Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë:
“Çifutët janë përçarë në shtatëdhjetë e një grupe, të krishterët në shtatëdhjetë e dy, kurse umeti im do të përçahet në shtatëdhjetë e tri, të gjitha do të futen në zjarr përveç njërit. Shokët e pyetën cili është ai grup, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: “Ai është që më pason mua në atë që jam unë sot dhe që pason shokët e mi”.
Zingjiri i hadithit:
Ky hadith transmetohet nga disa sahabë, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Nga ata është Ebu Hurejre, Muavia ibën Ebi Sufjani, Enes ibën Maliku, Auf ibën Maliku etj. Ndërsa në librat e tyre e shënojnë imam Ahmedi, 2/332, 4/102, Ebu Davudi, nr. 4596, 4597, Tirmidhiu, nr. 2564, Ibën Maxhe, nr. 3991, 3992, 3993, Ibën Hibani, nr. 1834, Axhuriu në librin e tij “Esh-sheriah” fq. 25, Hakimi në “Mustedrek”, 1/128, Ebu Jala në “Musnedin” e tij, Darimiu, 2/241, Ibën Betah në “El-Ibane” 2/108, 2/119, Lalekai në në “Sherh es-suneh”1/23.
Këtë hadith e kanë përcjellë shumë, si sahabët, transmetuesit pas tyre (gjeneratat pas tyre) ashtu edhe dijetarët që e kanë shënuar në librat e vet. Nëse do të merrnim vetëm transmetimin e Enes ibën Malikut do të vërenim se nga ai transmetohet me shtatë zinxhirë transmetuesish, prandaj bazuar në rregullat e shkencave të hadithit ky transmetim konsiderohet i saktë pa kurrfarë dyshimi. Hadithin e saktëson Tirmidhiu, Hakimi, Dhehebiu, Ibën Hibani, Sehavi, Ibën Kethiri, Shatibiu në “Iëtisam”2/189 ndërsa Ibën Tejmie për të thotë se është hadith i saktë dhe më se i njohur (Mexhmu fetava, 3/346), gjithashtu e saktëson edhe Albani në “Silsile sahiha” hadithi nr. 203, 204, 1492, 3842, hadith për të cilin ai flet shumë detalisht. Gjithë këto referenca i përmendëm për arsye se ka pasur njerëz, të cilët i futën hundët duke folur sipas epshit të tyre dhe për interesa shumë të ngushta, ku si pasojë e konsideruan hadithin të dobët. Por pasi nuk ishin njerëz që i takonin grupit të dijetarëve atëherë edhe nuk do të humbim kohë t’i përmendim me emër. I vetmi që meriton të përmendet me emër është Ibën Hazmi, i cili hadithin e konsideron të dobët, por fjala e çdokujt është e pavlefshme përpara fakteve dhe argumenteve të sakta, të cilat janë më të qarta se dielli në një ditë vere pa vranësirë.
Disa nga pretenduesit e studimit të fesë në baza filozofike e konsideruan hadithin të dobët jo nga aspekti i zinxhirit të tij, por të bazuar në logjikën e tyre ata menduan se një fjalë e tillë profetike do të mbillte bindjen në mendjet e njerëzve që përçarja do të ndodhë patjetër në këtë umet dhe nuk do të mërziteshin dhe nuk do të nguronin për përçarje. Kështu që sipas kësaj arsyeje do të ishte më mirë ta konsideronim këtë hadith të dobët, që të mos krijohej më pas kjo bindje tek njerëzit. Pra, kjo ishte arsyeja e dobësimit të hadithit sipas tyre.
Mirëpo ky grup pa dyshim se gabuan nga të gjitha aspektet apo këndvështrimet e tyre. Së pari kundërshtuan parimet fetare dhe rregullat e vendosura nga dijetarët shekuj me radhë, se si duhet konsideruar një hadith i saktë apo jo dhe kështu u bazuan në mendjen e tyre, ku edhe për këtë shkak gabuan duke i lënë anash me mijëra rregulla të shkencës së Mustalahul-hadithit të vendosura nga dijetarët e dëshmuar nga umeti. Kjo ndodhi vetëm për të përmbushur kërkesën e mendjes së tyre.Ndërsa arsyeja e tyre se ky hadith mund të krijojë bindje tek njerëzit se përçarja është normale dhe kështu do t’i shtyjë ata që të përçahen pa problem ka disa të meta. Them së pari, se një fjalë e tillë konsiderohet akuzë ndaj Profetit, sal-lallah alejhi ue selem, kinse ai nxit përçarje. Pastaj vetë Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, është ai që e ka thënë dhe ai nuk flet me hamendje si njerëzit e tjerë, por fjalët e tij janë shpallje dhe askush pas tij nuk mund të jetë më i ditur se ai dhe fjalët e tyre nuk janë asgjë tjetër veçse filozofi e kotë. Gjithashtu nëse këta filozofë me mendjet e tyre të “ndritura” arritën të kuptonin, se hadithe të tilla nxisin përçarje, atyre u themi se asnjë mendje dhe logjikë nuk është më e ndritur se ajo e Profetit, e cila ka qenë gjithmonë nën kontrollin hyjnor, prandaj çdo logjikë pas asaj profetike nuk është asgjë tjetër veçse humbje. Po ashtu realiteti i botës islame e pohon të kundërtën pra, pohon faktin se umeti veçse janë përçarë, pa marrë parasysh e dinë këtë hadith apo jo, apo pa marrë parasysh e konsideruan të dobët atë apo të saktë.
Dijetarët e lartpërmendur që e shënuan hadithin nuk dua të lë pa përmendur, se atë e shënuan me disa ndryshime të vogla në disa vende sidomos në fund të tij në pjesën ku sahabët e pyetën Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, se cili ishte ai grup i shpëtuar. Në disa transmetime përmendet se Profeti tha: Ata janë pasuesit e xhematit të muslimanëve, ndërsa diku tjetër përmendet ata që e pasojnë Profetin dhe shokët e tij e në disa transmetime në fakt nuk përmendet kjo pyetje e sahabëve.
Komenti i hadithit:
Hadithi është shumë me rëndësi, ku për këtë shkak edhe Ebu Davudi, Allahu e mëshiroftë, e ka vendosur në radhë të parë në librin e tij Sunen, në kapitullin e pasimit të Sunetit dhe largimit nga grupimet. Gjithashtu çdo dijetar kur flet apo shkruan për përçarjet, grupimet apo sektet, ose kur flet për grupin e shpëtuar nuk lë pa përmendur edhe këtë hadith. Pra, është hadith i madh në kapitullin e tij, i cili e trondit çdo grupim që e kundërshton pasimin e Sunetit të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, ku edhe për këtë shkak dëshiruan me çdo kusht të gjykonim rreth tij, se është i dobët apo i shpifur. Pati të tillë, të cilët ja ndërruan vendet fjalive duke e ndërruar pjesën e fundit në këtë mënyrë: “Të gjitha në xhenet përveç njërit” pra, ndërruan fjalën e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Të gjitha në zjarr përveç njërit”. Ky ndërrim konsiderohet shpifje ndaj Profetit, e si pasojë e të cilit është përgatitja e një karrige nga zjarri i xhehenemit për shpifësin.
Në fillim Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, tregon për çifutët dhe të krishterët, se si edhe ata ishin përçarë në grupe, ku pastaj u pasuan nga muslimanët, gjë e cila është më se e ditur, sepse vetë Profeti na tregoi se do t’i pasonim popujt para nesh pëllëmbë për pëllëmbë, ku ne nuk jemi mjaftuar vetëm me pasimin e çifutëve dhe të krishterëve, por edhe ua kaluam atyre siç përmendet në hadith. Pra, kemi shtuar edhe një grup më shumë se ata.
Ky hadith është një prej haditheve të shumta me të cilët vërtetohet profecia e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, sepse aty ai përmend gjëra të cilat për vetë Pejgamberin ishin të panjohura dhe fshehtësi (gajb) e të cilat me të vërtetë ndodhën më vonë mu ashtu siç i përmendi ai. Sa i përket pjesës së parë të hadithit, e cila flet për çifutët dhe të krishterët nuk do të ndalemi rreth saj, ngase janë më se të qarta, por aty dua të theksoj vetëm një gjë; ajo është se në disa transmetime përmendet se edhe grupet e tyre të gjitha do të jenë në zjarr përveç njërit. Këtu mendoj se do të ishte e arsyeshme sqarimi i faktit, se ky grup i shpëtuar nga të dy palët janë pasuesit e Musait dhe të Isait, paqja e Allahut qoftë mbi ta. Pra, pasuesit e tyre në rrugë të drejtë, që nga Musai e deri tek Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe prej Isait e deri tek Muhamedi. Pas ardhjes së Profetit Muhamed çifutëve dhe të krishterëve nuk u mbetet më asgjë, përveç pasimit të Profetit të fundit, alejhi salatu ue selam. Këtë sqarim e theksova për shkak që mos të mendojë askush, se vetë Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka treguar se nga një grup prej të dy palëve të lartpërmendura janë në hak dhe kështu të fillojë të mendojë se kush do të jetë cilët ata shpëtimtarët dhe si pasojë nuk do t’i konsideronte kafirë. Pra, pasuesit e drejtë të Musait dhe të Isait konsiderohen si besimtarë deri me ardhjen e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, ku pastaj urdhërohen me pasimin e këtij të fundit, sepse sheriati i tij shfuqizon çdo sheriat paraprak, e kush e beson konsiderohet musliman, ndërsa në të kundërtën kush e refuzon konsiderohet qafir.
Fjala e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem; “Umeti im do të përçahet në shtatëdhjetë e tri grupe…” nënkupton, se kjo përçarje do të ndodhë patjetër, prandaj askush nuk mund ta ndalë atë dhe nuk duhet të harxhojë potencialin e tij në parandalimin e fenomenit, ngase ky mundim do të shkojë në llogari të pasimit të sunetit nga vetë parandaluesi. Pra, është e vërtetë, se ne nuk duhet ta duam përçarjen, as ta ndihmojmë atë, bile duhet edhe ta parandalojmë, por duhet të besojmë patjetër se ajo do të ndodhë, sepse është paralajmëruar nga ai i cili nuk flet nga mendja e tij, por çdo fjalë që ai thotë është vetëm shpallje. Si shkak i këtij parimi kushdo prej nesh potencialin e vet duhet ta harxhojë deri në maksimum në kërkim të së vërtetës dhe në pasimin e saj, sepse është në duart tona pasimi i së vërtetës, kurse përçarja mbetet në Dëshirën dhe Vullnetin e Allahut.
Fjala e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem; “të gjitha në zjarr përveç njërit…”, ai me këtë fjalë nuk i arsyetoi apo nuk filloi të shprehte mendime të ndryshme rreth tyre dhe shkakut të përçarjes, por tregoi shkurt, se që të gjitha degëzimet janë në zjarr përveç njërës. Kjo fjalë, sikur na bën me shenjë, se njerëzit në pasimin e epsheve nuk i arsyeton gjithmonë qëllimi i mirë apo injoranca, kur kanë mundësi të mësojnë që të mos gabojnë. Pra, arsyet mbesim të pranuara, kur kushtet janë të tilla për arsyetim, ndërsa kur kushtet piqen për përmirësim e njeriu vazhdon prapë me zakonet e tij të vjetra, atëherë themi se arsyeja nuk i pranohet. Që ta sqaroj më mirë do të marr një shembull e ai është injoranca. Njeriu arsyetohet me injorancë vetëm atëherë kur nuk ka mundësi të mësojë, kurse nëse një mundësi e tillë i krijohet, ai prapë vazhdon të mos mësojë, duke u arsyetuar se injoranca është shkak që të më falen shumë gabime, këtu themi se në këtë rast kjo injorancë është e pavlefshme, sepse janë krijuar kushtet për mësim.
Fjala Profetike: “Përveç njërit”. Këtu dua të përmend, se pasuesit e së vërtetës në fakt nuk janë grupacion, as nuk quhen të tillë, sepse grupacionet janë ato që ndahen nga grupi i madh apo nga xhemati i muslimanëve, por Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, e përmendi në mesin e grupeve të tjera për shkak se çdo grup pretendon se ata janë pasuesit e denjë dhe kundërshtarët e tyre i konsiderojnë grupacione të humbura, kështu e konsiderojnë si të tillë edhe grupin që pason Sunetin. Kjo pjesë e hadithit sikur thotë se pa marrë parasysh si e quani ju këtë grup, ai është i vetmi i shpëtuari, për të cilin kur u pyet nga shokët e tij, se cili ishte ai grup Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ju përgjigj:
“Ai është që më pason mua në atë që jam unë sot dhe që pason shokët e mi”, në një transmetim tjetër thuhet:“Ai grup është xhemati (i muslimanëve)”.
Me këtë fjalë lind mërzia për çdo grup apo fraksion në Islam. Me të demoralizohet çdo pretendues me emra të ndryshëm jashtë pasuesve të Profetit dhe shokëve të tij. Këtu dua të ndalem në disa pika:
a) Profeti nuk përmendi pasimin e Kuranit, por menjëherë kaloi tek pasimi i Sunetit. Kjo për shkak se zakonisht shumica e fraksioneve në Islam pretendojnë se e pasojnë Kuranin, por e kundërshtojnë Sunetin dhe për shkak se pasimi i Sunetit nënkupton pasimin e Kuranit.
b) Profeti e përmendi se pasimi i tij duhet të jetë në ato punë në të cilat ai ishte në atë kohë kur po fliste. Nga kjo kuptojmë se nëse dikush pretendon se është duke e pasuar Sunetin dhe në fakt ka shpifur hadithe dhe sunete nga vetja e tij duke ia veshur Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, ajo nuk është e pranuar. Ky pasim duhet të jetë patjetër i bazuar vetëm në hadithe të sakta dhe të vërtetuara shkencërisht, se janë trashëgimi profetike e jo pasim i Profetit me hadithe të shpifura dhe të dobëta, ku pasuesit e tyre pasi nuk kanë çfarë të thonë për gradën e tyre në fund të secilit hadith në vend që të shkruajnë; ky hadith është i saktë apo i mirë etj., shkruajnë fjalën: “hadith sherif” vetëm e vetëm t’ua përziejnë çështjen atyre që nuk kuptojnë. Pra, përveç që duhet pasuar Suneti kushtëzohet që ai sunet të jetë me të vërtetë mu ashtu siç ishte Profeti në kohën kur po fliste, pra, pa devijime e jo të shtohen dhe të pakësohen gjëra dhe të mbetet vetëm emri Sunet.
c) Në fund shtoi se pasimit të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, i duhet shtuar edhe një kusht tjetër, e ai është pasimi i traditës dhe mësimeve të sahabëve. Kjo për vetë faktin se njerëzit që e dinin dhe e kuptonin më së miri traditën profetike ishin shokët e tij. Prandaj njeriu nëse mundohet ta pasojë Sunetin dhe ta mësojë atë mënyra më e mirë dhe më e sigurt për këtë gjë është pasimi i mësimeve të sahabëve. Ky pasim i lartpërmendur shkon në formë zinxhiri; pasim i Sunetit, por i Sunetit të saktë të transmetuar nga i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe kuptim i këtij Suneti të saktë sipas kuptimit të sahabëve e jo sipas epsheve dhe hamendjeve të askujt.
Vërejtje:
1- Grupi i vetëm i shpëtuar do të thotë se është i vetmi, i cili nuk do të futet në zjarr. Por kjo nuk nënkupton se çdo individ, i cili i takon atij grupi të jetë i sigurtë nga zjarri, ngase edhe pse ka pasuar Sunetin dhe Xhematin mund të ketë mëkate të tjera, të cilat mund të jenë shkak për dënim të përkohshëm. Prandaj si përfundim mund të themi se nuk lejohet për asnjë pasues të Sunetit dhe Xhematit të garantojmë se është prej banorëve të xhenetit. (përveç atyre të cilët i ka përmendur Kurani apo Suneti.)
2- Grupacionet e lartpërmendura në umetin e Muhamedit, sal-allahu alejhi ue selem, edhe pse Profeti i përmend se do të jenë në zjarr, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve kjo nuk do të thotë se ata janë qafirë, por ata konsiderohen vetëm jo-pasues të traditës profetike apo bidatçinj. Veprat e tyre nuk i nxjerrin krejtësisht nga Islami, por i nxjerrin nga Suneti si pasojë e të cilit është dënimi me zjarr, ku pas vuajtjes së dënimit do të dalin nga ai për në xhenet. Imam Hatabiu në librin e tij: “Mealimus-sunen” 7/4 thotë: “Hadithi aludon se këto grupacione nuk janë të dala nga Islami, kjo për vetë faktin se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, në këtë hadith i përmend duke i futur brenda umetit të tij” mendim ky që e përmend edhe Ibën Tejmie në “Mexhmu fetava” 3/346 dhe në librin e tij mbi Imanin. Për këtë arsye këto grupacione duhet pranuar se janë të rrezikuara me zjarr, por në anën tjetër nuk duhet vërtetuar për asnjë pasues të ndonjë grupacioni, se Allahu me siguri do ta dënojë me zjarr. Për shtatëdhjetë e dy grupet në përgjithësi themi se u kanoset rreziku me zjarr, kurse për pasuesit e këtyre grupeve themi se janë nën mëshirën e Allahut, nëse do i fal me Mëshirën e Tij e nëse do i dënon me Drejtësinë e Tij, gjithashtu nuk garantojmë për askënd prej tyre, se është duke u dënuar apo do të dënohet, sepse ndoshta ka punuar punë të mira, të cilat do t’ia fshinin atë mëkat apo bidat ose është penduar nga mëkati i tij, apo Allahu ia ka falur me Mëshirën e Vet. Prandaj kur vjen puna tek përmendja e dënimit për ta duhet pasur kujdes, që mos ta zgjasim gjuhën për asnjërin prej tyre, por të kërkojmë falje nga Allahu për vete dhe për besimtarët në përgjithësi.
Në përfundim të kësaj pike do të jepja dy këshilla me rëndësi: e para: Assesi nuk lejohet që kundërshtarin ta konsiderosh qafir vetëm pse është duke të kundërshtuar, sepse ka mundësi të jetë prej këtyre grupeve të lartpërmendur e kështu t’i hysh në hak. Prandaj për mos ngutje me tekfir të tjetrit Allahu nuk do të marrë në llogari, kurse për ngutje me tekfir të kundërshtarit Allahu do të pyesë e nëse je gabim atëherë ai kufër do të kthehet tek vetë personi, i cili e gjuan tjetrin me kufër, dhe këshilla e dytë: mos-konsiderimi i tjetrit qafir nuk nënkupton heshtje dhe pranim i devijimeve dhe shpifjeve të tyre, përkundrazi duhet të kundërshtohen dhe t’i qartësohet umetit e vërteta, në mënyrën sa më të mirë dhe më të saktë, sipas mësimeve Profetike gjatë urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja.
3- Përmendja e numrit shtatëdhjetë e tre nënkupton se në këtë numër do të ndahet umeti i Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, kurse grupacionet që dalin jashtë këtij numri ata edhe pse pretendojnë se janë në Islam në fakt nuk janë brenda tij. Çdo grup jashtë këtij numri janë qafirë, edhe pse për të vërtetuar saktësisht se cilët grupe janë brenda numrit shtatëdhjetë e tre, e cilët jashtë mbetet punë e dijetarëve dhe jo e çdokujt apo e çdonjërit i cili mundohet që me injorancë ta fusë brenda umetit kë do dhe ta nxjerrë prej tij kë i teket atij. Kjo mbetet punë e dijetarëve, të cilët janë të vetmit që kanë të drejtë të flasin për këtë çështje. Dijetarët në librat e tyre i kanë përmendur këto grupe, por ka disa kundërshtime të vogla mes tyre për disa grupacione, të dhëna këto të cilat nuk na mjafton hapësira t’i bartim në temën tonë, por nuk do të lë pa përmendur fjalën e Abdullah ibën Mubarekut që e përmend Ibën Tejmie në Mexhmu fetave 3/351, në të cilën thotë: “Grupacionet bazë nga të cilët kanë lindur (gjashtëdhjetë e tetë) grupe të tjera janë katër: Shiitët (vetëm ata që me besimin dhe veprat e tyre nuk kalojnë në kufër), Havarixhët, Kaderitë dhe Murxhiet. Edhe pse ka dijetarë që japin mendime të tjera rreth kësaj teme, por sido që të jetë e përmendëm njërin prej tyre sa për ilustrim.
4- Me fjalën përçarje është si qëllim përçarjet në akide e jo ato në fikh. Nuk duhet harruar se edhe pse këto përçarje pa dyshim se ka raste kur janë të mëdha, por kjo nuk do të thotë se janë më të rrezikshme se të çifutëve dhe të krishterëve.
5- Shtimi i grupacioneve brenda umetit të Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, nënkupton jetëgjatësinë dhe përhapjen e këtij umeti në botë, ngase këto grupe nuk mund të lindnin përnjëherë apo të gjitha në një qytet të vetëm.
6- Dijetarët e selefit e kanë pasur traditë që fillimisht të merren me gabimet e veta dhe t’i zbulojnë ato në vetvete e pastaj të përmirësojnë veten e vet, në fund nëse u mbetej kohë merreshin me punët e të tjerëve. Prandaj as ne në këtë kohë nuk duhet të merremi me njerëzit, se filan personi cilit grupacion i takon dhe kështu t’i klasifikojmë njerëzit, kurse për vete të mos interesohemi dhe ta humbim rrugën në oborr, derisa të na vijë vdekja duke pasur shumë pak punë të mira, sepse na kanë interesuar të tjerët e jo vetja jonë.
Në fund lus Allahun e Lartësuar të na bëjë prej pasuesve të Profetit, sal-lallahu alejhi e selem, dhe prej grupit të shpëtuar dhe palës së ndihmuar, prej atyre që merremi me veten tonë dhe mundohemi fillimisht ta pastrojmë atë e pastaj të interesohemi për të tjerët. Allahu na udhëzoftë neve dhe të gjithë besimtarët kudo që janë duke kërkuar prej Tij të na bëjë prej grupit të parë të cilët nuk do t’i godasë aspak hidhërimi i Allahut, e as nuk do t’i djegë dënimi i Tij.
Lulzim Mehmet Susuri
Burimi: www.ehlihadithi.com
http://www.islamifejaevertete.com