shembulli i deveve të cilat i sheh njëqind në grumbull dhe vërtetë duken shumë mirëpo nëse kërkon deve të dobishme që do ta shfrytëzoje për transport mallrash apo bartje njerëzish, për shkuarje dhe vajtje  të tilla gjen shumë pak në mesin e gjithë atyre. 
I njëjtë është edhe shembulli i njerëzve të cilët në numër janë shumë por vështirë e ke të zgjedhësh një i cili vlen për t’i mësuar të tjerët, për fetva, imam, udhëheqës i të mëdhenjve apo të vegjëlve, apo punë tjera të rëndësishme. E tërë kjo për faktin se njeriu është zullumqarë dhe injorant, dy veti këto të cilat janë shkaktarë që ai të mbetet i mangët dhe i pakompletuar. Kjo kishte të bëjë me lajmin.
Sa i përket udhëzimit profetik në këtë hadith ai tregoi se i tërë umeti duhet të vrapojnë, të mundohen dhe përpiqen që të krijojnë njerëz dhe kuadro të cilët do të merrnin përsipër çdo vështirësi dhe do të bartnin mbi supe çdo përgjegjësi. Këtë fakt që e përmendëm e vërteton edhe fjala e Allahut fuqiplotë i Cili thotë: “prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut” (S. Teube, 122) në këtë ajet paraprakisht urdhëroi që një grup i mjaftueshëm të merrej me punët e luftës në rrugë të Allahut kurse grupi tjetër të merrej me dituri e kështu të ndihmoheshin mes vete për të mirë. 
Punët në përgjithësi si ato të dunjasë ashtu edhe të ahiretit kanë nevojë për njerëz që t’i kryejnë ashtu si duhet dhe bota në përgjithësi nuk mund të ketë dobi ndryshe veçse duke i kryer të dy llojët e punës, por të gjitha këto punë me llojet e veta kanë nevojë për njerëz dhe assesi nuk mund të dalin me sukses nëse përgjegjësit e tyre nuk janë burra të denjë të lëmive përkatëse. Në fund them se çështjet si ato fetare apo të kësaj bote kanë nevojë për njerëz të denjë që do të ishin të suksesshëm në marrjen dhe kryerjen e përgjegjësive të tilla prandaj është obligim që të hulumtojmë për njerëz të cilët do të ishin të denjë për bartjen e amaneteve të tilla mbi supet e veta”  
Disa dijetarë tjerë këtë hadith e komentojnë me faktin se ai në vete përmban dy kuptime:
I pari: të gjithë njerëzit në Islam paraprakisht janë të njëjtë dhe askush nuk ka përparësi para tjetrit. Në Islam sa i përket dispozitave të sheriatit janë të barabartë si pasaniku ashtu edhe fukaraja, ai me famë apo pa famë, i shkolluari dhe injoranti. Pra kjo barazi është në aspektin e kryerjes së detyrimeve fetare dhe në aspektin e shpërblimit dhe ndëshkimit, pra ai që bënë faj ai ndëshkohet duke mos i interesuar fesë se personi në fjalë a është pasanik apo i varfër. Pra ata janë të gjithë njejtë sikurse devetë që janë parimisht të njëjta njëra me tjetrën. 
Kuptimi i dytë sipas këtij mendimi është fakti se shumica e njerëzve në origjinën e tyre janë të mangët kurse njerëzit e përsosur (edhe pse përsosmëria absolute i takon Allahut të Vetëm) janë shumë pak, në njëqind vështirë a mund ta gjesh një prej tyre. kësaj i përgjigjet fjala e Allahut: “Mirëpo shumica e njerëzve nuk e dinë” (S. Araf, 187). Ndërsa imam Buhariu këtë hadith e futi në kapitullin e “Ngritjes së amanetit nga fytyra e tokës” ku jep të kuptojmë se shumica e njerëzve nuk do të jenë n gjendje ta bartin amanetin apo përgjegjësinë qe u jepet dhe kështu njerëzit e tilë sipas tij nuk duhet shoqëruar mu ashtu siç nuk është e lejuar që njeriu t’i hipë devesë e cila nuk është e trajnuar për bartje dhe transport të njerëzve.

Dobi të nxjerra nga hadithi:

1-Është obligim fetar për çdo institucion, apo edukatorë që nxënësit tek të cilët vërehen cilësi të veçanta pozitive t’i kultivojnë ato veti dhe nxënësit e tillë t’i stimulojnë që të ecin përpara e jo t’i lënë anash e kështu të vdesin vetitë e tyre të mira . kjo për arsye se njerëzit e dobishëm prej të cilëve pritet shumë në të ardhme zakonisht janë pak në numër prandaj duhet përkrahur me çdo kusht ata duke ju ofruar të gjitha mundësitë për përparim të mëtejshëm. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kur pa veti të dalluara tek Omer ibën Hatabi dhe tek Ebu Xhehli deshi që t’i shfrytëzonte cilësitë e tyre për të mirën e Islamit andaj edhe ju lut Allahut që ta udhëzonte njërin pre tyre. (Shënon Ahmedi, nr. 5363 dhe Tirmidhiu, nr. 5681)

2-Prijësit në përgjithësi kurse thirrësit Islam në veçanti kur ta kuptojnë domethënien e këtij hadithi ata pastaj duhet t kenë parasysh se njerëzit janë të mangët dhe nuk kanë fuqi  të gjithë që të jenë të njejtë kështu që ai duhet t’i ketë parasyshë dobësitë e tyre dhe të mos mundohet të pret prej tyre shumë gjëra apo tu japë shumë përgjegjësi kjo për vet faktin se shumë deve janë deve dhe mund të shërbejnë për bartje të mallit por që të bazohesh dhe të presësh transport të njerëzve ato janë pak.

3-Nëse një njeri na habit me arritjet e tij kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit janë të tillë dmth. t[ mos mendojmë se sikur ai njeri mund të jenë edhe të tjerët dhe kështu të obligohen të gjithë me gjërat që i ka marrë përsipër një person i vetëm. Kjo për arsye se edhe pse një njeri është i aftë t’i dalë në skaj një detyre të vështirë nuk do të thotë se të gjithë mund ta bëjnë një gjë të tillë dhe të gjithë të obligohen njejtë. Këtë vërejtje duhet ta kenë parasysh shumë prindër të cilët fëmijët e tyre mendojnë se janë të njëjtë në aftësi dhe bartje të përgjegjësive ku edhe sheh tek ta se bazohen në aftësitë e njërit fëmijë dhe pastaj mundohet që t’i obligoj të gjithë me të njejtën përgjegjësi apo e sheh se njëri prej tyre është i aftë në një zanat të caktuar e bazuar në të mundoht që të gjithë të tjerët t’i fokusojë në të njëjtin zanat duke mos pasë parasysh se ndoshta i dyti është i aftë për drejtim tjetër të caktuar e jo për atë që është fëmija i parë.

4-Njerëzit të cilët dallohen në disa fusha nga të tjerët ata e kanë obligim që t’i qëndrojnë besnik drejtimit të tyre e të mos dezertojnë nga ajo lëmi të cilën Allahu ua ka lehtësuar dhe ua ka bërë të mundur që të dallohen në të. kjo për arsye se ndoshta vetëm ai është i dalluar në ao çështje në tërë vedin e tij dhe kështu duke e lënë profesionin e vet ai i dëmton edhe të tjerët sepse nuk janë tërë njerëzit të gatshëm dhe të aftë për të gjitha drejtimet andaj secili duhet t’i shërbejë Islamit dhe njerëzve nga këndi i tij në të cilin ai është  i aftë ta bëjë. Në këtë mënyrë secili njeri e plotëson një boshllëk në shoqëri.

5- Hadithi jep të kuptojmë se shumica e njerëzve nuk janë të aftë t’i perceptojnë vet gjërat dhe në shumicën e rasteve ata gjërat i marrin të gatshme dhe nuk mund t’i analizojnë vetë. Do të veçoja me përmendje njerëzit që i besojnë çdo lajmi të servuar në media dhe nuk janë të aftë t’i shohin vet gjërat apo t’i analizojnë ato. Ju besojnë dy tre politikanëve dhe janë të betuar për ta duke mos menduar për dështimet e tyre disa vjeçare apo duke mos i analizuar mos-mbajtjen e premtimeve të tyre përkundrazi me një premtim të vogël, me dy javë fushatë parazgjedhore i harrojnë të gjitha vështirësitë deri atë ditë. Prandaj edhe shohim se populli nuk është në gjendje të ndryshojë gjërat sepse janë sikurse devetë që njëra i udhëheqë në udhëtim e të gjitha shkojnë pas saj duke mos e ditur kah janë duke shkuar. 
6- Është obligim  secilit mysliman i cili e sheh veten se është i aftë në një lëmi që ta vazhdojë punën e vet e të mos ndalet në atë drejtim por ta plotësojë atë zbrazëti. Këtë vazhdimësi në drejtimin apo profesionin e vet e ka obligim fetarë e sidomos në atë kohë kur nuk a njeri tjetër që mund ta zëvendësojë. 
7- Gjithashtu është obligim i popullit si dhe i udhëheqësve që pozitat e caktuara dhe punët në përgjithësi tua japin njerëzve që i meritojnë ata dhe janë të aftë për pozita të tilla e jo t’i afrojnë njerëzit familjarë apo ata të cilët kanë pasuri dhe i korruptojnë sepse duke mos ju dhënë pozita njerëzve të merituar të gjithë humbin dhe vendi mbetet prapa, kurse ata që i kanë përgjegjësi ndarjen e pozitave nëse janë të padrejtë futen në radhët e mëkatarëve.

8-Kundërshtimet mes njerëzve gjithmonë nuk janë vetëm për shkak të kundërshtimeve psikike por ka raste kur ata janë në kundërshtim edhe për arsye të mos mundësisë së bartjes së përgjegjësive. Pra mund të jenë të barabartë në dije por nuk janë të tillë në aftësitë e vënies në praktikë të asaj që e ka mësuar.

9- Të kuptuarit e këtij hadithi na jep mësime se njeriu duhet të ketë ambicie të larta dhe gjithmonë të inspirohet nga njerëzit e mëdhenj të cilët kanë arrit të bëjnë diçka në jetë, të cilët janë të pakët në numër,  e jo t’i shikojnë shumicën e popullit të cilët janë të dështuar në jetë. Pra të shikojë tek njerëzit që janë mbi të me arritje e jo ata që janë nën të sepse kjo do ja humbte ambiciet dhe nuk do të përparonte asgjë.

 

Burimi: http://ehlihadithi.com/

 

http://islamifejaevertete.com

 

Must Read